Koncerti “Flauti Magjik” ne skenen e TOB

Koncerti “Flauti Magjik”, në skenën e TOB

Publiku do të ketë mundësi që në koncertin që do të zhvillohet sonte në skenën e TOB të ndjekë veprat më të mira të autorëve me famë botërore si Moxart, Bethoven dhe Çajkovski. Uvertura e operës “Flauti Magjik” përbën një nga veprat më brilante të repertorit muzikor të të gjithë orkestrave simfonike të botës.Vepra është shkruar në dy muajt e fundit të jetës së autorit të vitit 1791. Që në shfaqjet e para drejtuar muzikalisht nga vetë autori, gëzoi një popullaritet të jashtëzakonshëm sidomos për natyrën e të kënduarit në llojin “Singspiel” që përmbante dy mënyra të kënduari dhe të foluri të ndërthurur artistikisht në të njëjtën kohë. Për herë të parë kjo vepër është ekzekutuar në Shqipëri nga formacionet muzikore frymore ose “Bandat frymore” në fillimet shekullit të kaluar dhe sot ajo përbën pjesë të repertorit të zgjedhur të orkestrës së RTSH. Ndërkohë që pjesa tjetër që do të interpretohet sonte në skenën e muzikës operistike shqiptare është nga Çajkovski, variacione në temën Rokoko, e cila është vepra më e madhe e shkruar nga ai midis viteve 1876- 1877 për violonçel dhe orkestër. Ajo prezantohet para publikut në një stil të inspiruar nga Moxarti që dëshmon se kompozitori admironte stilin klasik.

Premiera e këtij koncerti u dha në 30 dhjetor të vitit 1877 në Moskë nën drejtimin e Nikolai Rubinshtein. Kjo vepër përbën një nga favoritet të shumë solistëve shqiptarë. Vepra e Bethovenit sjell elementin heroik, e cila u shkrua nga autori midis viteve 1800-1802 dhe u ekzekutua për herë të parë në Vjenë një vit më vonë. Nuk duhet që të neglizhohet fakti se ajo u prezantua gjatë periudhës së shurdhimit të autorit. Vepra është prezantuar e suksesshme në disa skena të botës. Por sonte në skenën e TOB do të ngjitet edhe dirigjenti i famshëm italian Fauste Di Cesare. Ai ka realizuar koncerte të ndryshme me orkestra dhe master klass në shumë vende të botës. Si solist ka kryer koncerte të ndryshme me orkestrat italiane. Është anëtar i “Akademisë Kulturore të Evropës” dhe bën pjesë gjithashtu në drejtimin artistik të Akademisë Internacionale muzikore në Romë. Por në koncertin e sotëm nuk do të mungojnë edhe tingujt e violonçelistit shqiptar Aristidhi Prosi. Aktiviteti i tij artistik do të ngelet muzika e dhomës. Ai është pjesë e kuartetit “Tirana” i cili ka një numër shumë të madh koncertesh jashtë vendit.

Ky kuartet është fitues i çmimit special në Konkursin Ndërkombëtar të Kuarteteve Harkore në Evani të Francës. Vetë artisti ka kryer një sërë kursesh specializimi jashtë shtetit. Kohët e fundi ka një aktivitet të dendur koncertor me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Është shpallur “Instrumentisti më i mirë i vitit” për sezonin 2006. Ndërkohë që orkestra ka organizuar disa aktivitete për sa i përket sezoni koncertor 2007- 2008. Kështu vetëm pak para disa kohësh ajo organizoi një koncert kushtuar divës së muzikës operistike Maria Callas, koncertin kushtuar shenjtores shqiptare Nënë Tereza si dhe shumë koncerte të tjera. Por ai më i rëndësishmi që u theksua edhe nga vetë drejtori artistik Edmond Zhulali ishte koncerti i zhvilluar në Maqedoni ku atje orkestra pati një pritje të veçantë dhe shumë mbresëlënëse nga shqiptarët. Ndërkohë që në koncertin që do të zhvillohet sonte në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit do të jenë interpretuesit më të mirë të formacionit të Orkestrës së RTSH.

Marre nga : Gazeta Sot


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama