Inva Mula si modele ne Tirane

Inva Mula si modele në Tiranë

Që prej herës së parë që punoi me Peçin, Inva preferon të veshë vetëm veshje të stiluara nga Joni. Teksa ndihet komode dhe e bukur nën gjilpërën e Peçit, i shërben, duke promovuar artin e tij, në të gjitha skenat botërore, ku këndon. Ashtu siç po bën edhe me këngën tradicionale shqiptare. “Doni diçka që nuk e bëjnë të tjerët? E bëj unë, sepse janë këngët e vendit tim”, - i thotë Inva publikut të huaj. Menjëhërë pas sfilatës Mula udhëton për në Mynih, në koncertin “Inva & Friends”. Një koncert humanitar për të mbledhur fonde për ngritjen e sallës së reanimacionit në Pediatrinë e Prishtinës. Më tej ngjitet në skenat e Avinjonit, Zagrebit, Torinos…
Keni ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në sfilatën e Joni Peçit. Ç’është kjo lidhje kaq e ngushtë me stilistin, që ju shkëput në mes të mes të punës?

Me Jonin kam një bashkëpunim të gjatë, që filloi në mënyrë të papritur, në një kohë kur nuk e njihja atë. Ma ka prezantuar Fadil Berisha, i cili më këshilloi të kisha besim tek talenti i Jonit. Kështu që bëra me të kalendarin dhe vura re se kishte një talent që vinte aq spontanisht dhe natyrshëm. I gjithë kalendari u realizua me fustane të krijuara në moment, me metrazhe që Joni i montonte në trup, duke i shtuar elementët e traditës. Ishte vërtetë një krijimtari kontemporane gërshetuar me traditën. Ishte një eksperiencë aq e bukur, saqë unë që atëherë nuk jamë ndarë me Jonin. Gjatë gjithë kësaj kohe jam veshur me rroba të stiluara nga ai, duke çuar modën e një stilisti të ri shqiptar në gjithë botën, ku kam kënduar. Meqë ishte hera e parë që Joni bënte një aktivitet të tillë, unë do të isha shumë e lumtur ta mbështesja. Është koha që unë t’i kthej atë mbështetje që ai më ka dhënë më parë.

Cila është mbështetja juaj në këtë sfilatë?

Mbështetja ime është prezenca këtu. Spektatori e di që kam një kalendar shumë të ngjeshur dhe i kam orët e numëruara. Fakti që kam gjetur një moment pauze, për të qenë prezente në skenë për Jonin, do të thotë mbështetje. Ndoshta duket e çuditshme prania e një këngëtareje klasike në një sfilatë mode. Por unë mendoj se është bukur. Jam e lumtur që në Shqipëri arrihet të zhvillohet një sfilatë e tillë, me një frymë bashkëkohëse dhe origjinale. Joni ka përgatitur një veshje shumë të bukur, të cilën e pashë sot dhe mbeta shumë e kënaqur. Ai gjithnjë më çudit me magjitë e veta. Do të këndoj një nga pjesët e repertorit tim, në sfilatën dhe në shoë-n e tij. Sfilata është e Jonit dhe në fund unë do të bëj një numër modest.

Kështu që bëni edhe rolin e modeles?

Nuk e kisha menduar kurrë se do të bëja dhe modelen. Këtë “krimb” të vogël ma ka future Fadil Berisha, 7-8 vjet më parë, kur fillova bashkëpunimin me të. Në fillim më dukej diçka e thjeshtë, mjaft të rrije para kamerës dhe të pozoje. Por jo. Është një shfaqje më vete. Edhe fryma të lodhet gjatë fotografisë. Duke qenë se për një artist klasik frymëmarrja është shumë e rëndësishme në interpretim, bën pjesë në teknikën vokale, mu prish mënyra e frymëmarrjes. Ne këndojmë me diafragmë, ndërsa për të pozuar, diafragma duhet të shtrëngohet dhe duhet ta mbash frymën derisa të shkrepet aparati. Nuk ishte aq e thjeshtë sa e kisha menduar dhe e mora shumë seriozisht. U futa shumë spontanisht, por më pas mu bë një domosdoshmëri që të mësoja dhe të studjoja vërtetë. Duke qenë se në atë kohë këndoja në Operën e Neë Yorkut, kisha rastin të merrja nga eksperienca e të tjerëve në studion e Fadilit.

Nuk pretendoj se jam bërë modele, por është një eksperiencë që më pëlqen. Nuk ka përse të mos më pëlqejë. Tani do marr pjesë në sfilatën e Jonit. Nuk pretendoj të jem një nga modelet e tij, por një nga mbështetëset dhe frymëzueset në punën e tij, pse jo?

Pas sfilatës, cili është stacioni më i afërt?

Një ngjarje shumë e rëndësishme është për mua në datën 31 tetor në sallën e Filarmonisë së Mynihut. Bëhet fjalë për koncertin “Inva & Friends”, që bëhet me Orkestrën Filarmonike të Nurenbergut. Një koncert humanitar, për të cilin punojmë prej 2 vjetësh. Qëllimi është të mbledhim ndihma të konsiderueshme, për të ngritur një sallë reanimacioni në pediatrinë e Prishtinës. Para dy vjetësh isha për një koncert në Prishtinë dhe një doktor kosovar, që jeton në Mynih dhe drejton shoqatën “Madre Tereza” mu lut të bëja një vizitë në spitalin e Prishtinës. Duke qenë nënë, thashë përse jo? Aty pashë disa fëmijë të vegjël me pizhama që dolën tek dera dhe më dhanë një tufë me lule. Ishte diçka shumë emocionuese, por u trishtova jashtëzakonisht shumë, pasi kushtet ishin tepër të këqija dhe atje ka shumë sëmundje që nuk mund të trajtohen edhe pse ka mundësi shërimi, por në ato kushte ata ishin të destinuar që edhe të vdisnin. Tronditja ishte shumë e madhe dhe e kuptova se cili ishte qëllimi i vizitës. Nëse do të ma kishin shpjeguar me fjalë kurrë nuk do ta besoja dhe nuk do ta kisha kuptuar realitetin. Mu mbushën sytë me lotë dhe thashë që duhet të bëjmë patjetër diçka për këta fëmijë. Që të bësh një orkestër me një orkestër gjermane, në Mynih, duket diçka utopike. Por tashmë koncerti ka marrë përmasa shumë të mëdha, është futur në gjithë kalendarët, po pasqyrohet në shtypin gjerman dhe pritet të ketë jo vetëm shqiptarë, që të japin donacione, por edhe gjermanë dhe firma të mëdha. Koncerti do të jetë live dhe do të jepet në disa stacione televizive gjermane të rëndësishme.

Cilët do të jenë miqtë tuaj në këtë koncert?

Dëshira ime ishte që në “Inva & Friends” të ketë interpretues shqiptarë, sepse një nga qëllimet është që Gjermania të mos shohë vetëm gjendjen e fëmijëve të Kosovës, por të kuptojë që niveli i kulturës sonë është i tillë, që përballon aktivitete të tilla. Jam shumë e lumtur që kam gjetur një këngëtar të mrekullueshëm, basin Frano Lufi, që ka një karrierë shumë të mirë në Itali dhe një tenor të ri shqiptar të Teatrit të Operës, Armaldo Kllogjerin. Është një shans i mirë për të, të marrë pjesë në një aktivitet kaq të madh, me një orkestër të tillë. Jam e bindur që me këtë koncert do t’i happen shumë dyer në karrierën e tij.

Cili është programi që keni përgatitur?

Koncerti ka pjesë klasike, nga repertori botëror, por me qëllim kam gjetur një duet nga opera “Mrika” e Prenk Jakovës dhe mund të imagjinoni se ç’ndjesi mund të krijojë një oper shqiptare e kënduar në Gjermani. Si dhe një arie nga opera “Borana” e babait tim, Avni Mula. Kështu që krahas arieve nga “La Boheme”, apo “Traviata” e “Rigoleto” do të këndohet dhe muzika shqiptare. Edhe atje do të jem e veshur nga Joni Peçi, të cilin e promovoj edhe në program, pasi është pjesë e kulturës shqiptare. Jo vetëm muzika, jo vetëm interpretimi, por edhe veshja do të jetë shqiptare. Kështu që edhe imazhi i Shqipërisë fillon të marrë vlera edhe më të mëdha.

Po në skenën e Teatrit të Operës, kur do të mund t’ju shohim? Keni kohë që nuk jeni ngjitur, përse?

Unë kam shumë dëshirë. Arsyeja pse nuk kam ardhur deri tani është se dua të vi me një projekt timin që ta kem vërtetë për zemër dhe ta interpretoj ashtu si unë kam dëshirë dhe me elementët që unë kërkoj. Të mos e minimizoj kërkesën time prej kushteve të Teatrit të Operës. Koha e kufizuar nuk më ka dhënë mundësinë të vij këtu me partnerët e mi, apo me regjisorët, apo dirigjentët që unë bashkëpunoj.

Por ndoshta do të vi. Nesër(sot) do të pi një kafe me Zhani Cikon dhe do të flasim edhe për projekte.

Nga sa keni dëgjuar për aktivitetin operistik në Tiranë, cili është opinioni juaj?

Kam kontakte të vazhdueshme me shtypin. Nuk ka ditë të mos lexoj dhe shoh që aktiviteti është vërtetë i ngjeshur. Është një punë e lavdërueshme. E dimë se arti do para dhe dirigjentët e mirë, artistët e mirë kushtojnë. Ndërkohë që në Teatrin e Operës bëhen përpjekje të mëdha, por pagesat e artistëve janë shumë të vogla. Dhe nuk e di se si njerëzit “rregullohen” dhe bëjnë art edhe me këto shumë modeste. Dhe vërtetë u heq kapelen për punën e lavdërueshme, me ato buxhete financiare që jepen. Kam edhe jehonën e nënës sime, e cila i ndjek të gjitha aktivitetet e operës dhe ëstë e kënaqur.

Përpara se të vinit në Tiranë keni dhënë një koncert të rëndësishëm në Kroaci…

Dy ditë përpara se të vija këtu dhashë një koncert në sallën “Lisinski” në Zagreb, në Kroaci, në sallën më të madhe të koncerteve me një kapacitet prej 2200 vendesh. Ishte një koncert pa orkestër. Në pjesën e parë këndova një pjesë nga Listi me pianisten time ruse Kira Pasjeves dhe pjesën e dytë unë imponova të këndoja këngët tradicionale shqiptare me kuartetin “Gaudi”. Ishte një rrisk të merrje përsipër të këndoje një program të tillë me një publik që nuk njeh gjuhën, muzikën, që dëgjon këngët shqiptare për herë të parë… Koncerti i destinohej një publiku kroat, tepër të kulturuar, që ka një influencë austriake, gjermane dhe italiane. Por kisha shumë besim, pasi këtë koncert e ngjita dhe në skenat e huaja, në Norvegji, në Francë, në Belgjikë, etj. Jam e kënaqur, sepse pas “Soneteve të Petrarkës” së Franc Listit, një nga kulminacionet e romantizmit, pjesa e dytë u prit në mënyrë të shkëlqyer. Këngët ishin të gjitha të përkthyera në kroatisht në program. Në pjesën e dytë vesha një fustan të Joni Peçit me motive shqiptare dhe kjo pati një efekt shumë të mirë tek publiku. Publiku reagoi dhe kërkoi biz dhe për këtë kisha porositur një këngë tipike tradicinale kroate, që quhej “Lehkunoç”. Ishte një surprizë për publikun kroat, i cili e vlerësoi edhe më shumë koncertin.

Por nëse Kroacia është më afër nesh, cili ka qenë reagimi i vendeve më të largëta, më të “ftohta”, si Norvegjia…?

Në Norvegji kam dhënë koncertin e parë dhe kam mbetur pa mend kur shihja se si publiku norvegjez arrinte të shijonte këto këngë. Në 5 prill këtë koncert e dhashë në sallën “Gavo”, një nga më tipiket pariziane të koncerteve recitale dhe u prit vërtetë shumë mirë. Në taktikën timë ëhstë që gjithnjë pjesën e parë e kam klasike. Nuk dua të marr riskun e paragjykimit. Por pasi publiku vë këmbët mirë në repertorin tënd klasik, atëherë u thëm : Doni diçka tjetër që nuk e bën njeri? E bëj unë sepse janë këngët e vendit tim.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama