"Dritëshkronja" e Robert Elsiet, albumi me 248 fotografi të rralla (1863-1917) nga Shqipëria dhe Ballkani Jugperëndimor. Autorët? Alba nga Sekel, Nopça, Lambertz dhe misioni holandez në Shqipëri
Vende që nuk janë më. Figura dhe momente historike, portrete, kostume popullore... Një kohë nga e cila dëshmi si këto janë pak. Fotografi të rralla, madje koleksione të plota të udhëtarëve të huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri, publikohen për herë të parë. Dëshmi fotografike nga mesi i shek. XIX dhe fillimi i shekullit të kaluar. Janë krejt të panjohura, i sjell për herë të parë në një botim luksoz, një libër-katalog i titulluar "Dritëshkronja", puna e lodhshme e albanologut dhe përkthyesit Robert Elsie. "Dritëshkronja, kjo fjalë e bukur shqipe u përdor për herë të parë në shek. XIX. Me kalimin e kohës u zëvendësua me fjalën ndërkombëtare fotografia. Këtu po e ringjallim një herë për të krijuar një lidhje midis fotografisë së hershme dhe Shqipërisë së shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX", - thotë në parathënie Robert Elsie. Fotografitë e albumit janë realizuar nga personalitete që vizituan Shqipërinë në hapësirën mes dy shekujve të shkuar. Janë 248 imazhe të rralla gjatë viteve 1863-1917 realizuar në Shqipëri dhe në Ballkanin Jugperëndimor nga fotografi Jozef Sekeli, i cili në atë kohë shoqëronte në ekspeditë albanologun Johann Georg von Hahn. Po ashtu përmban fotografi të albanologëve Franc Nopça dhe Maximilian Lambertz. Grupimin e katërt e përbëjnë foto të rralla të koleksionit të misionit holandez në Shqipëri gjatë viteve 1913-1914. Nga koleksioni i baron Nopçës, ai i Bajazid Elmaz Dodës, por edhe i Maksimilian Lambertzit janë shkëputur ato imazhe që dëshmojnë mbresat udhëtimesh në viset shqiptare.
Lambertz udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave në maj-qershor 1916, për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike. Kaloi në Grudë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, në luginën e Kirit, Shosh, Shalë, në luginat e Drinit dhe të Valbonës, dhe në veçanti në Mirditë. Baron Franc Nopça udhëtoi me sekretarin e tij Bajazid Elmaz Doda në vitet 1907-1910. Erdhën bashkë në vitin 1913 dhe udhëtuan nga Shkodra për në Mirditë dhe Kalis, pastaj në Prizren, në Shkup, kaluan nëpër Rekën e Epërme, vendlindja e Bajazit Dodës. Kthehen sërish në Shkodër, për të studiuar rajonin e fiseve të Hotit dhe Grudës. Sekretarin e tij, Nopça e mori me vete edhe në luftën e viteve 1915-1916, kur shërbente me trupat austro-hungareze në Kosovë. Në prezantimin e djeshëm në ditët e panairit të librit, botuesi Skënder Blakaj, tha se përmes këtyre imazheve këta pasionantë kanë sjellë dëshmi dhe fakte që janë shumë të rëndësishme për ata që do ta shkruajnë historinë në kohën kur po flitet edhe për rishkrimin e saj. "Janë plot ngjarje, vende, monumente rëndësishme të cilat janë vetëm në këto fotografi dhe nuk ekzistojnë më".
Për historianin Kasëm Biçoku, këto fotografi "janë prurje me rëndësi për studimin e historisë sonë. Krahas dokumentit të shkruar, edhe pamja vizive bën plotësime të tilla, që dokumenti i shkruar nganjëherë nuk na i jep".
Selim Pacolli, drejtor i kompanisë "ATV Media", që ka mbështetur financiarisht botimin e albumit nga shtëpia botuese "Arbi ltd", theksoi se "pjesa më madhe e kësaj lënde u zbulua në muajt e fundit të këtij viti me insistimin tonë që të gjurmojmë në çdo vend, çdo kund, kudo që të ketë vepra tonat kombëtare që t'i kthejmë aty ku e kanë vendin".











