Misteri që qëndronte pas vdekjes së papritur të Tutankhamunit, djalit-mbret që qeverisi Egjiptin mbi 3000 vjet më parë, ka shumë të ngjarë të jetë zgjidhur nga shkencëtarët, të cilët besojnë se shkaku i vdekjes ishte ai i rrëzimit nga karroca, ndërsa po gjuante në shkretëtirë. Spekulimet në lidhje me vdekjen e tij kanë qenë të shumta që kur iu zbulua varri në vitin 1922 nga arkeologu Howard Carter. Më pas, në vitin 1968, mumia e faraonit iu nënshtrua ekzaminimit me rreze X në përfundim të së cilit doli se një goditje në kafkën e tij mund të ishte shkaku i vdekjes. Së fundmi, studimet e bazuara në praktika shumë të përparuara shkencore të skanerit, nxorën në pah se ai kishte vuajtur edhe nga një thyerje e këmbës para se të vdiste. Ndoshta ky ka qenë edhe shkaku i helmimit të gjakut. Por më në fund shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se ai pësoi një frakturë, ndërsa ndodhej në gjueti, pasi u rrëzua nga karroca, që me siguri po ecte me shpejtësi në shkretëtirë. Zbulimet e reja janë megjithatë jo përfundimtare dhe të plota. Një nga shkencëtarët egjiptianë që ka marrë pjesë në të gjitha studimet e kohëve të fundit në një dokumentar televiziv, i cili pritet të transmetohet këtë javë, ka deklaruar se më në fund ekzistojnë ide më të qarta në lidhje me fundin e beftë dhe enigmatik të faraonit, i cili për dhjetëra vjet me radhë ka qenë një mister i vërtetë për arkeologët. "Ai nuk është vrarë, ashtu sikurse shumëkush ka menduar deri më tani. Pati një aksident, ndërsa ndodhej për gjueti në shkretëtirë. Ai ra nga karroja e tij, frakturoi këmbën, më pas kokën dhe ky për mendimin tim ishte shkaku i vërtetë i vdekjes", ka deklaruar arkeologu egjiptian.
Deri më tani shumë historianë thonë se faraoni trajtohej nga të gjithë si një djalosh shumë i brishtë, të cilin njerëzit që i rrinin afër e mbronin nga çdo lloj dëmtimi i mundshëm fizik. Sipas disa arkeologëve, faraoni ishte shumë i dhënë pas gjahut dhe mbi të gjitha pas një lloji të caktuar gjuetie në shkretëtirë, e cila zhvillohej vetëm në karroca të rrezikshme dhe të ngushta, nga të cilat ishin dëmtuar shumë të afërm të faraonit para tij. Rezultatet në lidhje me vdekjen e faraonit, e konsideruar si një mister i madh që prej shumë vitesh nga arkeologët, vijnë disa javë para ekspozimit të varrit të faraonit në Londër. Kur para 35 vitesh u organizua e njëjta ekspozitë në muzeun britanik, atë e vizituan mbi 2 milionë vizitorë, tepër kuriozë që të shihnin maskën e mumies, veshur në ar. Por ajo që është me të vërtetë e veçantë dhe kurioze në këtë ekspozitë, është se ndryshe nga ekspozita e vitit 1972, këtë herë publiku do të ketë mundësinë që të shohë fytyrën e vërtetë të njërit prej faraonëve më misteriozë të Egjiptit, pasi atij tashmë i është hequr maska. Për të arritur në rindërtimin e fytyrës së faraonit, një skuadër e tërë shkencëtarësh ka vite që e ka studiuar dhe eksperimentuar. Aktualisht tani, me ndihmën e kompjuterit, vetëm disa prej shkencëtarëve e kanë parasysh pamjen që ka pasur faraoni 18-vjeçar 3000 vjet më parë dhe nga sa ata kanë parë, pamja e fytyrës është e çuditshme. Djaloshi ka një kafkë çuditërisht të sheshtë, një hundë të madhe dhe një nofull të jashtme të ekzagjeruar. Ndër sundimtarët e ndryshëm që ka pasur Egjipti i lashtë, Tutankhamuni, edhe pse nuk ka qenë ndër më të famshmit për civilizimin tonë, është një ndër më misteriozët, që kur mumia e tij u zbulua e paprekur në varr nga arkeologu britanik Howard Carter, në vitin 1922.
Faraoni i vogël jetoi rreth 3300 vjet më parë, gjatë periudhës të konsideruar nga arkeologët si Mbretëria e Re. Për dy shekuj Egjipti e qeverisi botën si një superfuqi, ndërkohë që familja mbretërore jetonte në kushte jashtëzakonisht të mira. Perëndia Amun, e cila respektohej në atë kohë, kishte tempujt dhe ndërtesat më të bukura. E gjithë statu-quo -ja ndryshoi gjatë mbretërimit të Amenhotepit IV, i cili hoqi dorë nga tërësia e zotave që adhuroheshin në Egjipt, përfshi edhe Amunin. Ai vendosi vetëm venerimin e zotit diell, Atenit. Një kryeqytet i ri u krijua në veri të Tebës, shtëpia e tempullit kryesor të Amunit. Qyteti i ri u quajt Akhenaten, që do të thotë "Horizonti i Atenit". Pikërisht atëherë Akhenateni qeverisi me bashkëshorten e vet, Nefertiti, që i fali atij 6 vajza, por asnjë djalë që të vazhdonte traditën e faraonit. Mendohet se Akhenaten kishte edhe një grua tjetër me të cilën solli në jetë Tutankhamunin. Ai u rrit në pallatin e të atit dhe ishte një djalë që u mësua për shumë gjëra, veç shkrimit e këndimit. Nuk dihet mirë se si, por pas vdekjes së të atit, Tutankhamuni erdhi në fuqi dhe u bë Djali Mbret në moshën 9-vjeçare dhe u martua me njërën prej motrave të tij. Gjatë periudhës së qeverisje së tij, Amuni u vendos sërish në pushtet. Por faraoni ishte i vogël për të vendosur, ndaj në emër të tij vendosën disa zyrtarë të lartë dhe të gjitha ndryshimet në emër të tij i bënë ata. Pa mbushur ende 19 vjeç, djaloshi vdes dhe varri i tij ka qenë ndër më të bukurit e faraonëve egjiptianë. Po ashtu edhe varrimi, i cili thuhet se zgjati plot 70 ditë. Megjithatë, që nga zbulimi i mumies së faraonit, vdekja e tij ka qenë një mister. Jo të paktë kanë qenë historianët të cilët kanë supozuar se ai ishte vrarë nga rivalët e fronit. Më në fund, edhe pse jo gjithçka është zyrtare dhe e formës së prerë, del se faraoni i vogël vdiq si pasojë e rrëzimit nga karroca, ndërsa ndodhej në gjueti së bashku me shumë të afërm të tjerë.
Marre nga : Gazeta Shqip











