Kur dhe si e keni njohur Robert Schwartz?
E kam njohur si pjesa më e madhe e jona që kanë qenë të lidhur me librin; gjithë dritaret tona ne i hapnim me librat. Berti na ka hapur një dritare të madhe, sidomos me romanin "Tre shokët", që ishte një risi e madhe në atë kohë. Natyrisht që krijohet një respekt i madh nëpërmjet librit. Roberti ka qenë prototipi i krijuesit, ka krijuar mbi letërsinë e Remarkut në atë kohë, si dhe me novelat e Cvajgut. E kam adhuruar si përkthyes. Kështu krijohet një miqësi nëpërmjet librit, kështu e kanë pasur mik shumë të rinj Bertin.
Prandaj, në vitin 1994 pata fatin e madh që të luaja në një pjesë të mrekullueshme të Tankred Dorstit, në një përkthim të Schwartz: "Fernando Krap". E takova një ditë në të dalë të teatrit dhe më tha: "Sa mirë që të takova, sepse duke përkthyer këtë pjesë kam menduar që ai rol mund të luhej vetëm prej teje. Këtë ia kam propozuar edhe regjisorit". Që prej asaj dite filluam punën së bashku. Berti kishte një aftësi që jo të gjithë dramaturgët e kanë: ai asistonte në prova, për të parë që gjuha e teatrit të shkonte sa më mirë dhe sa më paralel me përkthimin. Pra nuk i ndahej teatrit derisa të shfaqej pjesa, ishte si të thuash i ngjizur në të.
Duket se anën e tij të brishtë e të butë e tregonte më shumë me gratë. Kurse me ne, meshkujt, kolegët, më dukej sikur ai më shumë shfrynte. Dhe me të drejtë, me gjithë ato padrejtësi që vuante, me gjithë ato mizerabilitete që i duhej të përkthente...
Jo, edhe me mua shfrynte herë pas here. Ja më kujtohet një ditë që ishte shumë i mërzitur, më tregoi se si kishte trokitur te një botuese, ish-nxënësja e tij në përkthim, që e kishte ushqyer siç ushqen dallëndyshja të vegjlit e saj dhe ishte ndier shumë i fyer. "Më ka mbyllur derën, sot i vajta për herë të tretë dhe nuk më ndihmon. Jam i dëshpëruar, sepse pema që rritet më shumë në Shqipëri është mosmirënjohja".
Duhet të ketë qenë shumë i vëmendshëm në miqësi. Është nga njerëzit që më kanë inkurajuar qysh herët, kishte një besim të vetëdijshëm në përkthimet e mia. Përfytyroj pastaj delikatesën në marrëdhënie me gratë...
Mua më vlerësonte shumë. Më thoshte që nuk je si aktoret e tjera, që luajnë shumë role dhe nuk di a po luajnë me ty apo jo. Ti, më thoshte, je naive, e tregon veten menjëherë.
Po të tregoj dhe një detaj, bëra njëherë një ditëlindjen time. Kisha ftuar disa miq, ndër ta edhe Bertin, edhe një regjisor. Ky regjisor më solli një tufë me trëndafila blu, ndërkohë që Berti më kishte sjellë një shandan. Mirëpo si është natyra e njeriut, si fëmijë që shkon menjëherë te ngjyra, edhe unë thashë: "Ua trëndafila blu, sa e çuditshme". Kur më kthehet Berti: "Moj ti, tha, sa e poshtër, po më ndërron mua me ca trëndafila blu!" - "Më vjen shumë keq, i thashë, po trëndafila blu s‘kisha parë ndonjëherë". - "Shih këtu, tha, në këtë shandan mund të vësh qirinj, t‘i ndezësh në orët e vetmisë, të festave". - "Jo i thashë, e vlerësoj shumë dhuratën tënde se do t‘i qëndrojë kohës, kurse këta trëndafila do të vyshken shumë shpejt, aq më shumë që janë të ngjyrosur". Të vërtetën i thashë, sepse edhe sot kur ndez qirinj në atë shandan, kam Bertin të pranishëm. Kur ishte i sëmurë dhe i vajta në sallën e reanimacionit, herën e parë që u sëmur, e gjeta shtrirë në shtrat, aty pranë ishte e shoqja, Aristea. Ky sa më pa mua, rregulloi jastëkun, u ngrit. "Ngadalë", i tha Aristea, "çfarë po bën kështu, je në reanimacion". "Jam mirë, i thotë Berti, "s‘kam gjë unë, jam shumë mirë. Pata një krizë të vogël, një infarkt, por s‘është gjë kjo". Pastaj, pak më pas tha për të më ngacmuar: "Ti më bëre me zemër...". Për mua Berti ishte një fenomen. Sa ishte i kohës, ishte edhe jashtë kohës sonë.
Marre nga : Gazeta Shqip











