Te vertetat e nje lakuriqi nate

Të vërtetat e një lakuriqi nate

Për herë të parë ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, opereta me tri akte "Lakuriqi i natës" ("Die Fledermaus"). Interpretojnë solistët e TKOB-it, Mariana Leka, Etleva Golemi, Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjeri, Erlind Zeraliu, etj. Vepra, që do të shfaqet në datat 18, 19, 21 dhe 22 dhjetor mban regjinë e Paul Flieder, ndërsa orkestra drejtohet nga mjeshtri austriak Manfred Mayerhofer. Kori drejtohet nga Dritan Lumshi, ndërsa koreografia i është besuar Manjola Hasanit. "Lakuriqi i natës" është një komedi situatash dhe ngatërresash. Ka shumë aksion që rrjedh në mënyrë zinxhir, duke zbuluar karakteret e vërtetë të personazheve. Të gjithë personazhet sillen të maskuar si të tjerë. Një shërbëtore sillet si zonjë e madhe, një bashkëshorte maskohet si konteshë hungareze, një dashnor si bashkëshort… Një maskim i tillë ekziston edhe mes vetë këngëtarëve të TKOB-it. Kështu mexosopranot Vikena Kamenica dhe Lindita Kola duhet të luajnë rolin e një burri. Bëhet fjalë për rolin e princit Orloski, një i ri i palumtur, i cili organizon ballon ku përballen gra e burra kurorëshkelës. Për Kamenicën nuk është hera e parë që luan rolin e një mashkulli. Një tjetër rol i tillë është edhe ai i adoleshentit Kerubino në "Dasmën e Figaros", të cilin mexosopranoja e ka interpretuar në skenën rumune. Pas "La Traviatës" së Ranierit, ringjiten në skenë sopranot Mariana Leka dhe Etleva Golemi të cilat interpretojnë rolin e Rosalindës.

"Lakuriqi i natës" konsiderohet si maja e operetave. Si çdo sjellje moderne, opereta nuk pati ndonjë sukses të madh kur u shfaq për herë të parë në skenën e Vjenës në vitin 1874. Gjatë vitit të parë njohu vetëm 16 shfaqje, ndërsa sot numëron 30 mijë rivënie. "Die Fledermaus" mbahet komedia muzikore më e përshtatur dhe më e përpunuar.

Al.mi :  Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama