Më 11 tetor të këtij viti nga Madridi vinte lajmi për miratimin e projektligjit nga qeveria Zapatero që ka të bëjë me kujtesën historike. Ligji parashikon heqjen e çdo gjurme të frankizmit nga rrugët, monumentet, kishat dhe ndërtesat publike të Spanjës, heqjen e çdo emri apo simboli që lidhet me dyzet vitet e diktaturës së Francisko Frankos, me grushtin ushtarak, luftën civile dhe represionin. Qysh kur erdhi në pushtet kryministri aktual Zapatero i kish quajtur jo të ligjshme dhe të padrejta këto simbole. Dhe sot ka forca politike si socialistët apo Partia Popullore që kanë dalë kundër ligjit, sepse sipas tyre po hapen plagë të vjetra, edhe pse ky është një qëndrim unanim që qytetaria spanjolle dhe politika po mbajnë ndaj diktaturës.
Më 9 nëntor Ambasada e Spanjës organizon në Tiranë një ditë për veprën e Petro Markos, për atë pjesë që ia ka kushtuar Spanjës dhe kulturës së saj letrare, i lidhur me këtë vend si një nga brigadistët internacionalë në Luftën Civile (1936-1939). Programi i kësaj dite parashikon referate për kontributin e brigadistëve shqiptarë në këtë luftë dhe një tryezë debati për kujtesën historike.
Ja pse tani, dhe ja pse ndër gjërat e para që një nga ambasadat më të reja në Tiranë, ajo spanjolle, në koherencë me zhvillimet në atdhe, bëhet iniciatore të kujtojë në Shqipëri një ngjarje historike që spanjollët po e rishohin në një dritë të re, në dritën e kujtesës historike e zyrtarizuar nga politika.
Pak muaj më parë, në Tiranë ka pasur një diskutim me temat "Rikrijimi i së shkuarës-mitet historike si mjet legjitimimi" dhe "Kujtesa historike dhe amnezia", ku morën pjesë filozofë dhe intelektualë spanjollë, duke e vënë theksin tek gabimet e mëdha në të shkuarën, tek qëndrimi ndaj diktaturave, dhe tek ajo lloj historie që do t'iu jepet brezave e shkruar jo nga duart e fitimtarit.
Hasta la vista, një shembull
"Hasta la vista" i Petro Markos i botuar në përvjetorin e 20 të Luftës së Spanjës, në 1959, është një shembull që hap dy paranteza. Së pari, është e para vepër dhe më e plota që një shkrimtar shqiptar, vullnetar i Brigadave Internacionale shkroi për ngjarje dhe personazhe reale që takoi në kohën e terrorit të fashizmit të shpallur spanjoll. Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Justina Shkupi vullnetarë njëlloj si Marko, janë personazhe me emra fiktivë në roman, përkrah brigaditësve të tjerë internacionalë. Nga kjo përvojë e Markos dolën vepra të tjera si "Lufta e Spanjës (1936-1939): "Shënime historike dhe kujtime nga vullnetarët shqiptarë", botim i Institutit të Historisë së Partisë (1959), me një parathënie të Mehmet Shehut, ish luftëtar në Spanjë; një vëllim me përkthime të poetëve spanjollë dhe poema "Lejania" vargje që u varrosën bashkë me shokun e tij në brigjet e Ebros, botime që dolën në dritë kur Marko, të cilit iu ndalua për vite e drejta e botimit, nuk jetonte. Me rastin e botimit të "Lejanisë", e bija Arianita Marko do të shkruante: "Lejania. Largësia. Si kohë? Si ëndërr? Si shpresë? Si luftë? Vargjet e varrosura së bashku me Ramiz Varvaricën, shokun e vrarë në betejë, fillojnë të ringjallen. Në prill 1983 është 45-vjetori i varrimit të tyre. "Ka varre monumente arti, që kanë në themel kokalla kriminelësh dhe tiranësh. Ka varre të bëra një me tokën djerrë, që ruajnë mundimet më njerëzore", shënon Petro. Simboli i varrimit dhe simboli i ringjalljes". Këto botime do të prezantohen më 9 nëntor me iniciativë të Ambasadës Spanjolle. Marta Maria Garcia Suarez e cila ka përkthyer nga Marko gjithçka ai ka shkruar për Spanjën, do të bëjë nëpërmjet romanit "Hasta la Vista" një intinerar nga Lufta Civile.
Paranteza e dytë ka të bëjë me shkrimtarin që luftoi kundër një diktature të ardhshme në një vend të huaj dhe që do të dënohej nga një tjetër diktaturë në vendin e vet. Fatin e tij Marko e ka pëshkruar në libra, gjërësisht në "Intervistë me vetveten". Por fati i "Hasta la vista" ishte i tillë që edhe në momentin që shkruhen këto radhë, romani nuk është botuar asnjëherë i plotë sipas dorëshkrimit origjinal që ruan familja, megjithëse në vite ai pati pesë ribotime. U censurua qysh në botimin e parë. Ai vit 1959, ndoshta është ndër përvjetorët më në zë që Lufta e Spanjës pati në Shqipëri. Një nga tezat që hidhen sot për këtë zbehje të kujtesës lidhet me mënyrën si u rishkrua më pas historia e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e shqiptarëve. Për herë të parë fashizmi u luftua në Spanjë nga ushtria e Republikës Spanjolle, bashkë me vullnetarët antifashistë nga e gjithë bota, të përfshirë në Brigadat Internacionale, në vjeshtë të vitit 1936. Mes vullnetarëve shqiptarë do të ishte Mehmet Shehu që u bë më vonë një figurë kyçe e regjimit, dhe kurorën e luftëtarit të Spanjës nuk ia kanë pranuar lehtë ata që shkruan historinë.
Ana Perez, kryetare e Shoqatës së brigadistëve vullnetarë të lirisë, vjen nga Spanja atë ditë që të referojë për kontributin e shqiptarëve në Luftën e Spanjës.
Intelektualë shqiptarë dhe spanjollë kanë për të marrë shkas nga këto nyje për të folur për itinerarin që iu desh Spanjës të përshkojë për të mbërritur në këtë ditë, në ditën e kujtesës historike, në dënimin e diktaturës dhe në rishkrimin e historisë. Një model i pastër dhe për mënyrën se si politika dhe demokracia e vërtetë, nën presionin e protagonizmit intelektual dhe civil, mund t'ia dalë, të shlyejë një borxh me të kaluarën. Shqipëria është rasti më i koklavitur të paktën sot, kur flitet me pasione për rishkrimin e historisë dhe kur nuk flitet fare për dënimin e krimeve të komunizmit.
Zhvillimi
Pas vdekjes së Frankos nisi të diskutohej hapur e kaluara e Luftës Civile (1936-1939, të paktën pati 500 mijë të vdekur). Në vitin 2006 shoqata e familjeve të viktimave nga frankizmi do të kërkonin zyrtarisht që viti 2006 të shpallej vit i "kujtesës republikane". Asociacion por la Recuperacion de la memoria Historica (ARMH) kërkoi në vazhdim një ligj për ta shpallur 18 korrikun (datë kur nisi lufta civile) "Ditë të Kujtesës" për të dënuar frankizmin. Qeveria Zapatero tregoi vullnetin për ta vazhduar këtë proces.
Dhurata
Familja e Petro Markos do t'i vërë në dispozicion materiale origjinale që shkrimtari ka lënë për gjithçka lidhet me Spanjën, dhe me Luftën e saj. Vetëm fotografi jo. Sepse ata shqiptarë që luftuan atje, sollën vetëm veten e tyre gjallë dhe kujtimet. Por familja ka vendosur me rastin e përkujtimit të veprës së Petro Markos në kuadrin e këtyre lidhjeve, t'i dhurojë Ambasadës së Spanjës tavolinën ku shkrimtari shqiptar ka shkruar gjithë jetës. E bija, Arianita, thotë se ky është objekti më i dashur në shtëpinë e Markove. Ajo ka qenë dhuratë e një tregtari për martesën e Petro dhe Safo Markos në vitet 45'-'46. "Dua ta dhuroj kështu siç është", thotë Arianita". "Meqë Petro s'mundi dot kurrë më të shkojë në Spanjë, do të zërë një vend në Ambasadën Spanjolle. Ai ëndërronte që një ditë të kishte në Shqipëri një ambasadë të Spanjës."
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











