Një refleksion mbi komunikimin, në kohë të ndryshme dhe me njerëz të ndryshëm. Njërefleksion mbi ndryshimin e sistemeve politike e shoqërore dhe gjurmët që lë ky proces në arkitekturë. Instituti i Artit bashkëkohor në Tiranë (TICA) organizon sot në orën 18.00-22.00 një performancë shqiptaro-austriake. Bëhet fjalë për një bashkëpunim mes artistëve Martin Krenn nga Vienna dhe artistes shqiptare Suela Qoshja. Ndërsa kjo e fundit është më tepër e shqetësuar mbi komunikimin mes njerëzve, gjë që është edhe temë e ditës, artisti austriak, me kuriozitetin e një të huaji gërmon në atë çka qenë dhe ç'është Tirana. I mjaftojnë vetëm 17 vjet për të kuptuar gjithçka. "Në punën time, gjatë residencës bashkëpunova me Martin Krenn-in. Pyetjet që i bej në video, janë pjesë e një diskutimi tipik tavoline. Janë diskutime të cilat mund të bëhen për shembull gjatë një darke në Shqipëri. Në ketë punë, kam qenë e interesuar kërkoj se si komunikimi dhe krijimi i një dialogu, ndërtohet ndryshe, në shoqëri të ndryshme", -sqaron artistja Suela Qoshja.
Ndërsa Martin Krenn, ndryshe nga kolegia shqiptare ndalet tek fotografia. Nxitës është bërë një guidë e Tiranës, e botuar në vitin 1990. "Ditën e dytë të rezidencës sime, kërkova një libër në anglisht mbi Tiranën, prej Muzeut Kombëtar. Më dhanënën banak, një lloj guide turistike të botuar në gjermanisht/anglisht/frëngjisht/shqip më 1990. Pas rënies së murit të Berlinit më 1989, Shqipëria ishte i fundit shtet në Europë që kishte një sistem komunist (deri më 1992). Libri presupozohet të jetë një udhërrëfyes fotografik, sipas të cilit mund të vizitohen të gjitha ndërtesat e gjërat më atraktive të Enver Hoxhës e partisë së tij komuniste në Tiranë. Ai përfaqëson një qytet komunist perfekt", - thotë Kreen.
Këtu i lindi ideja të rifotografojë të gjitha vendet për të parë se si kishin ndryshuar pas 17 vjetësh. Një shembull tipik është Piramida, ish- muzeumi i Enver Hoxhës, ku deri pak kohë më parë kishte në majë një tabelë ku shkruhej "Mirësevini President Bush". "Përveç serisë së fotografive, pata mundësinë të bëja edhe një intervistë video me fotografin e librit origjinal, Petrit Kumi, prej të cilit munda të marr informacion shtesë mbi rrethanat në të cilat ishte prodhuar libri. Projekti im heton mekanizmin e retorikës ideologjike dhe politikës vizuale, sipas shembullit të një libri, i cili ish botuar gjatë ditëve të fundit të një regjimi totalitar komunist në Evropë. Ai gjithashtu na tregon në një mënyrë delikate se si kapitalizmi neo-liberal shkatërroi vendet që pavarësisht diktaturës, funksiononin mirë nga ana ekonomike e sociale", - thotë artisti.
Alma Mile : Gazeta Shekulli











