Thuhet se artisti nuk tradhton, por bën mëkat. Për mendimin tim, mëkati në art, ka nuanca që sot nuk janë me vlerë. Pse? Sepse mëkati ka parasysh vetëm një të drejtë absolute hyjnore e cila shkelet. Mirëpo ndodhemi në një periudhë, apo moment, ku nuk kemi më të bëjmë vetëm me një të drejtë absolute hyjnore, por me shumë të drejta, me shumë grupe, shumë sisteme, që përfundimisht bëjnë pjesë në një sistem më të madh tashmë jo më hyjnor, por njerëzor, sistem i cili i shmanget çdo lloj përkufizimi. Në këtë aspekt, askush nuk mund të bëjë mëkat ndaj grupit në të cilin identifikohet, por vetëm mund ta tradhtojë atë. Tradhtia gjithmonë përfundon në dobi të këtij sistemi më të madh, përvetësohet nga ai, shfrytëzohet, dhe në varësi të efektit që kjo tradhti mbart, bëhet ose jo pjesë e kanonit të këtij sistemi.
Kështu psh, në eksperimentin mendor që paraqet "The Matrix", akti i Cypher nuk përbën mëkat, por tradhti. Dhe tradhtia e tij mban përbrënda edhe një lloj verbërie: "Ahh! Ignorance is bliss". Duhet pasur parasysh që ky është një eksperiment mendor. Sistemi sot nuk është pushteti i makinave, (deri diku), por pushteti i njerëzve. Çfarëdo qoftë akti njerëzor, nuk mund të shoqërohet përveçse me injorancë, dhe ky akt shkon gjithmonë në dobi të këtij sistemi. E vetmja mënyrë që ky sistem do mund të tradhtohej, do ishte një akt aq radikal, jashtë edhe asketicizmit që mund të nxjerrë në pah natyrën parballë teknologjisë, sa që do ishte një arritje e cila me të vërtetë do ia kalonte pushtetin absolut makinave. Vetëm atëherë, si në rastin e Cypher, do kishim të bënim me një tradhti absolute, mund ta quajmë edhe të vetmin mëkat, por që sidoqoftë, nuk mund ta bëjë artisti, por inxhinieri kompjuterik, gjenetik, bërthamor, etj. Përsa i përket artistit, as edhe një profil i Judës në parajsë, as edhe një përshkrim i tundimit të fundit të Krishtit, as edhe një pikturë portret i profetit Muhamed a.s., nuk përbën mëkat, por tradhti ndaj një kanoni apo tradite të caktuar.
Atëherë ç'mund të bëjë artisti përveçse të tradhtojë? Tradhtia në art është një artikulim i shkëlqyer i poetit mbi artin, diçka që artet pamore nuk janë në gjëndje ta bëjnë, thjesht për mangësi të mjetit. Kështu psh tradhtia në art dhe rrjedhimisht tradita në art, e gjen mishërimin më të fuqishëm të vetin atëherë kur poeti martohet me piktorin.
Një tradhti e periudhës së rilindjes psh, do ishte martesa e Polizianos me Botticelin, martesë nga e cila erdhi "Lindja e Venusit", një nga të vetmet vepra të kësaj periudhe që tradhton traditën e kompozimit me perspektivë apo deri diku edhe me chiaroscuro.
Një tjetër tradhti, shumë më e vonshme, e shekullit XX, i takon dadaistëve, poetëve dhe artistëve të asaj rryme që arritën t'i japin atë lloj zëri dhe atë lloj forme artit, që nuk e kishte pasur kurrë, aq sa principe të mirëqëna të estetikës deri atëherë, u zbërthyen dhe u shkatërruan krejt, duke arritur deri në ato forma që u quajtën anti-art. Momente të tilla kanë qenë historikisht produktive, ku të vjen ndër mëndje edhe jo-llulla e shumë lakuar e Magritte.
Koncepti kuratorial i "Onufrit '07" është shprehja e fundit e këtij lloj artikulimi mbi artin, dhe Ervin Hatibit, i cili do të jetë kuratori i radhës, i bie barra e rëndë që këtë pritshmëri produktiviteti ta gjejë dhe ta sjellë në format me origjinale që ekzistojnë sot. Kështu për shëmbull, nëse ne si publik, do prisnim një art të tipit "Kjo nuk është llullë", tradhtia do ishte sikur mos kishte art të tillë në këtë konkurs. Kjo do jetë shumë e vështirë për organizatorët, pasi tradhtia në art, edhe pse një koncept shumë i gjerë, është vështirë të ndodhë kur ngado që të rrotullohesh, sistemi është aq i madh, saqë mund ta tradhtosh vetëm me vetë sistemin, vështirësi që Hatibi duket se e ka përqafuar në momentin që kupton kufijtë e temave dhe pakufijshmerinë e koncepteve. Kjo është kontradikta e artit sot, dhe shpresoj që këtë do mund të sjellë në fokus edhe Hatibi.
Institucionalizimi i gjuhës mbi artin
Përveç rastesh të rralla, skepticizmi mbi mënyrën dhe formën e menaxhimit të arteve vizuale në Shqipëri, që nga GKA, Ministria e Kulturës, dhe deri-diku edhe nga Akademia, është i drejtë. Megjithatë kemi të bëjmë me një faktor që studiuesit dhe aplikuesit e arteve vizuale e injorojnë. Dhe ky faktor në këtë rast në fjalë, është poeti. Shqetësimi qëndron tek frika se Ervin Hatibi është pre dhe ushqim për makinacionet burokratike që mund të kenë mbërthyer artet pamore në Shqipëri. Mungesa e politikave të qarta të institucioneve të arteve pamore, dhe për më tej mungesa e fondeve të akorduara për artin, ka ushqyer ndjenjën e skepticizmit si tek artistët dhe tek publiku, duke bërë që këta të ndahen prej njëri-tjetrit. Konkluzioni që është nxjerrë e që vazhdon e përsëritet si një iso e dhimbshme është se nuk mund të bëhet art në Shqipëri. Jo vetëm aq, por cilido faktor i jashtëm që përpiqet të bëjë diçka, shihet si kokë turku për të ruajtur status quo-në e cilitdo që i përket pushteti për momentin. Qoftë ky faktor jashtë Shqipërisë, qoftë jashtë arteve pamore, mentaliteti e pranon vetëm po qe se shihet si një sakrificë pa përfitim.
Mirëpo, kjo nuk është kokë turku që Shima të kurojë përsëri Onufrin. Tradhtia në fjalë nuk ka të bëjë as me koka turku, dhe as me kokën e Ali Pashait. Tradhtia nuk vjen as erë nëndrejtori, as erë burokracirash. Më e bukura është se tradhtia në këtë rast nuk vjen as erë artesh pamore. Agjenti poet është shumë i fuqishëm për t'u neglizhuar, apo për të kaluar në plan të dytë në krahasim me fërkimet institucionale mes artistëve pamorë. Kuratori poet është një mundësi që të gjithë artistët duhet ta konsiderojnë siç i takon.
Tradhtia më e lezetshme këtu, një tradhti që artistët vizualë duhet ta kuptojnë se s'bën, qëndron në faktin se në këtë rast, institucioni nuk është më galeria, apo institucionet e zakonshme të artit në Shqipëri, por poeti, i cili mund të ofrojë një diskurs alternativ që asnjë institucion nuk mund ta ofrojë. Mua personalisht, do më vinte çudi sikur artistët pamorë të mos përpiqeshin të shfrytëzonin institucionin e poetit, por të vazhdonin t'i qëndronin besnik frikës dhe skepticizmit ndaj makinacioneve të gjeneruara prej institucioneve të mirëqëna deri sot.
Edhe sikur, (një "sikur" shumë e madhe) Shima apo institucioni që ai përfaqeson bën një xhiro falas, punë e madhe. Tradhtia është ndaj GKA-së, sidoqoftë. Dhe më e bukura është se kushdo artist mund të bëjë tradhti edhe ndaj Hatibit në këtë mes, duke shfrytëzuar institucionin dhe diskursin e poetit për të gjetur atë publik dhe atë reagim që institucioni i Galerisë Kombëtare deri me sot nuk ka mundur ta sjellë.
Dialektika subjektive e artit
Reagimi që ka ngjallur ky koncept kuratorial ka qënë i larmishëm. Një reagim që përmbledh edhe këndvështrimin më pasiv që mund të kesh ndaj artit, mund të shprehet përmes shqetësimit se Ervin Hatibi është formalisht i verbër në artet pamore. Ky shqetësim mund të mos jetë gabim në lidhje me vetë verbërinë, por me stigmatizimin që i bën verbërisë. Për të sjellë një tjetër analogji nga historia, avantgarda nuk ishte gjë tjetër veçse një grup njerëzish që hapnin rrugën duke eksperimentuar gati qorrazi, duke dalë nga kufijtë e dijes, për të testuar rrugë të reja drejt të ardhmes. Verbëria në art është e mirëpritur, "keqkuptimi" po ashtu, paragjykimi po ashtu, përndryshe nuk do të kishte art, por vetëm një akademi të mërzitshme hamletiane, dilemat e së cilës nuk do lejonin vend për veprim, për krijim. Kategorizimi formal i artit si objekt duhet t'i dorëzohet pragmatizmit moral të artit si subjekt. T'i dorëzohesh tradhtisë do të thotë t'i dorëzohesh besimit tek tjetri. Ky për mendimin tim është thelbi i këtij koncepti, dhe pak a shumë këto janë vështirësitë më të mëdha që do mund të hasë Hatibi.
Nuk mund të jesh përveçse krejt i njëanshëm dhe subjektiv në këtë mes. E megjithatë është mëse njerëzore që edhe atëhere kur një moment, një koncept, një fjalë, na bën të kuptojmë se të gjithë jemi të verbër, në vënd që të lidhim duart me njëri-tjetrin që të mos humbasim në verbërinë tonë personale, ne fillojmë e vëmë në dukje verbërinë e njëri-tjetrit. Edhe pse irracionale, kjo është normale, pasi është normale që gjërat nuk do shkojnë ashtu si mund të pritet idealisht. Por përpara se të fillojmë edhe njëherë debatin mbi burokracirat, makinacionet, dhe politikat e shëmtuara të institucioneve "të dështuara" deri më sot, duhet pyetur vetja: "Kur ma zgjatën dorën, a e rroka? Po vetë, a e zgjata dorën"?
Somario
Shqetësimi qëndron tek frika se Ervin Hatibi është pre dhe ushqim për makinacionet burokratike që mund të kenë mbërthyer artet pamore në Shqipëri.
Dorian Kulla : Gazeta Shekulli











