Historia ne tranzicion elitash

Historia, në tranzicion elitash
Deri më sot historiografia na ka sjellë fakte të mjaftueshme për të besuar se disa dekada pas shpalljes së Pavarësisë nuk rezultuan edhe aq të mbara. Qeveri të përkohshme, kryengritje, grushte shteti… Sipas Egros të gjitha këto erdhën si pasojë e dyzimit të elitës shqiptare në momentin e Pavarësisë, e më tej. "Shumë burra shteti që vendosën fatin e Shqipërisë në vitin 1912 ishin produkt i politikës dhe shkollës së administrimit shtetëror osman. Megjithëse në '12-tën Shqipëria u shkëput nga pikëpamja politike, tradita, bashkëjetesa disashekullore nuk mori fund dhe kjo shprehet më shumë në mentalitet. U shkëputëm nga ana administrative, por mentaliteti, tradita, prejardhja familjare kishte një vazhdimësi, e cila është e dukshme deri në vitin 1944", - shpjegon Egro.

Ai merr në analizë disa figura të shquara politike të kohës, formimin e tyre arsimor, pozicionet në administratën osmane dhe përpjekjet për të veshur "petkun" perëndimor. Për të modeli më klasik është Mehdi Frashëri, i cili ishte produkt i shkollës së lartë të shkencave politike dhe administrimit shtetëror në Stamboll, ofiqar i lartë osman, mbërritur deri në postin e Guvernatorit të Jerusalemit, i cili shkroi në gjuhën osmane mbi ligjin osman dhe marrëdhëniet me Perëndimin. Ndërsa në vitet '20 paraqitet si një nga shtetarët dhe specialistët më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Për të vazhduar me kryeministrin e parë që doli nga Kongresi i Lushnjes, Sulejman Delvinën, i cili ishte sekretar në Ministrinë e Brendshme osmane. Turhan Pashë Përmeti, diplomat i lartë i perandorisë në San Petersburg dhe më pas ambasador në Romë. "Ishin po këta elementë që e kuptuan se fati duhej lidhur me Perëndimin, pasi ai ishte më i zhvilluar, por gjithsesi dyzimi i personalitetit të tyre vazhdonte të ishte evident. Ky dyzim për mendimin tim ka pasur kosto në administrimin e shtetit nga viti '12-'44". Egro bën një paralelizëm me Turqinë Republikane, ku u shfaqën të njëjtat fenomene, veçse tek ne kishte diçka më shumë, islamizimi i popullsisë, një nga pasojat më të mëdha të pushtimit osman.

Sipas osmanologut tonë ajo pjesë e elitës së islamizuar ishte e integruar para pavarësisë dhe shumë burra shteti ishin shtetarë të Perandorisë Osmane, që më vonë kur e kuptuan se nuk kishte më të ardhme bashkëjetese me osmanët, kërkuan shkëputjen. "Ishin këta që morën në dorë fatet. Ata vërtet në shumë raste u drejtuan drejt Perëndimit, por ishte në subkoshiencën e tyre, formimi, edukimi që kishin marrë. 5 shekuj vazhdimësi nuk mund të shkëputen menjëherë në një moment të caktuar. Kështu që 28 nëntori i vitit '12 është një datë konvencionale, fillesa e ngritjes së shtetit shqiptar, me problemet e tij, por ka një vazhdimësi në mentalitet". Një mënyrë e ndryshme qasjeje kjo e Egros në momentin historik, që duket se bazohet në atë që ai e quan tezë se "brezat ia shtrojnë pyetjet historisë në mënyrë krejt të ndryshme nga brezat e mëpërshëm". Dhe pikërisht në një moment kur "rishkrimi" i historisë është bërë një temë e ditës, e rëndësishme është të ngresh pyetje, sepse fakte të reja gjenden gjithmonë. "Burimet janë të rëndësishme, po kaq të rëndësishme janë edhe qasjet teorike metodologjike. Historia jonë vuan nga kjo. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për periudhën e pavarësisë",- thotë Egro. Pikërisht me teorinë e elitave, ai shpjegon ngjarjet e '44-ës, '90-ës, madje edhe viti '97 duhet parë me këtë këndvështrim.

Kujtimet

Zogu, sulltani i fundit

Për të mbështetur tezën e dyzimit të elitës politike shqiptare, historiani Dritan Egro kërkon edhe në kujtimet e ambasadorit turk në Shqipëri në vitet 1934-1935, Yakup Kadri Karaosmanoglu. Në kujtimet ambasadori rrëfen pa e fshehur kënaqësinë, turqishten e pastër të Stambollit që fliste mbreti Zog dhe faktin që mbreti shqiptar ishte një lexues i rregullt i shkrimeve të tij. Por nuk nguron ta ravijëzojë kreun e shtetit shqiptar si një sundimtar të tipit lindor, pasi erdhi në fuqi me rrugë të dhunshme dhe për të vendosur rendin dhe mbajtur kontrollin mbi shtetin e tij krijoi një sistem policor të tipit të sulltan Abdylhamitit. Sipas ambasadorit turk, mbreti shqiptar gjithsesi kishte meritën se vendosi rend, i dha fund anarkisë dhe i hapi rrugë krijimit të një qeverisjeje të tipit perëndimor; madje këtë e vendosi mbi baza ligjore dhe legjislative. "Edhe unë, e vendosa në sirtar revolverin që kisha sjellë me vete nga Turqia, pasi nuk ndihej nevoja për ta mbajtur atë", - kujtonte ambasadori.

Alma Mile : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama