Butrinti siti qe mbledh restauratore nga vendet e Ballkanit

Butrinti, siti që mbledh restauratorë nga vendet e Ballkanit

Albana Hakani, arkeologe e Parkut të Butrintit dhe organizatore asistente e projektit, tregon se ky është i pari kurs që organizohet në Shqipëri. Arkeologë, studiues, restauratorë dhe studentë të ardhur nga siti arkeologjik i Viminaciumit në Serbi, nga siti prehistorik i Vinçes afër Beogradit, nga sitet arkeologjike të Trogir në Kroaci dhe sitet arkeologjike të qyteteve Krushovac dhe Varrshac në Serbi, punonjës nga muzeu kombëtar Beograd, nga Akademia Kombëtare e Arteve në Bullgari, nga Instituti i Monumenteve të Bosnjë-Hercegovinës, nga Ministria e Kulturës në Kroaci, janë bërë pjesë e auditorit të leksioneve që trajtohen në mjediset e Ksamilit dhe të konsolidimeve që kryhen në Butrint.

E ka mundësuar IÇROM - Qendra Ndërkombëtare për Konsolidimin dhe Restaurimin e Trashëgimisë Kulturore me qendër në Romë. Partnere më të janë Parku Kombëtar i Butrintit e fondacioni "Butrinti", duke pasur mbështetjen e UNESCO-s dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane. Kroacia, Gjeorgjia, Serbia, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria janë vendet e përfaqësuara dhe përfituese nga ky projekt, që shtrihet në kohë nga 1 deri më 26 tetor.

Trajnimi intensiv ka nisur me anën teorike në mjediset e "Dea"-s, ku trajtohen tema teorike dhe debatohet mes pjesëmarrësve për secilën prej tyre. Lektorët janë autoritete në fushat e tyre, si: Valerie Magar, përfaqësuese e IÇROM, menaxhere projekti, Dr. Lorenc Bejko, drejtor i Institutit Shqiptar të Monumenteve të Kulturës, Stefano Pulgo e Corado Pedeli nga Italia, me eksperiencë 20-vjeçare në fushën e konservimit arkeologjik dhe persona që gjithmonë kontaktohen nga IÇROM. Këtyre personaliteteve u bashkëngjiten edhe Albana Hakani e As. Prof. Ylli Cerova nga Parku Kombëtar i Butrintit, Elenita Roshi, master, menaxhere me eksperiencë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, që punon në zyrën e Packard në Gjirokastër etj. Gjatë trajnimit pritet të jenë prezent edhe dy ekspertë që vijnë nga siti i Ercoano në jugun italian, në afërsi me Napolin, pranë Pompeit. Bashkë me të vijnë lektore Monica Marteli, Paola Pesaresi, si dhe anglezja Rene Rice, e cila ka 2-3 vjet që punon në Butrint në specialitetin e konservueses. Rumpert Smith, drejtor i fondacionit "Butrinti" është prezent me kontributin financiar dhe profesional njëherësh.

Butrinti është terreni praktik i realizimit të metodave bashkëkohore të restaurimit dhe konsolidimit të asaj që është gërmuar e zbuluar në vite. Është programuar të kryhen ndërhyrje konservuese në atë që cilësohet si sit pritës për arkeologë e restauratorë nga vendet e Ballkanit. Janë përcaktuar dhe identifikuar materialet ku do të ndërhyhet me konservim në Butrint, sikurse janë muret me dekorime, tulla apo qeramikë.

Qëllimi i trajnimit është për të përgatitur edhe më shumë profesionistë në drejtim të konservimit, por edhe për të bashkëpunuar ndërinstitucionalisht mes këtyre vendeve. Arkeologia Albana Hakani ka qenë pjesëmarrëse në trajnime analoge që janë kryer për dy vite radhazi në Serbi, ndërkohë që kjo është hera e parë që ai është zhvendosur në Shqipëri dhe vitin e ardhshëm është programuar të vazhdojë në Kroaci. Ky është i pari kurs që IÇROM organizon në Shqipëri, me qëllim konservimin arkeologjik. Trajnimi i Ksamilit dhe Butrintit i paraprin nisjes së shkollës së parë të restaurimit në Tiranë gjatë muajit nëntor, me pjesëmarrjen e 20 profesionistëve të kësaj fushe.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama