"Oh! Po at-herë kur n'shkollë zbutun shqiptari/ n'mni të ketë marrin ai gjakun dhe dhunen/ e me dije të ketë kapun aj punën/ Shqypnis fati do t'i çilet tamam", shkruan At Gjergj Fishta tek "Anzat e Parnasit", i bindur se vetëm dituria, shkolla, do të mund ta zbusin shpirtin gjaknxehtë të shqiptarit. Poeti, satirik i hollë, përkthyes dhe patriot i shquar, Fishta shfaqet në një tjetër dimension në vëllimin "Filozofia arsimore e Akademikut Gjergj Fishta" prof as.dr. Mark Vujit (Mësuesi i Popullit), botuar me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Fishta është pedagogu dhe akademiku, që lufton për të përhapur dijen, për të hapur shkolla, duke e konsideruar atë si shpëtim për shqiptarët. "Ai në këtë luftë udhëhiqet nga ideja se pa gjuhë nuk ka shkollë dhe se pa shkollë nuk mund të ketë zhvillim ekonomiko-shoqëror modern e si rrjedhim as njësim të gjuhës letrare", - thotë Mark Vuji.
Në librin (390 faqe) autori ofron lëndë të pasur të qëmtuar nga një bibliotekë e gjerë. Citon emra, gjithashtu të mëdhenj të letërsisë dhe të mësimdhënies, të cilët shprehen për Fishën, jo vetëm si letrar e gjuhëtar, por edhe si intelektual dhe pedagog,këmbëngulës për mësimin e detyrueshëm të shqipes në shkollat fillore. Në mënyrë kronologjike na ndërton veprimtarinë mësimore të Fishtës, e cila asnjëherë nuk pati vetëm karakter fetar, por gjithëpërfshirës. "Aty nga viti 1914 me gishtrinjt e dorës numëroheshin shkollat fillore që kishin për gjuhë zyrtare shqipen. N'artikujt "Gjuha e mësimit", "Gjuha shqipe" e në të tjera, poeti me këmbëngulje lyp që gjuha shqipe të jetë e detyruar në të gjitha shkollat fillore të Shqipnisë dhe nxit shqiptarët, që të mos tregohen të fjetur e të përgjumur, kur është puna e gjuhës, sepse prej saj rrjedh jeta dhe vdekja e kombit", - kujton Sterjo Spasse në "Botim përkujtimuer".
Por siç thotë Vuji, lufta për dije tek Fishta nuk kufizohet vetëm tek të nxënët e shkrimit dhe të leximit, por të ngritjes së gjuhës në nivele shkencore dhe të përfitimit prej saj të arritjeve më të fundit në shkencë, teknologji, etj. Kjo ishte edhe arsyeja pse ai u bë një nga nismëtarët dhe mbrojtësit më të mëdhenj të gjuhës së njësuar. "Në këtë kongres (të Manastirit 1908) ishte mbledh mezja e shqiptarëve e nder 53 vota, poeti u zgjodh me 49 si kryetar i komisionit për studimin e çështjes", - kujton At Benedikt Dema. Puna e Fishtës në fushën e arsimit u shtri në rrafshin teorik dhe praktik. Ngriti një rrjet arsimor që përfshiu arsimin fillor dhe atë të mesëm. Para gjysmës së dytë të shek. XIX pati përpjekje për të ngritur shkolla pranë qendrave të rëndësishme fetare. Një e tillë u hap nga arqipeshkvia e Shkodrës që u administrua nga françeskanët qysh në vitin 1861.
Fishta u vu në drejtimin e saj në vitin 1902, ku filloi menjëherë punën për ta reformuar. Përshtati për të gjitha klasat programin e shkollave austriake dhe caktoi si gjuhë mësimi në të gjitha lëndët, gjuhën shqipe. Ngriti bibliotekë, muze dhe bleu edhe një shtypshkronjë për shtypjen e librave shkollorë. Si një qendër fetare, rëndësi e veçantë iu dha formimit fetar, për të cilin u ngritën kolegje në Troshan e Bajzë, zhvillime këto që ecnin paralelisht me arsimimin në gjuhën shqipe. Në 10 tetor 1921 u hap gjimnazi i parë në gjuhën shqipe "Illyricum", në Shkodër, i cili u mbyll në vitin 1933, si rezultat i reformës shtetërore, që ndalonte funksionimin e shkollave private. Çështje të cilën Fishta e ndoqi deri në gjykatën e Hagës, e cila e shpalli të arsyeshëm rifillimin e aktiviteteve të këtyre institucioneve. Ishte një shans i dytë të cilin Fishta e shfrytëzoi për tu kujdesur për veprimtaritë artistiko-shkencore. U ngrit grupi i korit, i teatrit, banda, etj.
Në rrethet artistike të këtij gjimnazi hodhën hapat e para kompozitorët tanë Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Tish Daija, Abdullah Grimci, etj. Ndërkohë iu kushtua edhe aktivitetit albanologjik që nisi me përpjekjet për ta kthyer shoqërinë "Bashkimi" në qendër studimore albanologjike, dhe vijoi me hapjen e revistës shkencore "Hylli i dritës", rreth së cilës angazhoi emra të shquar si Eqrem Çabej, Norbert Jokli, Faik Konica, Osman Myderrizi, etj. Në 1916 ngriti në Shkodër "Komisinë Letrare", bashkë me Luigj Gurakuqin ku tërhoqën forcat më të mira shkencore albanologjike. Për Mark Vujin, trashëgimija më e madhe që ka lënë Fishta në fushën e studimeve pedagogjike, është Reforma Arsimore, që e përgatiti për ta mbajtur në parlament me rastin e diskutimit të buxhetit të shtetit në vitin 1921-1922, e botuar në "Hyllin e dritës" në 1924.
Në të ai parashikon fuqizimn e sistemit arsimor, deri në fshatrat më të thella, zhvillimin e arsimit privat të kontrolluar nga shteti, ndarjen e arsimit nga politika dhe krijimin e strategjisë për arsimin. "Unë ma tepër Ministrinë e Arsimit e padis se shkollat nuk i çilë mbas një kriteri të arsyeshëm, të caktuem, të parashkoqitun mbas interesave të përbashkëta të atdheut, por pas hamendjes së ministrit, apo të këshilltarëve të tij, thue se në këtë veprim ishin tuj përdorue gjanë e pasuninë e vet e jo të komit", - thoshte Fishta. Këto pika i shtronte krah nevojash të tjera, si përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe vendosja e qetësisë. Kanë kaluar shumë vite që nga koha kur Fishta hartoi këtë dokument i cili duket aktual edhe në ditët e sotshme. Ku më shumë e ku më pak, problemet janë po ato.
"Akademik për me m'internue."
Nuk është komentuar pak titulli "akademik" që italianët i dhanë Fishtës. Disa e konsiderojnë si vlerë që i shtohet figurës komplekse të Fishtës, por pati nga ata që e panë si një "pakt" me fashizmin. Vetë Fishta nuk shprehte ndonjë entuziazëm kundrejt faktit. Madje në disa raste ai e shfrytëzoi në të mirë të shqipes. Njihen dy letra që ai i ka dërguar Mussolinit dhe një Françesko Jakomonit. Njëra për botimin e veprës së tij në Itali, një për mbrojtjen e Norbert Joklit nga persekutimi nazist dhe tjetra për mbështetjen e studimeve albanologjike. Ja si shprehet Fishta në lidhje me titullin: "Ndigjoni o vllazen e bij të mi. Unë nuk kam ndërrue, por jam ai pater Gjergji që ka qenë gjithmonë. Kaq gja e kanë kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue.
Ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë një aksiomë të vjetër të politikës së tyne: "Promoveatun ut removeatun". Njashtu siç po internojnë edhe shumë shqiptarë të tjerë, njashtu po duen me ba edhe me mue. Në bazë të statutit, çdo akademik i ri e ka për detyrë me u sjellë për 6 muej tue mbajtë konferenca nëpër institute të nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duen punën e vet me e ba e njikohsisht me i hedhun pluhun syve botës popullit shqiptar, ashtu edhe mue. Unë sot jam i plakun. Smundja e zemrës më asht randue kta muejt e fundit. Ato mësimet që ju kam dhanë dikur kisha me dashtë që ju sot t'i shtini në veprim, ndërsa unë nuk jam i zoti me përballue as burgun, as internimin, as arratinë. Por unë po ju premtoj se kurrë nuk do ta përkul rodin e shqiptarit.
Me të vërtetë sot na kanë pushtue, si Roma dikur Ilirinë, por unë ndër konferencat e mija do t'ua përsris italianëve pa ia da se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, po legjionet ilire dhe perandorët e mëdhenj ilirianë ishin ata që kishin në dorë fatin e Romës. Ju bëj edhe nji premtim tjetër se për nji që ato konferenca do t'i kryej për gjashtë muej, siç e don rregullorja, unë menjëherë do të kërkoj me ardhë në Shqipni". (Kujton në "Hyllin e Dritës" 1993, ish-nxënësi i tij At Zef Pllumbi nga një takim me një grup mësuesish e nxënësish të liceut "Illyricum")
Alma Mile : Gazeta Shekulli











