Burrat u rrasën në një qeli paraburgimi të vogël dhe të tejmbushur të qeverisë birmaniane. Pa nevojtore në qelinë e boshatisur, ata u detyruan të urinojnë në një qoshe. Por, kur më në fund rojat reaguan ndaj pellgut që zgjerohej dhe kutërbimit të padurueshëm, njerëzit u sprapsën përpara rreckave që u sollën brenda. Ishte e qartë se rroba ngjyrë gështenjë ish grisur prej veshjeve budiste dhe të burgosurit, pa folur fare, vendosën që më mirë do të jetonin në atë pisllëk, se sa të pastronin dyshemenë me rroba murgjish.
Burimi i këtij raporti në lidhje me kushtet e burgjeve në Birmani pas protestave është shumë sensitiv për t’u zbuluar. Por problemi këtu janë më pak kushtet e zymta të burgut se sa fatet e paditura tashmë të atyre që kishin veshur ato rroba. Thënë më troç, çfarë ndodhi me murgjit që morën pjesë në protestat e shtatorit, të cilat qeveria birmaniane i shtypi pa mëshirë? Murgjit budistë, prej shekujsh një prani e kudondodhur në Rangun, Mandalai dhe në qendra të tjera urbane janë në zmbrapsje, me shifrat e tyre publike të ulura në krahasim me kohën përpara protestave. Disa prej 400 000 murgjve në Birmani u vranë ose plagosën menjëherë gjatë aksionit të ushtrisë. Pjesa e mbetur po ndëshkohen se kanë qenë frymëzimi, liderët dhe fytyrat e përpjekjes më të fundit për të sjellë ndryshim në Birmaninë autoritariste. “Çfarë ka ndodhur me gjithë murgjit?”, pyet Shari Villarosa, charge d’affaires në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Rangun. “Është e tmerrshme ta mendosh. Ka patur një lloj shtypjeje ndaj murgjve. Diçka u ka ndodhur. Nuk është se ata janë larguar me dëshirë nga qyteti”.
Ajo që ka ndodhur është se junta ushtarake ka detyruar shumë murgj të largohen nga qytetet, vazhdon të burgosë ata që i sheh si udhëheqës në protesta, ka bindur kryemurgjit – disa prej të cilëve bashkëpunonin tashmë me regjimin – që të heqin qafe disidentët dhe ka vënë shumë murgj të tjerë në “arrest manastiri”. Ata nuk lejohen të largohen. Më tej, regjimi u ka hequr me forcë rrobën shumë murgjve, duke i bërë të mos jenë më klerikë. Disa murgj të tmerruar thjesht u arratisën, disa në fshatra, të tjerë në Tailandën fqinjë dhe në Kinë. “Disa murgj u larguan dhe të tjerë, të afërm të tyre, erdhën t’i marrin”, thotë një murg 26-vjeçar që u burgos për 19 ditë. “Manastiret në lagjen time duken të boshatisura. Në manastirin tim, ne kishim 100, tani kemi vetëm 31. E ndiej shumë heshtjen në manastire”.
Qeveria pranon se disa murgj mbahen të ndaluar, megjithëse pretendon se ka liruar të gjithë përveç 90 murgjve, nga 3000 që u arrestuan fillimisht. Gjoja fetare, madje edhe supersticioze, qeverisë i pëlqen të bëjë një show për të treguar mëshirën e vet. Në shumë faltore ndodhen fotografi të zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë që nderojnë një murg apo që vendosin kurora me lule gjatë ceremonive të ndryshme fetare. Por kur murgjit udhëhoqën protestat, që më pas tërhoqën qindra mijëra vetë, ata u shndërruan thjesht në disidentë politikë që duheshin shtypur. “Këta njerëz do të bënin çdo gjë, do të vrisnin çdokënd për të mbajtur pushtetin”, thotë një djalë i ri që punon si udhërrëfyes turistësh pavarësisht se ka një diplomë universitare. “ Në fillim, nuk isha aq i shqetësuar, - shton një murg që qëndroi i ndaluar disa ditë. - Arsyetimi im ishte se ata janë qenie njerëzore, ashtu si unë, kështu që përse duhet të kem frikë? Por me sa duket, ata nuk janë qenie njerëzore”.
Në Faltoren Shvedagon dhe Sule, vendet kryesore të protestave në Rangun, pak murgj shfaqen, pavarësisht rëndësisë që këto faltore kanë. Shvegadon është një kompleks i mrekullueshëm i disa faltoreve pranë një monumenti 2500-vjeçar i njohur si stupa si dhe i rrethuar nga një grup manastiresh ku jetojnë murgjit. Murgjit tashmë kanë ardhur dhe ikur, por tani ata lëvizin me shumë kujdes, në grupe dy apo tre vetësh. Në Amarapura, pranë Mandalai, qyteti i dytë i Birmanisë, numri i murgjve në manastirin legjendar Mahagandajon ka rënë. Një murg 27-vjeçar thotë se 1000 nga 1800 murgjit u larguan në shtëpitë e tyre në fshatra pas shtatorit...
Murgjit e pabindur jo gjithmonë ia hodhën paq. Kryemurgu i Manastirit Ngve Kiar Jan në provincën Okklapa në jug të Rangunit, u rrah keqas dhe shumë murgj atje thuhet se janë lënduar rëndë pas rrahjeve dhe më pas janë marrë dhe larguar me kamionë ushtarakë. Të dhëna të pakonfirmuara thonë se murgu kryesor vdiq për shkak të plagëve. I dërguari i OKB-së për të drejtat e njeriut, Paulo Sergio Pinheiro, i cili ndodhet tashmë në Birmani, pasi iu refuzua për katër vite me radhë hyrja, më në fund është pranuar të vizitojë dy komplekse manastiresh.
Vendimi i Gjeneralit Than Shve dhe pjesës tjetër të juntës për t’u sjellë ashpër me murgjit ka patur efektin e dëshiruar. Të tronditur, madje traumatizuar nga trajtimi i murgjve të nderuar në një vend ku 80 për qind e popullsisë janë budistë, njerëzit janë bërë më të bindur, të paktën për momentin. Nëse regjimi do të veprojë kaq ashpër me murgjit, arsyetojnë ata, çfarë shansesh kanë civilët? Ndërkohë, murgjit në Rangun thonë se po shihen nga afër prej regjimit paranojak dhe falangat e spiunëve. Por Villarosa mbetet optimiste: “Po, ata janë frikësuar, po janë më të tmerruar nga sa kanë qenë më parë. Por janë të zemëruar. Ende nuk ka mbaruar”.
Së fundi, regjimi mund ta paguajë për veprimet e tij duke radikalizuar një grup që njihet për butësinë dhe pacifizmin. I pyetur se çfarë mund të bëjnë të huajt për të ndihmuar, një murg i ri në moshë në Mandalai bën me dorë shenjën e një arme që po shkrepet. Kur i kujton se budizmi nuk e pranon dhunën ai thotë: “Epo, njerëzit nuk kanë asgjë. Ata i kërkojnë ndihmë qeverisë dhe nuk marrin asgjë. Çfarë mund të bëjmë tjetër?”
Me dorë të hekurt
Ajo që ka ndodhur është se junta ushtarake ka detyruar shumë murgj të largohen nga qytetet, vazhdon të burgosë ata që i sheh si udhëheqës në protesta, ka bindur kryemurgjit – disa prej të cilëve bashkëpunonin tashmë me regjimin – që të heqin qafe disidentët dhe ka vënë shumë murgj të tjerë në “arrest manastiri”. Ata nuk lejohen të largohen. Më tej, regjimi u ka hequr me forcë rrobën shumë murgjve, duke i bërë të mos jenë më klerikë. Disa murgj të tmerruar thjesht u arratisën, disa në fshatra, të tjerë në Tailandën fqinjë dhe në Kinë. “Disa murgj u larguan dhe të tjerë, të afërm të tyre, erdhën t’i marrin”, thotë një murg 26-vjeçar që u burgos për 19 ditë. “Manastiret në lagjen time duken të boshatisur. Në manastirin tim, ne kishim 100, tani kemi vetëm 31. E ndiej shumë heshtjen në manastire”.
Lennox Samuels : Gazeta Metropol











