Kloni i pacensuruar i Belit

Kloni i pacensuruar i Bëlit

Gjithçka ndodh në mendjen e njeriut. Aty ka luftë, ka diktaturë, ka naivitet, braktisje. Një kloun ndoshta nuk i sheh gjërat ndryshe nga të tjerët, vetëm se ai ka dhuntinë të qeshë edhe kur duhet të qajë. "Me syrin e një klouni" romani i nobelistit gjerman Hajnrih Bël (Heinrich Böll) vihet në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, (11, 12 dhe 13 tetor) e përshtatur si monodramë nga përkthyesi i kësaj vepre në shqip, Ardian Klosi. "Me syrin e një klouni" është drama e artistit të përjashtuar nga shoqëria, familja, e dashura, për arsye të antikonformizmit dhe rebelimit ndaj normave sunduese në shoqërinë e mirëqenies ekonomike, qarqet kishtare dhe botën e shoë-biznesit, për arsye të mospajtimit me fshehjen dhe shtrembërimin e së kaluarës. Është kjo që e bën dramën universale edhe pse Böll i referohet realitetit gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore.

Sipas regjisores Ema Andrea "asgjë nuk ndryshon nëse bëhet fjalë për periudhën pas luftës, për një diktaturë, apo një shoqëri civile të dhunshme. Ne jemi bazuar tek e vërteta njerëzore e artistit, që nuk ka kohë". Andrea e ka konceptuar vënien në skenë të pjesës të shtrirë në kohë, por brenda mendjes së njeriut. "Pjesa nuk është abstrakte. Gjërat thuhen sigurisht, flitet edhe për luftën, meqenëse ngjarjet zhvillohen pikërisht pas saj, por ajo që ne na intereson më shumë është njeriu, fati i tij, çfarë ndodh me të", - thotë regjisorja e cila brenda një viti po vë në skenë autorin e dytë gjerman, pas "Dasmë qytetase" të Bertold Breht. Linja që ajo ka ndjekur me monodramën që interpretohet nga Neritan Liçaj, është linja e artistit, e zgjedhjeve që ai duhet të bëjë, e forcës për të filluar gjithçka nga e para dhe "aq më tepër kur bëhet fjalë për një kloun, që qesh me problemet e kohës". Gjithçka vërtitet rreth Hans Schnier-it, një artisti 27-vjeçar, interpretuar nga Liçaj, që megjithëse ndihet i braktisur, vazhdon të jetë aq naiv saqë vazhdon të shpresojë tek humanizmi. Në një orë monodrame, i dehur, ai qëndron i ulur në apartamentin e zbrazët dhe kërkon ndihmë dhe ngushëllim. Ajo çka ai do më shumë është që t'i kthehet sërish dashuria e humbur. Andrea thotë se pika e fortë e shfaqjes është pikërisht forca aktoriale. "Vepra është ndërtuar mbi elementë të kursyer regjisorialë dhe gjithçka bazohet tek trupi i aktorit, duke qenë se bëhet fjalë edhe për kloun, i cili më shumë vepron se flet". Edhe pse protagonizmi i takon vetëm klounit, janë përfshirë edhe zëra të tjerë. Madje mes tyre është edhe një qenie hermafrodite që interpretohet nga vetë Andrea, për të përfaqësuar të tërën. Në funksion të kësaj ideje është edhe skenografia, e realizuar nga piktori i njohur Edi Hila. Është një skenë e thjeshtë bardhë e zi, si për të treguar kontrastin mbi të cilën është ndërtuar jeta. Një skenografi që të jep mundësinë të fokusohesh tek personazhi, tek ajo çka ai thotë dhe bën.

Vepra "Me syrin e një klouni" ("Ansichten eines Cloëns") është një nga më të suksesshmet e Heinrich Böll, bashkë me "Nderin e humbur të Katerina Blumit". U botua në shqip në 1984. Megjithë pjesët e censuruara, pati jehonë të veçantë në rininë dhe intelektualët shqiptarë të kohës. Janë prerë skenat e dashurisë, ose tallja e klounit me shtetin komunist të Gjermanisë Lindore, gjatë një vizite që ky bën në Erfurt, ku nuk e lënë të shfaqë asnjë nga numrat e parashikuar. Megjithatë sipas përkthyesit Klosi suksesi që pati në atë kohë romani shpjegohej me atë që "Klouni që koleksionon çaste sikur gjeti fjalët për jetën tonë".

Autori i tij Heinrich Böll (1907-1985) para përkthimit të tij në shqip, kishte kohë që ishte bërë një nga figurat qendrore të letërsisë gjermane të pasluftës dhe ndër krijuesit e grupit letrar '47 që bashkoi emrat kryesorë të letërsisë së re, e cila filloi në "orën zero" pas katastrofës që i shkaktoi Gjermanisë nacional-socializmi. Në një numër romanesh e tregimesh ai bën thirrje për mosharrim të së kaluarës dhe për pastrimin shpirtëror të shoqërisë nga hipokrizia dhe demagogjia. Shkrimtari u angazhua edhe për largimin e figurave të dyshimta nga politika e lartë, dhunën shtetërore në emër të luftës kundër terrorizmit. Në shqip janë përkthyer dhe "Ku ishe ti, Adam?" dhe "Kthimi në shtëpi" (Afrim Koçi), "Nderi i humbur i Katharina Blumit" (Robert Schëartz) si dhe një numër tregimesh.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama