Anjeza Shahini enderron te behet si Vace zela

Anjeza Shahini ëndërron të bëhet si Vace zela

Një adoleshente me ëndrra dhe dëshira pa fund do të linte me gojë hapur kompozitorët më të njohur të vendit me talentin dhe dhuntinë e saj. Ishte një vajzë e re në moshë por me një zë të pjekur dhe paraqitje të mirë në skenë. Dyert e karrierës iu hapën pa vështirësi dhe suksesi do të ishte i garantuar. Madje ajo do të arrinte të rrëmbente trofetë më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, duke lënë pas emra të njohur të skenës. Anjeza Shahini është përfaqësuesja e parë e Shqipërisë në Festivalin Evropian të Këngës dhe vazhdon të jetë më e suksesshmja shqiptare që shkeli skenën e Evrovizionit. Krejt papritur, atëherë kur arritjet profesionale shtoheshin ditë pas dite, këngëtarja vendos të largohet nga Shqipëria për të studiuar muzikën pop në Austri; një jetë ndryshe nga ajo e një vajze të famshme, që të gjithë më pas do ta kishin si shembull, larg vëmendjes së vazhdueshme të kalimtarëve në rrugë, por edhe të medias.

Por edhe atje, Anjeza nuk ndihej e plotësuar. Mungesa më e madhe ishte pikërisht publiku, skena dhe karriera e saj. Tashmë, ajo ndodhet në Shqipëri dhe pas pjesëmarrjes në “Anijen e Artistëve”, në “Vizion Plus”, ajo do të jetë sërish pjesë e një tjetër spektakli televiziv. “Këngët e Shekullit” është impenjimi më i fundit i saj, pa lënë pas projektet që lidhen me albumin e parë, por edhe surpriza më e afërt, pjesëmarrja në festivalin “Kënga Magjike 2007”. Në intervistën ekskluzive për “Albanian Mail”, Shahini premton një interpretim ndryshe, mbase një bashkëpunim, por nuk preferon të thotë më shumë. Projektet e njëpasnjëshme të këngëtares duket se do të plotësojnë atë mungesë dyvjeçare të shkëputjes nga skena si dhe do të sjellin pranë publikut një vajzë tashmë të rritur dhe me ambicie të tjera. Suksesi padyshim nuk e ka harruar Anjezën, ndaj sërish ajo do të jetë ndër emrat më të preferuar të këngës së lehtë shqiptare. Idhulli i saj është Vaçe Zela. Ëndrra e saj; të studiojë në Angli.

Dy vite larg skenës dhe larg Shqipërisë? Përse iku Anjeza?
Kam qenë me studime në Austri, një program dyvjeçar për studimin e muzikës “pop”. Ndoshta dhe vetë kisha dëshirë të bëja një pushim për t`u rikthyer me ide të reja.

E ke ndjerë mungesën e famës gjatë këtyre dy viteve qëndrimi në Austri?
Ka patur raste kur jam takuar me shqiptarë, pasi edhe atje ka një komunitet të gjerë shqiptarësh nga të gjitha trevat dhe hera herës më ndodhte që ata të më njihnin. Kjo e ka plotësuar atë mungesën e famës por jam ndjerë tepër e lirë në gjithçka që bëja.

Përse vendose të studioje atje dhe jo në Shqipëri?
Ishte diçka që e kam vendosur me bindjen time, pasi kisha nevojë të merrja leksione muzike në një mënyrë tjetër. Në Shqipëri kemi një mënyrë klasike të të mësuarit muzikë. Vendosa për në Austri pasi atje nënshkrova edhe një kontratë me një menaxher austriak.

Tani që je rikthyer në Tiranë, cilat janë planet tua?
Kam vendosur që të paktën këtë vit të jem në Shqipëri për të zhvilluar aktivitetet që kam. Dëshiroj të jem më pranë publikut shqiptar dhe ndërkohë do të shoh më qartë se çfarë universiteti do të ndjek.

Universitet shqiptar apo diku jashtë sërish?
Të them të drejtën, jam për studimet jashtë vendit. Ende nuk e shoh veten studente në Shqipëri. Ndihem mirë si këngëtare këtu, por jo si studente. Të jesh studente kërkohet një privati. Eksperienca në Austri ishte shumë efektive, ndaj dëshiroj të studioj sërish diku jashtë Shqipërisë. Kam një ëndërr të vjetër për të studiuar në Angli. Ideja më erdhi në kokë kur konkurroja në spektaklin “Ethet e së premtes”. Atëherë u fol se fituesi mund të fitonte një të drejtë studimi për në Angli. Ajo mbeti thjeshtë një thashetheme, por mua më mbeti në kokë. Jetës nuk i dihet. Një ditë mund të jem në ndonjë auditorium të Londrës si studente. Atje do të më keni më pranë (qesh).

Sapo u riktheve, menjëherë i hyre spektaklit televiziv. Tashmë të pret një tjetër spektakël.
Kur vija për pushime në Shqipëri, ashtu sikurse edhe ti, të gjithë më pyesnin: “Ku ke humbur?”. Kjo pyetje nuk më pëlqen aspak dhe mënyra më e mirë për të ardhur sërish pranë publikut ishte oferta që mora nga organizatorët e këtyre spektakleve. “Anija e Artistëve” ishte një eksperiencë shumë interesante dhe kalova shumë mirë aty, sikurse e pranova me shumë kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e “Këngëve të Shekullit”. Arsyeja ishte se unë i kam shumë përzemër këngët e vjetra të muzikës së lehtë shqiptare dhe është kënaqësi për mua të këndoj këngë të artistëve të mëdhenj shqiptarë.

Këngët e cilës këngëtare do ti përzgjidhje për t`i interpretuar?
Shumë këngë janë përzgjedhur vitin e kaluar por ende ka shumë të tjera. Ndoshta do të përzgjedhja këngët e këngëtares time të preferuar Vaçe Zela, që fatmirësisht unë i kam kënduar edhe më parë në “Ethet e së premtes”, por atëherë isha në konkurs ndërsa sot do t`i interpretoj në një spektakël. Janë dy këngët e fundit të saj që kanë mbetur të paprekura dhe të tjerat janë këngë të artistëve të ndryshëm. Përzgjodha ashtu një këngë të Anita Bitrit, për vetë faktin se ajo nuk e ka këtë mundësi.

Nuk ke asnjë album në treg. Kur do të ndodhë kjo?
Sigurisht që albumi është pjesë e planeve të mia. Është mirë që një artist të ketë shumë albume në arkivin e tij, por të jem e sinqertë, për mua e rëndësishme është të jem tek publiku me këngë të reja. Po pres që në Shqipëri të marrin fund disa probleme që kanë të bëjnë me të drejtën e autorit dhe kam besim se do të ndryshojnë. Gjatë qëndrimit tim në Austri, kam përfunduar një album. Problemi që përmenda më lart bëri që unë të mos e hidhja në treg këtu.

Rikthehemi në eksperiencën tënde në Evrovizion. Si e kujton sot atë moment?
Festivali Evropian për mua ka qenë një eveniment i madh. Ai më ka dhënë një emocion të jashtëzakonshëm. Në atë kohë, unë isha vetëm 17 vjeç dhe të përjetosh atë sukses dhe përgjegjësi aq të madhe ishte shumë e vështirë. Padyshim do të mbetet gjithmonë në kujtesën time si një ndër momentet më të veçanta që kam kaluar.

Përfaqësuesit e tjerë të Shqipërisë, pas jush, nuk arritën ta mbanin atë pozicion që arritët ju. Si e komenton këtë fakt?
Ajo portë është hapur. Ne thjesht jemi pjesëtarë të festivalit evropian dhe nuk kemi limit kohor, ose të na duhet patjetër një fitore përndryshe skualifikohemi nga gara. Thjesht jemi të barabartë me të tjerët. Problemi pse nuk u përfaqësuam aq mirë ishte synimi për të fituar dhe kjo na bën që të dështojmë. Unë nuk u nisa atje me synimin për të fituar dhe kjo bëri që të renditeshim mirë. Konkurrentët pas meje patën një optimizëm të tepruar për fitore, por ne kemi nevojë të jemi sa më origjinalë dhe jo të konkurrojmë me idenë për të fituar çmim.

Ke ndërmend t`i rikthehesh sërish konkurrimit në festivale?
Po. Kam kuptuar që ne shqiptarët e dëshirojmë konkurrimin (qesh). Dua të jem pjesë e festivaleve, por më parë duhet të përgatitem për një pjesëmarrje të tillë, të zgjedh një këngë që është e përshtatshme dhe po mendoj të marr pjesë në festivalin, “Kënga Magjike”, me një bashkëpunim shumë interesant por që nuk dëshiroj ta bëj publik për momentin.

Ç’po ndodh me jetën private?
Gjithçka vazhdon si më parë. Jam ende e vetme (qesh). Nuk kam çfarë të shtoj më shumë. Ndihem mirë kështu dhe nuk jam ende gati për një lidhje.

Karriera juaj numëron shumë suksese, po zhgënjime ka patur?
Sigurisht që ka momente zhgënjimi, pasi vetë arti është mbushur me momente zhgënjimi. Fatmirësisht, zhgënjimet për mua deri tani kanë qenë të moderueshme dhe nuk kanë lënë ndonjë të çarë në jetën time.

Ervis Maja : Albania Mail


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama