Hadrianopoli nuk behet dot park arkeologjik

Hadrianopoli nuk bëhet dot park arkeologjik

Projekti i bonifikimit ndante këtë zonë arkeologjike në epiqendër të Luginës së Drinos përreth teatrit antik të Sofratikës në dy zona kryesore. Sipas ark. Fabrico Torresi, në zonën e parë të përcaktuar si Zona A përfshihet një territor i mbrojtur tërësisht, ku nuk do lejohet asnjë lloj ndërtimi dhe ku shtrihen rrënojat e bërthamës së qytetit të vjetër dhe rekropolit të tij, identifikuar nga arkeologët italianë me metodën e kërkimeve me gjeoradar nga ekspertët e Rajonit të Markeve në Itali. Ndërsa në zonën e dytë përfshihet territori përreth teatrit dhe nekropolit (varrezave). Gjatë mbledhjes ka pasur debate të shumta lidhur me kompetencën e shpalljes "park arkeologjik", e cila i përket Këshillit Kombëtar të Rregullim Territorit dhe lidhur me faktin që projekti duhet medoemos të ketë miratimin dhe bashkëpunimin e komunës ku shtrihet qyteti antik. Ideja për kthimin e kësaj zone në park arkeologjik me vendim të KRRT të Qarkut të Gjirokastrës u kundërshtua nga drejtori i DRM, Spartak Drasa. Ndërkohë, mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit të hartuesve të projektit me specialistët e Komunës së Dropullit të Poshtëm e theksoi në këtë debat kreu i kësaj komune, Dhimitër Maluqi.

Ky i fundit ka kontestuar anashkalimin e institucioneve të qeverisjes vendore, pasi projekti përfshin një territor të gjerë në pronësi private dhe me interesa të pronarëve për të bërë ndërtime të reja. Inxhinieri italian, Fabrizio Torresi, prezantoi idenë e projektit dhe elementët e planit urbanistik. Anëtarët e tjerë të Këshillit dhanë mendime që projekti të mos kalonte si park arkeologjik, pasi nuk është në kompetencë të tyre, por të kalojë si një propozim për instancat që kanë kompetencë ligjore për ta shpallur atë. Në fund, KRRT e qarkut votoi dhe miratoi propozimin për Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Institutin e Arkeologjisë për ta trajtuar ligjërisht këtë pasuri të madhe arkeologjike me një status të veçantë, ndërkohë që kryetari i Këshillit të Qarkut, Arben Culli, kërkoi prej drejtuesve të Komunës së Dropullit të Poshtëm që në këtë zonë të mbrojtur të mos kryhen ndërtime të reja pa miratimin e DRMK Gjirokastër. Në gusht të këtij vitit është rikthyer në Sofratikë një ekspeditë arkeologjike shqiptaro-italiane dhe kërkimet e këtij viti u përqendruan në zonën pranë teatrit antik. Sipas deklarimit të arkeologut italian Roberto Perna, për mediat vendase, gjatë afro një muaji pune arkeologët kanë arritur të zbulojnë fragmente muresh të ndërtesave publike, të cilat rrethonin sheshin kryesor të këtij qyteti në periudhën e lulëzimit të plotë të qytetit romak. Këto ndërtesa datojnë rreth shekullit V të pas erës sonë. Ndërkohë, pjesë e punës së ekspeditës arkeologjike është edhe përcaktimi i kufijve të shtrirjes së qytetit antik të Hadrianopolit. Krahas kërkimeve arkeologjike, specialistët italianë kanë nisur edhe restaurimin e fragmenteve të ndërtimeve antike të nxjerra së fundmi në dritë.

Këto kërkime synojnë ta kthejnë qytetin antik të Hadrianopolit në një mjedis të vizitueshëm nga turistët vendas dhe të huaj, duke nxitur kështu zhvillimin e turizmit kulturor në këtë zonë. Gjatë gërmimeve të fundit, arkeologët italianë kanë mundur të evidentojnë objekte dhe ndërtime që u përkasin dy shtresave kulturore të këtij qyteti, shtresës së ndërtimeve të periudhës së perandorit Hadrian dhe një shtresëzimi të dytë më të vonë, që i përket periudhës historike të perandorit Justinian. Këto dy shtresa historike, sipas arkeologut italian Roberto Perna, dallohen qartë nga teknikat e përdorura në ndërtimin e mureve të banesave, që tani për tani nga ana funksionale mendohet se u përkasin disa banjave romake të këtij qyteti. Debatet e fundit për kthimin në park arkeologjik të Hadrianopolit lidhen me respektimin e kompetencave të institucioneve të specializuara për të bërë propozime dhe me dy probleme ligjore. Së pari, sepse sipas ligjit shqiptar për trashëgiminë kulturore, pas tërheqjes nga drejtimi i kësaj ekspedite e bashkëdrejtorit shqiptar Prof. Dr. Apolon Bace, ekspedita nuk kishte asnjë përfaqësues të autorizuar nga Instituti Arkeologjik për ndjekjen dhe vazhdimin e punimeve dhe së dyti, objektet e gjetura gjatë kërkimeve arkeologjike të kësaj ekspedite nuk janë të siguruara sipas ligjit me roje në institucione shtetërore të garantuara me roje shtetërore apo private, por janë të depozituara në një magazinë private në zonën e Viroit, jashtë qytetit të Gjirokastrës, pa asnjë lloj sigurie ligjore.

Per me shume info. per Gjirokastren klikoni ketu

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama