Janë ngjitur në skenë tri sopranot e njohura shqiptare Marjana Leka, Eriona Gjyseli dhe Emiliana Palushaj, të tria fituese të çmimeve të para të edicioneve të kaluara të festivalit. Surprizë e kësaj nate kanë qenë edhe çmimet speciale dedikuar artistëve në karrierë të muzikës operistike shqiptare. Me duartrokitje dhe emocione të forta është përcjellë çmimi “Tenori i Karrierës”, i cili iu akordua Gaqo Çakos; çmimi “Soprano e Karrierës” që shkoi për Nina Mulën; çmimi “Baritoni i Karrierës” akorduar Avni Mulës dhe “Dirigjenti i Karrierës”, me të cilin u nderua dirigjenti i madh i skenës shqiptare, Rifat Teqja. Pjesë e spektaklit ka qenë edhe interpretimi i Armaldo Kollgjerit, i cili në kujtim të tenorit Luçiano Pavaroti ka interpretuar “Nessun Dorma”.
Një atmosferë të veçantë ku ndërthureshin modernia dhe klasikja bashkë ka krijuar ftesa në skenë e katër këngëtarëve të dalë nga “Akademia e Yjeve”: Valon Shehu, Ajkuna Anxhaku, Erga Halilaj, Megi Laska dhe Entela. Nën petkun e stilistes Jona Muça nga Atelie Stil Moda, ata kanë sjellë emocionet të veçanta nëpërmjet interpretimit të bukur të “Let it rain”, për t’u pasuar nga violina virtuoze e Joana Kaimit. Ndërsa kulmi i mbrëmjes është shënuar kur në skenë është ngjitur kryetari i jurisë së këtij viti, presidenti i “Operës Europa”, Nikolas Payn, i cili ka prezantuar tre fituesit e këtij viti. Çmimi i madh “Marie Kraja”, i cili është dorëzuar nga Presidenti i festivalit, ministri i Kulturës Ylli Pango, këtë vit ka shkuar në Korenë e Jugut. Bariton Jang Il Dang është shpallur fitues i këtij viti. Çmimi i dytë i është dhënë belgut Mickael Fischi dhe çmimi i tretë serbes Iva Mrvosh. Në këtë mënyrë, themeluesja e festivalit të vetëm në llojin e tij në Shqipëri “Marie Kraja”, producentja Zana Çela, e ka çuar deri në fund sfidën e radhës. Për tri net janë ngjitur në skenë 22 konkurrentë të ardhur nga të pesë kontinentet, të cilët garuan për çmimin e madh që mban emrin e artistes që themeloi operën shqiptare, Marie Kraja. Tradita e festivalit të saj, i ngritur si institucioni më i rëndësishëm i muzikës operistike shqiptare ka arritur deri në Korenë e largët. Ndërsa anëtarësimi i festivalit shqiptar në “Operën Europa” e ka kthyer tashmë atë në një aktivitet të rëndësishëm evropian, ku prezantimi i Shqipërisë në botë nuk i përket më vetëm politikës por edhe artit.
Marre nga : Gazeta Metropol











