Ilir Kerni Dhurata e fundit per skenen shqiptare

Ilir Kerni:
Në këtë bisedë "të rezervuar", përjetimi bëhet edhe më i fortë përballë një prej baleteve më të famshëm romantikë, që si "palcë" të vetën duhet të ketë patjetër dashurinë. Dashuri, të cilën Kerni duket se nuk ngurron ta falë me gjithë shpirt, sikurse ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij 30-vjeçare. Për më tepër këtë radhë është kthyer në Tiranë me një "dhuratë lamtumire". Ndaj dhe arsyet për të "shijuar" Kernin shumëfishohen në këtë interpretim të fundit të tij në skenën shqiptare… Më pas fjalën e ka "dashuria dhe vdekja", porse jo në Shqipëri.

Ngjiteni në skenën shqiptare për herë të fundit. Ç'mund të thoni për interpretimin tuaj tek "La Sylphide" dhe si ndiheni?

Janë tridhjetë vjet karrierë dhe mendova që fundin e karrierës ta mbyll në teatrin, ku në një farë mënyre jam lindur dhe rritur si artist. Kështu që zgjodha këtë përvjetor për të mbyllur karrierën time si kërcimtar.

"La Sylphide" është një balet romantik dhe në një farë mënyre është baleti me të cilin do të kishte kuptim një largim i imi nga skena. Kështu që në këtë drejtim mbetet lidhja më adekuate për këtë problem.

E keni interpretuar më parë këtë rol? Nëse po, çfarë vjen ndryshe këtë herë?

E kam interpretuar dhe në Japoni, edhe në vende të tjera. Ndryshimi është që jam me trupën time dhe jam përballë publikut shqiptar.

Po për sa i përket partneres që interpreton krah jush, ç'mund të thoni? E ndieni në një farë mënyre mungesën e "primabalerinës"?

Nuk ka mungesë primabalerine. Ka "Sylphide", e cila është absolutisht një stil shumë i veçantë dhe është tepër silfide dhe nga natyra, kështu që kjo që thoni ju nuk qëndron.

Gjatë gjithë karrierës suaj 30-vjeçare mund të veçoni ndonjë rol që për ju ka ardhur "më i plotë"?

Në përgjithësi është vështirë të veçosh, se në të gjitha gjërat jepesh në maksimum. Ka periudha të ndryshme të jetës, ku në një periudhë fillon e pëlqen një drejtim të caktuar të karaktereve. Vjen në një periudhë tjetër kur kjo fillon e ndryshon, se je me më shumë eksperiencë dhe kërkesat për dimensione të reja në skenë rriten. Kështu që nuk kam të përcaktuar ndonjë rol konkret se cili është më i miri.

Duke qenë një artist që keni shëtitur skenat botërore, si e shihni dhe si e vlerësoni baletin dhe artin në Shqipëri?

Ne kemi balerinë shumë të talentuar dhe gjithmonë prodhojmë balerinë të talentuar.

Po për sa iu përket vështirësive? Mendoni se situata në përgjithësi është ajo e duhura?

Si është situata në shtyp…?



Si?

…Jo dhe aq mirë…

Pas "La Sylphide", ju do të lini sërish Shqipërinë. Mund të na rrëfeni për impenjimet që ju presin?

Do t'i kthehem punës së zakonshme në teatrin tim. Kam ndonjë plan dhe jashtë teatrit, jashtë Kroacisë, por këtë ia lemë kohës. Do të vazhdoj jetën time si baletmaestër dhe natyrisht dhe kërcimin nuk është se do ta përfundoj. Kam përfunduar në Tiranë me kësmet...

Konkretisht çfarë do të interpretoni më së afërmi?

Pjesë baleti nga "Këngët e dashurisë dhe vdekjes".

Bisedoi: Blerina Goce

"I humburi" i Kongolit

botohet në anglisht

Këto ditë, në Britaninë e Madhe u vu në qarkullim romani "I humburi" i

Fatos Kongolit, botuar në gjuhën angleze nga shtëpia botuese "Seren" në

Uells, i përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck. Me këtë rast autori u ftua të merrte pjesë në promovimin e romanit. Botimi i tij u mundësua falë çmimit që iu dha atij nga "Pen Club Britanik" për vitin 2007. U organizuan një varg takimesh në Universitetin e Bangorit (Wales), në Oksford dhe në librarinë "Foyles" në Londër, më e madhja dhe më e rëndësishmja e kryeqytetit britanik. Në të gjitha promovimet personalitete të jetës kulturore dhe universitare vlerësuan lart romanin e Kongolit, "si një vepër befasuese që do të ngjallë interes dhe

do të mirëpritet nga lexuesit anglishtfolës".

Ilir Kerni

Ilir Kerni është lindur në Tiranë më 18 maj 1959. Në 1977 mbaron Akademinë e Baletit. Si primablerin u angazhua menjëherë në TOB në Tiranë, ku për aktivitet të shquar artistik vlerësohet me një sërë titujsh, si Artist i merituar, Çmimi i Republikës, dekorohet me Urdhrin “Naim Frashëri i klasit të II–të” etj. Në të njëjtën kohë është angazhuar edhe si pedagog në Akademinë e Baletit - Tiranë. Po ashtu, si pedagog ka qenë i angazhuar dhe në Tokio, Francë, Kroaci. Në vitin 1990 fiton bursën e UNESCO–s për pedagogji e kërcim, në "Grand Opera" në Paris. Pasi përfundon këtë të fundit, angazhohet në "Opera de Strasburg". Nga 1994 e deri sot, është i angazhuar si primabalerin në Teatrin Nacional Zagreb, ku edhe këtu, për punë kualitative është dekoruar disa herë, si: dy herë me çmimin "Oskar Ormosh", si dhe në vitin 2002 i jepet "Çmimi më i lartë në Kroaci" për rolin e Mefistofelit në baletin "Faust", si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera. Më 2005 i është besuar edhe detyra e baletmaestrit të trupës, ku është i angazhuar. Mund të përmenden dhjetëra role të spikatura të tij.

Rolet si princ: Liqeni i mjellmave, Giselle, Arrëthyesi, Bukuroshja e fjetur, Copelja, Les Silfides, Don Kishoti, Romeo dhe Zhulieta, Apolon Mussaget , Karmen, Katër stinët e vitit, La Silfide, etj.

Shfaqje dhe duete moderne: Faust, Carmina Burana, Baladat që sjell era…, Tranchilisimo, Febrille, Tramvaji quajtur pasion, Këngët e dashurisë dhe vdekjes, e shumë të tjerë.

Vendet ku ka qenë i ftuar: Itali, Francë, Belgjikë, Austri, Holandë, Spanjë, Finlandë, Portugali, Suedi, Norvegji, Zvicër, Angli, Greqi, Turqi, Bosnje, Kinë, Japoni, Makau, Hong Kong, Meksikë, Afrikë e Jugut, Maqedoni, Hungari, Gjermani, etj.

Marre nga : Gazeta Metropol

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama