Projekti "AdriaNet", i mbështetur nga Interreg 3, ka prekur Sarandën. Një grup specialistësh të përfshirë në këtë projekt nga Riicone e Italisë dhe Saranda, duke gjetur tek njeri-tjetri elemente të përbashkët, kanë shtrirë linjat e bashkëpunimit. Ekipi përgatitor riccionez, i kryesuar nga drejtori i kulturës dhe paqes në komunën e Riccione, Francesko Kavali, si dhe nga Pietro Cavalaro, iniciator i vendosjes së marrëdhënieve të binjakëzimit 15 vjet më parë mes dy qyteteve, aktualisht kryetar i shoqatës "Agimi", kanë vendosur piketat e një bashkëpunimi të ri. katër kanë qenë fushat priroritare të përcaktuara ku do të shtrihet bashkëpunimi në kuadër të projektit AdriaNet. Nga ana e tyre është vlerësuar iniciativa sociale për trajtimin e të moshuarve në qendrën ditore polivalente në Sarandë, ndërkohë që kanë programuar përsosjen e kësaj pune. Është përcaktuar dimensioni kulturor i bashkëpunimit pasi janë kontaktuar drejtues dhe njerëz të fushës së artit në qytetin jugor shqiptar, ndërkohë që pjesë e projektit kanë qenë edhe binjakëzimi mes shkollave të hoteleri-turizmit të Ricciones dhe Sarandës, me synimin për të vendosur bashkëpunim më të ngushtë mes shkollës "Antoni Athanas" në Sarandë dhe homologes që funksionon në Riccione.
Francesko Kavali tha se qëllimi i ardhjes në Sarandë ka qenë krijimi i tërë sensibiliteteve për t‘i dhënë projektit dimensionin kulturor dhe bashkëpunues mes institucioneve të kulturës dhe atyre të mediave audiovizive, njohjen dhe zhvillimin e ndërsjelltë të dy realiteteve turistike. Aktivitetet në kuadër të projektit AdriaNet do të njohin një kulm me atë që është quajtur "Riccione-Saranda Festival", festival që do të shtrihet në javën e parë të muajit mars. Gjatë ditëve të qëndrimit në Sarandë, nga pjesëtarët e ekipit përgatitor të ardhur nga Riccione janë identifikuar institucionet dhe individët partnerë, janë njohur mundësitë organizuese dhe është përcaktuar mbështetja me teknikë bashkokohore, ndërkohë që ka nisur hartimi i kalendarit të aktiviteteve konkrete.
Marre nga : Gazeta Shqip