Ndërsa si dirigjent kësaj radhe vjen amerikani me origjinë italiane Thomas Carlos Bo. Në rolet protagoniste do të kemi tenorin Erlind Zeraliu dhe sopranon Dorina Selimaj. Gjithashtu do të interpretojnë edhe artistë të tjerë si Luan Sula, Sokol Hidershaj e Sofika Kola. Surpriza është se veç këngëtarëve lirikë, do të jetë i pranishëm në skenë aktori i Teatrit Kombëtar Fadil Kujovska, kjo për shkak se roli në fjalë është tepër i rëndësishëm dhe kërkon mjeshtëri të lartë aktrimi.
Muzikali, prodhim i TKOB-it, për herë të parë është ngjitur në Broadway më 1948-n, duke rezultuar madje tepër i suksesshëm teksa merrte 5 çmime “Tony”. Pas kësaj, shfaqja u vu me qindra herë në skenat e ndryshme të metropoleve botërore si Londra, Nju Jorku, etj., duke shtuar më tepër suksesin e njëherësh popullaritetin e vet. Kjo bëri që edhe versioni i mëtejshëm filmik i vitit 1953 të pritej me interes nga publiku. Spektakli në qendër të tij ka dy aktorë që një herë e një kohë ishin burrë e grua. Ata gjenden për të recituar në Broadway, në versionin muzikor të komedisë shekspiriane “Zbutja e kryeneçes”. Gjithçka merr një tjetër drejtim, akoma më të keq, kur në skenë hyjnë disa gangsterë të menaxhimit të spektakleve.
Libreti “Kiss Me, Kate” i Sam e Bella Spewack, përqendrohet në magjepsjen e teatrit në teatër, duke krijuar një mekanizëm të precizionit të lartë të destinuar të ngjallë rivalitet në muzikalet e viteve që pasuan. Dy protagonistët, Fred Graham e Lilli Vanessi, janë dy aktorë që janë ndarë para pak kohësh dhe kanë përballë një çift aktorësh më të rinj: Lois Lane e Bill Calhoun, me të cilët shpërthejnë xhelozi e dashuri. Ky i fundit, mendjelehtë dhe i shushatur, firmos me emrin e kryekomikut një kambial për borxhet e tij të lojës duke futur në lojë dy gangsterë të maskuar, alla Damon Runyon, që kalojnë nga fusha e kriminalitetit në atë të kritikës teatrore.
Petika Grosi : Gazeta Albania











