Ne Fier prezantohet Fokus 2007

Në Fier prezantohet

Ekspozita e fotografisë, që si fillim ka qëllim të saj një konkurrim të artit pamor, po mbledh përditë e më shumë artdashës dhe të pasionuar pas aparatit fotografik e artit të veçantë që përmban ai. Me një tematikë të ndryshme, por me emërues të përbashkët realitetin e viteve që po hedhim pas krahëve e atyre që po presim, janë prezantuar fotografitë e kësaj ekspozite konkurs, të çelur në Fier që nga e premtja e javës së shkuar. Janë afro 100 punime të paraqitura në këtë ekspozitë nga 42 konkurrentë. Këta të fundit kanë ardhur nga disa qytete shqiptare dhe nga jashtë kufijve si Kosova, Maqedonia e Kalabria. Organizatorët e këtij aktiviteti të ri, që po përpiqen ta kthejnë në një aktivitet të përvitshëm, janë shprehur se: "Qëllimi më madhor është ngritja e fotografisë artistike në vendin që i takon, në zhanrin dhe fushën e artit pamor, si dhe krijimi i urave të bashkëpunimit për të gjithë fotografët profesionistë e amatorë në aktivitetet që i kushtohen fotografisë dhe sidomos asaj artistike". Është cilësuar për artdashësit fierak ky aktivitet 2-vjeçar si një organizim i rrallë kulturor dhe tepër i veçantë për nga forma e tij, pasi Fieri është i njohur për arte të fushave të ndryshme, por për fotografinë ka treguar një indiferentizëm.

Arben Alliaj, një fotograf amator, i cili organizon këtë aktivitet, është shprehur mjaft entuziast për pjesëmarrjen e këtij viti në këtë ekspozitë fotografish, që përmbledh në vetvete konkursin "Fokus 2007". Ka qenë e larmishme dhe ka pasur përfshirje nga të gjitha trevat shqipfolëse. "Risia e këtij aktiviteti, ka theksuar Alliaj, ka qenë pjesëmarrja e të gjitha shkollave fotografike që janë në të gjitha vendet, ku jetojnë shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, si Kosova, Maqedonia etj. Ka pasur pjesëmarrje nga konkurrentë, të cilët sot janë studentë nëpër shkollat e Evropës e botës vetëm për artin e fotografisë". Kryetari i Bashkisë së Fierit, i cili ashtu si dhe vitin e kaluar, edhe këtë vit e mbështeti këtë aktivitet artistik, ka përgëzuar këtë nismë dhe ka premtuar mbështetje totale të aktiviteteve të tilla madhore në fushën e artit, mbështetje që nuk do të kursehet nga pushteti vendor. "‘Fokus 2007‘ është një aktivitet i rrallë, shumë i bukur, që kërkon talent e pasion dhe nuk mund të mendohet për një konkurs të thjeshtë. Personalisht ndihem shumë mirë që ka një pjesëmarrje të të gjitha fushave dhe ndihem i respektuar që kontribuoj sadopak në aktivitete të tilla me përmasa të mëdha", ka thënë kreu i bashkisë, Baftjar Zeqaj.

Juria e specializuar dhe mjaft objektive e "Fokus 2007" shpalli tre çmime, të cilat shkuan në Kosovë, Vlorë e Berat. Vlonjati Xhimi Shehu ishte fotografi që me dy punimet e tij fitoi çmimin e parë, për të lënë në çmim të dytë Shkëlqim Rexhan që vinte nga Kosova dhe piktorin e njohur Agron Polovina, i cili vinte nga Berati. Fituesi i çmimit të parë, Xhimi Shehu, u vlerësua me fotografinë e titulluar nga vetë ai "Pritja". Ai është shprehur se "kam dashur të pasqyroj me objektivin tim një copëz nga jeta e përditshme. Nuk doja që fotografia ime të ishte jashtë realitetit objektiv, mes gjërave që nuk shprehin asgjë dhe vërtiten mes montazhit e abstraksionit". Por jo vetëm të kënaqur për nga vlerësimi, por edhe për nga mikpritja artistike fierake janë shprehur edhe fituesit e dy çmimeve të tjera. Piktori i njohur nga Berati, Agron Polovina, që kishte sjellë fotografinë artistike me titull "Portret", është shprehur se fotografia artistike është një pasion i kahershëm i tij dhe se nëpërmjet objektivit të aparatit, ai skicon pjesëza nga realiteti që na rrethon. Ky aktivitet ka qenë në mendjen e organizatorëve prej kohësh dhe vetëm vitin e kaluar dhe këtë vit ka mundur të realizohet për t‘i hapur më pas një të ardhme fotografisë dhe dashurisë për të.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama