Ideja për ngritjen e një monumenti në "Lëndinën e Lotëve" që të prezantojnë ikjen e qindra mijëra emigrantëve larg vendit, është dhënë pak kohë më parë nga një grup shqiptarësh që aktualisht jetojnë përtej kufijve. Ka qenë vetë komuniteti i emigrantëve që ka shprehur edhe interesin që në qytetin ku ndodhet simboli i ndarjes së mijëra shqiptarëve nga atdheu, të përjetësohet figura e mërgimit. Pak kohë më parë, emigrantë të shumtë të cilët jetojnë aktualisht në shtetin fqinj grek kanë dhënë idenë që në "Lëndinën e Lotëve" ku është vendosur edhe historia e pikënisjes së itinerarit të mërgimit të ngrihet një monument emigranti. Kërkesa e tyre që i është drejtuar bashkisë së qytetit ka qenë një nga idetë më interesante që vjen këtë herë nga matanë kufijve për realizimin e projekteve të tilla. Sipas drejtorit të Qendrës Kulturore në Korçë, Vladimir Topi, vetë komuniteti i emigrantëve që jetojnë në Greqi është shprehur i gatshëm për të dhënë një kontribut në vlerë monetare për të vënë në jetë dhe për të ringjallur historinë e "Lëndinës së Lotëve", me një simbol të vetin që mban emrin e emigracionit, për të përjetësuar atë copë toke që historikisht ka qenë pjesa e ndarjes së madhe dhe e kurbetit.
Korça është qyteti i vetëm që ka një vend të tillë që ruhet për nisjen e mërgimit që një shekull më parë, tani do të ketë të parin monument emigrant në vend, ku edhe sot e kësaj dite aktualiteti flet për mijëra të ikur që i ndan ky vend. "Është hedhur ideja që në "Lëndinën e Lotëve" të ngrihet një monument i emigrantit. Kërkesa është bërë nga emigrantët që jetojnë në Greqi, të cilët kanë mbledhur një sasi të caktuar fondesh për realizimin e kësaj vepre. Monumenti është menduar të realizohet nga skulptorë të njohur me shpallje konkursi sipas mënyrës së konceptimit të emigracionit ose të figurës së emigrantit. Ky është një nga projektet e afërta që do vihet në jetë në bashkëpunim të bashkisë me emigrantët jashtë vendit dhe që pritet të realizohet së shpejti duke pasur kështu te "Lëndina e Lotëve" edhe një simbol më shumë që t‘i shtohet elementëve historikë të kësaj lëndine. Pas kërkesës, kjo ide është mirëpritur nga ana e bashkisë, e cila nga ana e saj do të caktojë edhe një fond krahas kontributit vullnetar të emigrantëve për të realizuar këtë vepër, që do të tërheqë më shumë edhe vëmendjen e turistëve, të cilët do të njihen me historikun e kësaj lëndine shekullore", thotë Vladimir Topi. "Lëndina e Lotëve" që ndodhet në mbylljen e një kryqëzimi në dalje të qytetit të Korçës ka një vakëf ku edhe sot e kësaj dite ndizen qirinj, si dikur kur mori udhë zanafilla e mërgimit, kur mes qirinjve dhe lotëve gratë prisnin burrat e ikur ose lajmin se janë gjallë dhe mirë.
Mërgimi që nisi një shekull më parë nga ky vend ndarjesh mban emrin e qytetit të Korçës, nga ku janë larguar me mijëra banorë, ndërsa edhe sot e kësaj dite "Lëndina e Lotëve" vazhdon të mbajë të njëjtin emër kur sërish emigrantë të shumtë që ikin nga ky qytet kalojnë në këtë vend. Lëndina që pret e përcjell emigrantë është vendi që ka mbetur kujtim nga e shkuara e mërgimit, por edhe nga e tashmja kur emigrantë që nisen drejt Greqisë ndajnë rrugën e tyre në këtë kryqëzim. Toka e larë nga lotët një shekull më parë është më pranë vëmendjes së atyre që kanë lënë pas këtë vend, që edhe sot është pika e fundit e qytetit. Po ndryshe nga e shkuara kur ishin karvanët që iknin nga ky vend, tani ikja mban mjete të tjera. Më parë, mërgimtarët vuanin nga ndarja, tani vuajnë për viza. Ikja s‘bëhet më me karvanë, por me makina, ndërsa për shumë të tjerë kjo ndarje nga vendi mban mundin e ikjes më këmbë nga mali për një jetë më të mirë e për një vend pune, kur edhe pse i drejtohen mërgimit për të njëjtin qëllim si një shekull më parë quhen në kohët e sotme me emrin klandestinë ose ilegalë. Ashtu si dikur kur lajmi i kobshëm mund të ishte vdekja jashtë kufijve të vendit dhe burrat e ikur në kurbet nuk ktheheshin më, edhe sot mund të ndodhë e njëjta fatkeqësi që ka ndjekur shqiptarët historikisht në arratinë e tyre nga vendi, ndërsa si dikur qirinjtë vazhdojnë të digjen në lëndinë për t‘u sjellë fat.
Dhe simboli i "Lëndinës së Lotëve" vazhdon të jetë i njëjtë si pjesë e pandarë e jetës mërgimtare të shqiptarëve, ndërsa qyteti i Korçës e ruan këtë copë vendi në dalje të tij që e dallon nga zonat e tjera. Tani në këtë lëndinë si në dimër ashtu dhe në verë, mbizotërojnë jo më lotët e ndarjes, por zërat gazmorë të fëmijëve që luajnë shkujdesur në lulishten aty pranë ose kujtime të moshuarish që mblidhen për të kaluar kohën. Njerëzit takohen sot te "Lëndina e Lotëve", por jo më për të njëjtin motiv, atë të ndarjes dhe largimit, por për të pushuar e rigjetur qetësi. Edhe pse kjo lëndinë është e fundit që ndan bulevardet e qytetit, nga ku edhe sot ikin mijëra njerëz, ndryshimi i kohëve nuk ia ka hequr vulën e kurbetit të hidhur. Ajo vazhdon të jetë lëndinë lotësh.
Historia e "Lëndinës"
Nga "Lëndina e Lotëve" kanë marrë rrugët e botës edhe figura të shquara në vend. Gjatë viteve 1900, kjo lëndinë u kthye në tempullin e mërgimtarëve. Aty niste ikja, niste dhe ndarja, kur shqiptarët do të merrnin rrugët e kurbetit. I pari ishte Koli Kristofori, i cili bashkë me 17 burra të tjerë në vitin 1896 do të niseshin drejt Amerikës, aty ku mund të fitoje para me punë. Gratë vinin qirinjtë dhe luteshin çdo ditë ndërsa qanin në vendin nga ku merrte rrugë kurbeti i hidhur. Mes mijëra emigrantëve që do niseshin më pas me karvanë drejt Greqisë e Amerikës, në Evropë dhe përtej saj kanë qenë edhe figura të shquara të vendit, si: Petro Nini Luarasi, Thimi Mitko, Viktor Eftimiu, Mihal Grameno e Themistokli Gërmenji, Sotit Peci, Visar Dodani e shumë të tjerë. Sipas historianëve, më 4 korrik të vitit 1906, në "Lëndinën e Lotëve" është mbajtur një fjalim nga Koli Demo për dhjetëvjetorin e ikjes së emigrantëve të parë drejt SHBA. Kur Korça kishte jo më shumë se 12 mijë banorë, "Lëndina e Lotëve" ishte vendi ku ndaheshin rrugët.
Një shekull më parë, kjo lëndinë ndodhej buzë rrugës për në Manastir dhe Selanik, ndërsa që këtu shqiptarët nisën ikjen drejt Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe deri në Amerikë. Kjo ikje do të mbante gjallë jo vetëm ekonominë, por do të ndikonte edhe në kulturën e vendit kur nga kthimi i patriotëve do të niste zhvillimi. Mërgimi i tyre solli në vend atë që sot ka mbetur si trashëgimi nga e shkuara, lëndinën e lotëve që edhe sot mban të njëjtin emër, lëndinë ku dikur qahej dhe ku sot vazhdojnë të ndizen qirinj. Korçarët, kurbetllinjtë më të vjetër të vendit, e kanë këtë copë rruge në vëmendje dhe pse jo aty mund të vendoset pas një shekulli nga lindja e lëndinës një monument që të jetë simbol i mërgimit, figura e emigrantit.
Marre nga : Gaeta Shqip











