Dy orë të veçanta letrare iu kushtuan në Panairin e Frankfurtit antologjisë së porsa dalë në treg në gjermanisht me autorë nga Evorpa Juglindore: Der Andere nebenan (Tjetri aty pranë).
Shkrimtari kosovar Beqë Cufaj dhe ai slloven Drago Jançar prezantuan tregimet e tyre në bisedë me ideatorin e librit Rikard Svarç në stendën e Televizionit franko-gjerman ARTE.
Deutsche Welle: Zoti Svarç, si Ju lindi ideja për të publikuar këtë libër?
Svarç: Nuk ishte ideja ime. Fondacioni "S. Fischer" më kërkoi të bëja një antologji të tillë? Unë në fillim nuk doja, sepse Evropa Juglindore është një zonë e vështirë dhe unë mendova se kjo do të më sillte probleme, do të më duhej të luftoja me shkrimtarët, shkrimtarët janë të padurueshëm, edhe unë jam njëri prej tyre. Por si përfundim e pranova këtë lutje, sepse drejtori i fondacionit Fischer ishte në gjendje të ma kthente mendjen.
Deutsche Welle: Si i përzgjodhët autorët?
Svarç: Nuk ishte e vështirë. Unë nuk kam pretenduar të bëja inventarin e skenës letrare në secilin vend. Këtë nuk do të isha në gjendje ta bëja, sepse shumë gjuhë nuk i kuptoj, si për shembull shqipen. Gjuha që flas unë është serbokroatishtja, por me maqedonishten, bullgarishten apo slovenishten kam vështirësi. Pra, shumicën e shkrimtarëve që kam lexuar i njoh përmes përkthimeve. Kështu që mund të zgjidhja ata shkrimtarë, të cilët janë deri diku të njohur. Pra në këtë antologji nuk ka autorë të pazbuluar, të gjithë janë me reputacion në Gjermani.
Deutsche Welle: Libri do të prezantohet edhe në gjuhët e rajonit. Cili është efekti që shpresoni të ketë botimi i njëhershëm në shumë gjuhë?
Svarç: Është e vërtetë që shumica e shkrimtarëve janë të njohur në Gjermani, prandaj edhe ndikimi më i madh që shpresojmë të ketë ky libër do të jetë në vendet e rajonit. Kështu për shembull shqiptarët do të mund të njihnin autorët sllovenë ose kroatë, dhe anasjelltas. Por ekziston edhe një rrezik, që reagimi nga vendet të mos jetë shumë pozitiv. Besoj që do të ketë zëra që do të ankohen se vendi i tyre nuk është prezantuar si duhet. Por të paktën ne e bëmë një përpjekje, tani shpresojmë që kjo do të sjellë diçka të mirë.
Deutsche Welle: Kur lexon librin të krijohet përshtypja se ky "tjetri, aty pranë" është një i huaj i urryer. Kështu për shembull, Milenko Jargovaç e përshkruan Kroacinë e Tuxhmanit si "vendin e urrejtjes" ndërsa Beqë Cufaj thotë se ne na kanë edukuar me frymën e urrejtjes.
Svarç: Urrejtja është një fjalë e tepruar. Nga përvoja ime me ish-Jugosllavinë mund të them se nuk ka pasur urrejtje: Tjetri, ishte i huaj, ndoshta ishte pak i çuditshëm, por nuk mund të thuhet se ai ishte aq i urryer saqë të kalohej në dhunë. Pra nuk ishte urrejtja ajo që solli tek luftrat. Por anasjelltas: ishin luftrat, të paraprira nga propaganda ose nga kjo frymë edukimi për të cilën flet Beqë Cufaj, ato që sollën më vonë urrejtjen.
Deutsche Welle: Ju po flisni vetë për përvojat tuaja personale. Është interesant fakti që ju vini gjithashtu nga një gadishull evropian, ku popujt kanë një kulturë shumë të ngjashme me njëri-tjetrin, por ata i zgjidhin problemet e tyre në një mënyrë tjetër. Cili është shkaku, sipas mendimit tuaj?
Svarç: Ne me këto probleme jemi konfrontuar para shumë shekujsh. Edhe ne atëherë u sollëm ashtu si në Ballkan. Por që atëherë kemi pasur fat, sepse kishim paqe dhe një traditë të pathyer demokratike. Por në se kemi fat, edhe Ballkani mund të arrijë në këtë nivel komunikimi. Kjo do të ndodhë kur ai të hyjë në Bashkimin Evropian, përndryshe shpresat janë të pakta.
Deutsche Welle: Në antologji, letrat shqiptare përfaqësohen nga dy shkrimtarët nga Shqipëria Ismail Kadare dhe Fatos Kongoli, Beqë Cufaj nga Kosova dhe Luan Starova nga Maqedonia. Si e vlerësoni ju letërsinë shqipe në përgjithësi?
Svarç: Unë për fat të keq nuk mund të them shumë, sepse çdo gjë që kam lexuar unë është nga përkthimet. Përvoja ime me e parë me letërsinë shqipe është me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Përkthimet e tyre besoj se atëherë bëheshin në Tiranë. Por Ismail Kadare është një shkrimtar i rëndësishëm evropian. Pikë. Kjo kështu është.
Deutsche Welle: E megjithatë, atij as këtë vit nuk iu dha çmimi Nobel.
Svarç: Në se mund të flitet për një traditë të letërsisë evropiano/orientale, atëherë mund të thuhet se shkrimtari i madh i saj është Ivo Andriç. Ismail Kadare bën pjesë në këtë traditë, dhe është gjithashtu i kalibrit të Andriçit ose ndoshta aty afër. Pamuku, i cili e mori çmimin Nobel një vit më parë bën pjesë gjithashtu në këtë traditë, ndoshta ai nuk është kaq i mirë sa Kadare, por gjithsesi, ai e mori çmimin, kështu që do të ishte pak e vështirë të mendoje, që Akademia t’ia jepte çmimin sërish një letrari të kësaj tradite.
Deutsche Welle: Ju keni qenë në Shqipëri për herë të parë në vitin 1978. Në atë kohë Shqipëria ndodhej ende në ethet e luftës së klasave. Cilat ishin përshtypjet tuaja?
Svarç: Vizita ime ishte shumë formale. Unë kisha shumë vite që isha përpjekur për të hyrë në Shqipëri, por nuk më lejonin. Por mbas prerjes së marrëdhënieve me kinezët, Tirana filloi të kuptonte se nuk mund të izolohej tërësisht dhe filloi të flirtonte me vende neutrale, siç ishte Suedia. Kështu që unë hyra aty si gazetar suedez. U prezantova në lidhje me miqësinë shqiptaro suedeze. Por unë nuk kisha lidhje fare me këtë. E tëra ishte qesharake. Dhe ishte një inskenim i tipit stalinist. Më përgjonin ngado. Nganjëherë arrija të shkëputesha dhe të dilja vetëm rrugëve, mbrëmjeve ose netëve.
Deutsche Welle: Mund të flisnit me njerzit?
Svarç: Po, sepse ata ishin shumë të gatshëm të flisnin, sapo më shihnin vetëm.
Deutsche Welle: Në ç’gjuhë komunikonit?
Svarç: Shqiptarët me sa duket janë shumë të talentuar për gjuhë. Edhe nëpër fshatrat më të humbura që ne i vizituam zyrtarisht kishte njerëz që flisnin gjuhë të huaja. Shumë syresh flisnin italisht, por kishte edhe ca që flisnin serbokroatisht, madje burra të moshuar që flisnin shumë bukur gjermanishten nga koha e luftës?
Deutsche Welle: A ju tronditi takimi me Shqipërinë?
Svarç: Unë e dija se si është një shtet komunist, sepse kisha studiuar në Pragë dhe e kuptova menjëherë që këtu kemi të bëjmë me një diktaturë të tmerrshme.
Deutsche Welle: Si është Shqipëria sot, tani krahasuar me atë kohë më parë
Svarç: E larme dhe kaotike.
Anila Shuka : Dw-World.de











