Cili ka qenë kontakti juaj i parë me shqiptarët?
Kontaktin tim të parë e kam pasur në librarinë time në qytezën e Riverwiev-s, ku vinin shpeshherë shumë shqiptarë, të cilët kërkonin libra të ndryshëm. Ata dukeshin shumë të interesuar. Kishin dëshirë për të studiuar. Në qytetin ku është libraria, megjithëse është një qytezë e vogël, ka një komunitet të madh shqiptarësh. Po ashtu edhe në Detroit. Kjo përcaktoi dhe afroi planet e mia për ngritjen e kësaj librarie, e cila funksionon prej shumë kohësh. Unë kam pasur kontakte edhe me Thoma Gëllçin, i cili më ndihmoi që të lidhja kontaktet edhe me gazetën “Iliria”, botim i komunitetit shqiptar në SHBA.
Si lindi ideja për të ngritur një librari edhe me libra dhe DVD në gjuhën shqipe?
Fillimisht bisedova me zotin Gëllçi për vënien në funksion të kësaj librarie dhe pasi diskutuam në parim, kaluan në realizimin e planit. Bashkërisht biseduam për gjetjen e librave në gjuhën shqipe, të DVD-ve dhe kasetave të ndryshme, librave në gjuhën shqipe, gazetave dhe revistave etj. Tashmë në këtë projekt është e përfshirë edhe bashkëshortja e zotit Gëllçi, Dajana. Tani po punojmë bashkërisht atje. Kemi shumë persona që punojnë vullnetarë.
Cili është frekuentimi që ka aktualisht libraria nga komuniteti shqiptar atje? Çfarë shërbimesh ofrohen?
Gjithçka po ecën shumë mirë. Një herë në muaj vijnë 25 fëmijë në këtë qendër, ku zhvillohen programe për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Flasin dhe lexojnë në gjuhën e tyre. Zhvillojmë kurse të ndryshme. Në këtë librari kemi të punësuar tre persona. Kjo më ka bërë edhe muaj që të mësoj pak gjuhën tuaj. Për ne, kryesorja është ofrimi i materialeve të ndryshme në gjuhën shqipe për komunitetin shqiptar atje. Materiale në formate elektronike, gazeta, programe të ndryshme për fëmijë. Aktualisht, e rëndësishme për shqiptarët emigrantë, sidomos për fëmijët, është të ruajnë dhe të mbajnë kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. Disa prej tyre përpiqen që të mësojnë gjuhën shqipe.
Këtu japim rekomandime të ndryshme për shqiptarët që duan të studiojnë apo punojnë. Kam arritur në përfundimin se shqiptarët janë të interesuar për t’u edukuar, ndonëse janë në rrethana jo shumë të favorshme.
Cilat janë planet që keni në të ardhmen për librarinë publike në Riverwiev në lidhje me librin shqip?
Së pari, jemi duke organizuar programe të shkëmbimit dhe bashkëpunimit të librarisë tonë me të tjerat kudo, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Shqipëri dhe vende të tjera ku ka emigrantë shqiptarë. Së dyti, po punojmë për ngritjen e klasave për mësimin e gjuhës shqipe. Në të ardhmen mund të bëjmë diçka më shumë për ofrimin e informacioneve sa më të shumta në gjuhën shqipe. Me Dajanën po punojmë edhe për plane të tjera që do t’i ofrohen komunitetit shqiptar atje.
A keni ndonjë mesazh për klasën politike shqiptare dhe institucionet e tjera në lidhje me politikat që duhet të ndjekin për diasporën, sidomos që brezat e rinj të mos harrojnë gjuhën dhe kulturën e vendit të tyre?
Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që të rinjve shqiptarë në emigrim t’u ofrohet literaturë në gjuhën shqipe. Këtë fakt e diskutova edhe me shefin e kabinetit të kryeministrit. Për këtë qeveria duhet të asistojë sidomos për ngritjen e librarive që të shërbejnë për mësimin e gjuhën shqipe dhe mbajtjen gjallë të kulturës kombëtare. Në këtë nismë ftoj që të bashkohen edhe shumë botues që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Kjo eksperiencë që po aplikojmë ne duhet të shtrihet edhe në librari të tjera, jo vetëm në Miçigan, por edhe në zona të tjera në SHBA. Qeveria shqiptare mund të përfshihet në këto nisma. Pak kohë më parë është lançuar një nismë për hapjen e kurseve të mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve. Ajo mund të japë fonde për mbështetjen e programeve, libra apo materiale të tjera.
Si e perceptoni dhe çfarë ndjesish keni në lidhje me marrëdhëniet zyrtare që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, të cilat kohët e fundit shënuan edhe momentin kulmor me vizitën e presidentit Bush?
Këto marrëdhënie po shkojnë gjithnjë e më përpara. Janë shumë të mirë. Kam parë edhe tek shqiptarët që janë të kënaqur për miqësinë e vendit të tyre me SHBA-të. Por kuptoj se Bashkimi Europian nuk e sheh shumë pozitivisht këtë lloj marrëdhënieje, pasi dihen qëndrimet e ndryshme që ne kemi me disa vende të BE-së për Irakun, Iranin dhe çështje të tjera.
Marre nga : Gazeta Albania











