Nuk jane Penda dhe kushtojne me shtrenjte

Nuk janë Penda dhe kushtojnë më shtrenjtë

S'quhen më "Penda", s'është më konkurs. Është thjesht dhënie çmimesh kombëtare brenda të cilave sipas një rregulloreje të re, kanë ndodhur disa ndryshime jo të vogla. Si fillim, emërtimi. Çmimet që jep çdo fundviti Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk mbajnë më titujt "Penda e Artë dhe e Argjendtë", por emrat e disa personaliteteve të letrave. Kështu, quhet "Gjergj Fishta" çmimi që jepet për një vepër albanologjike, eseistike apo publicistike me kontribut në shërbim në çështjevedhe të mendimit shqiptar, ashtu si Fishta vetë ka lënë një kontribut të tillë. "Faik Konica" çmim për kritikën letrare. Deri në 2006 ishte një çmimin për studimin e dhe veprën më të mirë mbi estetikën e letërsisë. "Petro Marko" çmimi për prozën më të mirë në gjininë e romanit. "Mitrush Kuteli" për vëllimin më të mirë me tregime. "Donat Kurti" çmimi për veprën më të mirë letrare për fëmijë. "Fan Noli", kujtdo i shkon në mend se çmimi që mban këtë emër i jepet atij që në vitet 2006-2007 ka sjellë nga një gjuhë në shqip përkthimin më të mirë. Dhe për të anasjelltën për përkthimin nga shqipja në gjuhë të huaj, jepet çmimi që mban emrin e një personaliteti të padiskutueshëm në këtë fushë, "Jusuf Vrionit". "Lasgush Poradeci" jepet për prurjen më të mirë poetike dhe "Migjeni" për debutimin më të arrirë të këtyre dy viteve.

Ajo që njihej si "Penda e Artë", nuk mban më këtë emër dhe sërish jepet për kontributin me korpusin letrar dhe intelektual të një figure. Për këtë juria është në diksutim e sipër, ashtu sikurse bëhet me dije nga një anëtar i saj, Agron Gjekmarkaj, drejtor i Drejtorisë së Kulturës dhe Artit të Shkruar pranë MTKRS, nëse për fusha të caktuara nuk do të ketë prurje të mira, çmimi nuk për t'u akorduar. "Nëse s'ka prurje për nëntë çmime dhe kur do të gjykohet që s'ka vend për çmime, atëherë s'do të jepen", tha dje Gjekmarkaj. "Sepse, pavarësisht se s'po diskutojmë emra konkretë, juria synon që të vlerësojë risinë dhe cilësinë që kanë librat".

Pyetjes pse është e nevojshme që çmimet kombëtare të kenë secili nga një emër, Gjermarkaj i përgjigjet duke pohuar se "emërtimi është bërë për të nderuar këto figura të rëndësishme të kulturës të cilët kjo politikë çmimesh i bën prezent". Veç kësaj "është mirë kur krijuesit e sotëm nderohen me një emër konkret".

Juria e përbërë nga Gjekmarkaj, Zija Çela (shkrimtar, fitues i Pendës 2005), Donika Omari (përkthyese), Parid Teferiçi (poet) dhe Aurel Plasari, kryetar i jurisë (shkrimtar, publicist), e krijuar në pranverë të këtij, mblidhet një herë në dy javë dhe deri në dhjetor do të dalë në konkluzionet për veprat më të mira, kur ka pasur në tryezën e punës mbi 2000 tituj.

Sipas rregullores së re të çmimeve kombëtare për letërsinë të miratuar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, juria duhet të gjykojë jo më prurjet e një, por të dy viteve, 2006-2007 dhe ato prurje që "janë të ligjshme, që kanë një ISBN në Bibliotekën Kombëtare". Pra nuk funksionon më "proklamata" e MTKRS për këto çmime, për prurje vullnetare të titujve nga autorë dhe shtëpi botuese.

E reja e fundit është vlera financiare e çmimeve gati e dyfishuar. Nëse Çmimi i Karrierës ka pasur fillimisht motivacione verbale, më pas vlerën 300 mijë lekë (të reja), më e larta e ish- çmimeve "Penda", sot çmim kushton gati 500-600 mijë lekë. E kështu me radhë dhe për çmimet e tjera fituesit e të cilëve do shpërblehen me minimumi 200 mijë lekë.

Transplanti

Në muajin e fundit si ministër Kulture, Bujar Leskaj vendosi shpalljen e katër çmimeve:"Ismail Kadare" për librin e parë më të mirë të vitit - prozë ose poezi; "Musine Kokalari" për shkrimtaren më të mirë grua të vitit; "Gjergj Fishta" për shtëpinë botuese që kontribuon në botimin, vlerësimin dhe studimin e traditës të letërsisë shqipe dhe "Ali Asllani" për librin më të mirë të autorit që jeton në emigracion.

Edhe pse këto çmime që do duhej të jepeshin në fillim të shkurtit, nuk u ndanë kurrë, madje juria nuk u ngrit ndonjëherë, shpresojmë që ministri pasardhës ta ketë shfuqizuar këtë vendim. Sepse sadoqë nga pikëpamja administrative, mund të duket një akt i rëndomtë burokratik, do kishim të bënim në mos me një transplantim, për shembull të çmimit "Gjergj Fishta", të cilin e gjejmë tek çmimet e mëdha të fundvitit, pavarësisht se me tjetër motivacion, me një çmim të paligjshëm, për aq kohë sa nuk është shfuqizuar çmimi fantazmë.

Çmimet kombëtare që jepen nga Ministria e Kulturës, po vendosen në një shtrat më të sigurtë. E rëndësishme është që formula të mos ndërrojë nga pasardhësi, që ky dikaster e ka pasur gjithnjë pas derës ku kalojnë duke ndërruar pushtetet forcat politike.
Elsa Demo : Gazeta Sekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama