Rrefimet 3 dashuri te ndaluara te komunizmit

Rrëfimet, 3 dashuri të ndaluara të komunizmit

Gratë e huaja u quajtën agjente sekrete dhe e detyruan të ktheheshin në vendet e tyre bashkë me fëmijët. Kanë qenë këto drama familjare shqiptare që kanë ngacmuar regjisoren bullgare Adela Peeva të realizojë një film dokumentar. Para pak ditësh filmi "Divorc i stilit shqiptar" është shfaqur premierë në Sofje në kuadër të festivalit "Kinomania 2007". Regjisorja ka zgjedhur tre histori familjesh mes atyre që i kanë rrëfyer në Shqipëri. Do të takohej rastësisht me këto drama e më vonë do të kuptonte se familjet që kishin vuajtur divorcin e detyruar ishin të shumta. Personazhet e filmit të saj nuk janë vetëm ato që kanë vuajtur padrejtësinë. Peeva ka rindërtuar edhe një imazh të agjentëve sekretë që i gjurmonin në çdo hap këta njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se kishin studiuar e ishin martuar me gra të huaja. Në film regjisorja përfshin edhe histori të ngjashme që i ka xhiruar në Bullgari, Rusi dhe Poloni. Ideja e këtij dokumentari ka lindur katër vjet më parë kur Peeva xhironte në Korçë filmin "E kujt është kjo këngë?". Personazhet kryesore janë pikërisht nga ky qytet. Por ajo ka takuar të tillë edhe në Shkodër e Tiranë. "Kur isha në Korçë erdhi te unë një njeri, i cili më tregoi historikun e familjes së tij. Ai ishte martuar me një bullgare, e cila mori vajzën e vogël 2 vjeçe dhe u largua. Për gati 30 vjet nuk mundi t'i shohë më dhe ai i priste. Mendova se bëhej fjalë për një rast të veçantë, por ditën tjetër ishin edhe 5 burra të tjerë që kishin një fat të ngjashëm. Kështu lindi ideja e filmit", është shprehur Peeva në një intervistë për Radio Bullgaria. Para pak kohësh ajo ishte në Tiranë, e zhytur në kërkim në arkivin e filmit. Por tashmë e ka mbaruar dokumentarin e saj dhe ka marrë ftesa për t'u paraqitur në festivale të ndryshme. Filmi është vlerësuar me "The Golden Chest Grand Prix" në kategorinë e dokumentarëve.
Historitë

Ka zgjedhur të rrëfejë vetëm tri histori shqiptare. Ato që ka xhiruar janë më shumë. "Kjo është një histori për dashuritë dhe ndarjet, rreth familjeve të ndara forcërisht nga regjimi i Enver Hoxhës. Vetëm sepse gratë e tyre ishin të huaja. Ato që vendosën të qëndronin kaluan vite të tëra nëpër burgje. Viktimat në Shqipëri, Poloni dhe Rusi rikujtojnë martesat e tyre të shkatërruara. Një burrë bëri një vizitë në kampin ku kishte kaluar 18 vite të jetës së tij. Ishte i paaftë të harronte gjithë ato që kishin ndodhur në regjimin e Hoxhës...". Kështu e prezanton filmin e saj dokumentar regjisorja bullgare. Por ajo nuk merret vetëm me të shkuarën e personazheve të saj. "Në film rrëfehen përjetimet e personazheve gjatë atyre viteve, por edhe jeta e tyre sot, familja që kanë krijuar sërish. Vend zë edhe ana tjetër e këtyre historive. Prokurorët mbi çështjet e tyre, njerëzit e sigurimit sekret të Shqipërisë. Të gjitha ata dalin para kamerës", - shprehet regjisorja. Mes këtyre historive që ka njohur në Tiranë, Poloni apo Rusi ka pasur edhe nga ato fatlumet. Familje që pas viteve '90-të kanë arritur të takohen. E megjithatë, të gjithë personazhet e Adela Peevës i bashkon dëshira për të falur. "Ata nuk janë njerëz të djallëzuar dhe kjo është e pabesueshme pas asaj që kanë përjetuar. Me siguri që koha dhe vitet e kaluara në burg i kanë detyruar t'i shohin gjërat ne mënyrë më filozofike. Këta janë njerëz të cilët mund të falin ndryshe nga të tjerët, nga përfaqësuesit e sigurimit të shtetit dhe nga prokurorët. Ata bëjnë pjesë në sistemin represiv të një regjimi komunist, por sot nuk mund të shohin jetën përmes syve të personazheve të mi, të cilët dhjetëra vite prej jetës së tyre i kanë kaluar në burg", - thekson ajo. Sigurisht që këto histori të një kohe të shkuar kanë ngjallur interesin e publikut. Sidomos të atij që ka qenë larg këtyre sistemeve dhe as që mund t'i ketë imagjinuar. Dokumentari është incizuar në anglisht nga aktori anglez Ben Kros, fitues i çmimit "Oscar". Teksti i dokumentarit është lexuar anglisht nga Kros, ndërsa subtitrimi është bërë bë bullgarisht. Filmat e realizuara nga Adela Peeva kanë pasur gjithnjë në qendër tema të debatueshme. Disa nga filmat e saj ("In the name of sport", "Mothers") ishin të ndaluara nga regjimi komunist. Më vonë ata prekën një publik të gjerë dhe u vlerësuan me çmime. Ndërkohë regjisorja ka nisur një tjetër film me temë nga Ballkani.

Oliverta Lila : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama