Pak vjeshte me arome Spanje

Pak vjeshtë me aromë Spanje

Bëhet fjalë për javën e katërt të filmit spanjoll në Tiranë të titulluar “Historia e Metamorfozës”, një iniciativë e vënë në lëvizje që vitin e kaluar.

Veprimtaritë kulturore të organizuara nga ambasada spanjolle në vendin tonë, kanë objektivin e promovimit të artit të shtatë si mjet për shprehjen kulturore, dhe në këtë rast, si një pasqyrim i shkëlqyer i të kaluarës dhe të tashmes së shoqërisë spanjolle.

Do të jetë një cikël prej pesë filmash që kanë në fokus transformimet sociale në Spanjën e dhjetëvjeçarëve të fundit, ndryshimet e thella politike dhe ekonomike që kanë sjellë këto transformime. Filmat që kanë në qendër Spanjën e viteve 1940-2007, dekadat e një shoqërie në ndryshim.

Ky cikël ka nisur në sallën e kinemasë së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” (QNK), me filmin e Mario Camus “Kosherja”, bazuar në veprën e nobelistit Camilo Jose Cela.

60 vite histori

Do të vazhdojë të shfaqet sot në po të njëjtën orë (19:00), filmi i Carlo Iglesias “Një frangë, 14 peseta”; të mërkurën 10 tetor, “Jetë dhe ngjyrë”, nga Santiago Tabernero; të enjten 11 tetor, “Çfarë kam bërë për të merituar këtë?“ nga Pedro Almodovar dhe të premten 12 tetor, “Metoda” me regji të Marcelo Pineyro.

Do të jetë një udhëtim përgjatë 60 viteve të historisë së kohëve të fundit në Spanjë, një shoqërie në ndryshim, nga duar të regjisorëve të famshëm të kinemasë spanjolle, si Mario Camus dhe Pedro Almodovar, dhe të dy regjisorëve të panjohur për publikun shqiptar, të cilët debutuan në kinematografi pikërisht me dy filmat e përzgjedhur për këtë event, si Carlo Iglesias dhe Santiago Tabernero. Ndërsa kineasti hispano-argjentinas Marcelo Pineyro do të shpalosë me artin e tij ravijëzime të një aspekti të botës së biznesit të ditëve tona të vendosur në Spanjë.

Në premierën e natës së parë, publiku ka jetuar së bashku me personazhet vitet e para të pasluftës, të dominuara nga uria dhe mungesa e lirisë. Është panorama e pasqyruar në filmin “Kosherja” (La Colmena), një realizim i Mario Camus. Gjatë dimrit të vitit 1942, qyteti i Madridit vuan nga uria, shtypja dhe një sërë fatkeqësish të tjera. Në një kafene të quajtur “La delicia”, gjashtëdhjetë persona të ndryshëm njëri nga tjetri ndërthurin dhe mbivendosin problemet e tyre dhe mbijetesën e përditshme. Një film i inspiruar nga novela me të njëjtin titull e shkrimtarit Camilo Jose Cela (i cili shfaqet dhe në film), autor i vlerësuar me çmimin Nobel në letërsi.

Periudha e vështirë e epokës së Frankos, vitet 50-60, gjatë të cilave pjesa më e madhe e popullsisë braktis fshatin për të ndërmarrë një udhëtim drejt qyteteve dhe drejt Evropës së progresit. Ky është skenari i protagonistëve të filmit “Një frangë, 14 peseta”. Vitet 80-të sinjifikuan konsolidimin e demokracisë dhe iniciuan një epokëntë modernizimit ekonomik dhe social. Bashkë me ndryshimet politiko-ekonomike, vjen dhe një ndryshim esencial në shoqërinë spanjolle lidhur me familjen, të cilin mund ta quajmë si fundin e familjes tradicionale.” Çfarë kam bërë për ta merituar këtë?” Paraqet krizën martesore të një familjeje të shtresës së mesme në Madrid, në vitet 85. Në vitet në vazhdim, transformimi kryesor ndodh në fushën e marrëdhënieve sociale. Gruaja përfshihet në sferën edukative dhe profesionale. Ajo konkurron në tregun e punës si një nga protagonistët e filmit “Metoda” dhe lufton për mbijetesë.

Spektatori shqiptar do të mundë të përfshihet në këtë mënyrë në jetën e një populli tjetër mesdhetar, që bën shpeshherë një jetë jo të lehtë.

Njohjen dhe shkëmbimin e kësaj kulture të përbashkët synon të realizojë organizimi i ambasadës spanjolle, ku një nga iniciatorët është edhe vetë ambasadori i saj Manuel Montobbio.

“Spanja dhe Shqipëria janë dy vende mesdhetare me shumë gjëra të përbashkëta në shpirt dhe kulturë. Dhe padyshim, nuk njihen aq sa duhet me njëri-tjetrin”, - është shprehur ai.

Diplomati Montobbio thekson gjithashtu se kjo sipërmarrje shënon hapat rreth asaj metamorfoze që spanjollët kanë përjetuar gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, hapa përmes të cilëve synohet të kontribuohet edhe në Shqipëri.

“Çdo kulturë, - thotë Manuel Montobbio, - nënkupton një vizion të botës: ne ju ftojmë ta shikoni atë me sytë tanë”.

Marre nga : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama