Dy jave me kulturen gjermane

Dy javë me kulturën gjermane

Klasikët gjermanë i kishin thyer muret që kishte vendosur komunizmi mes dy vendeve, kohë para se në Tiranë të hapej ambasada gjermane. Autorë si Gëte, ose Henri Bel (dhe të tjerë që qarkullonin dorazi te njerëzit e artit) kishin sjellë aromën e kulturës së një vendi që na joshte drejt Perëndimit. Është gjithnjë kultura ajo që hap dyert e para dhe më pas politika e subvencionet e tjera që i bëjnë më të lehta këto rrugë. Ishte viti 1987 kur Kryeministri bavarez, Franc Jozef Shtraus, mbërriti në Shqipëri, në një kohë kur ky vend ishte ende shumë i izoluar për shumë shtete demokratike të Evropës, duke dhënë kështu shenjën e parë të hapjes së urave të komunikimit mes dy vendeve. 20 vjet pas kësaj vizite, e cila u shoqërua po atë vit me hapjen e ambasadës gjermane në Tiranë, bashkëpunimi, jo vetëm diplomatik, por edhe kulturor mes dy vendeve ka evoluar shumë. Këtë e tregon dhe një kalendar kulturor, që ambasada gjermane në Tiranë e bën publik për javët e kulturës gjermane, që do të nisin sot për të vazhduar deri më 20 tetor për të festuar me gjuhën e artit këtë komunikim të vlefshëm mes dy vendeve.

20 vjet më pas nuk është vetëm Gëte që flet në shqip, por dhe dhjetëra autorë të njohur të letërsisë gjermane, duke vazhduar deri tek ata më bashkëkohorët. Për ambasadorin gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, politika bazohet mbi disa bindje themelore të cilat janë rrënjosur në kulturën e këtij vendi. Ndaj dhe ky festim marrëdhëniesh mes dy vendeve nuk kishte si të mos niste nga kultura. Është gjithnjë kultura ajo që i jep një tjetër dimension një vendi, pavarësisht fuqisë ekonomike apo politike. "Veç kësaj, Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Gjermania e mbështet Shqipërinë në këtë rrugë. Në këtë mënyrë, të dyja vendet po afrohen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Që ky proces afrimi të funksionojë, është e nevojshme një njohje më e mirë e ndërsjellët. Ky është një qëllim tjetër, për të cilin javët e kulturës - ashtu si e gjithë puna jonë në fushën e kulturës në Shqipëri - japin një kontribut", thotë ambasadori Bernd Borchardt.

Por një tjetër arsye për zhvillimin e këtij lumi aktivitetesh është edhe argëtimi. Krahas qëllimeve politike, këto aktivitete do të hapin horizonte të reja për një kulturë e cila mbartet çdo ditë. Këto aktivitete do të zhvillohen nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Gernot Erler. Nëse sheh me kujdes kalendarin e aktivitetit tregon se organizatorët janë munduar të sjellin orë që askush nuk do t‘i humbë të kësaj kulture. Muzika, filmi apo librat e ofruar janë një përzgjedhje e kujdesshme në fondin e një kulture ku ke aq shumë për të zgjedhur. Po cilat janë këto aktivitete? Orkestra simfonike "Heinrich Heine" nga Dyseldorfi do të jetë e para që do të hapë siparin e dy javëve të ngjeshura kulturore. Sot në orën 17.30, në Akademinë e Arteve nën pjesëmarrjen e ministrit gjerman të Shtetit pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme Gernot Erler, dhe kryeministrit Sali Berisha, kjo orkestër do të ekzekutojë pjesët më të mira të saj. Më 3 tetor, Teatri i Operës dhe Baletit do të japë premierën e një prej operave më të njohura gjermane "Fidelio" të Bethovenit. Opera që i flet guximit të dashurisë vjen për herë të parë në skenën shqiptare, duke sjellë kështu shpirtin e bukur të kulturës operistike të këtij vendi. Po në këtë ditë, orkestra simfonike "Heinrich Heine" do të interpretojë në Teatrin "Migjeni" të Shkodrës. Javët e kulturës gjermane nuk janë përqendruar vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të ndryshme të vendit. Ditët e filmit gjerman do të ofrojnë komedinë e njohur "Bella Marta", si dhe dramën "të përgjumurit". Më 5 tetor, në sallën gjermane të leximit do të prezantohet udhërrëfyesi kulturor i Tiranës me autor Gernot Wolfram, ndërsa pasdite, në Akademinë e Arteve do të ketë një "udhëtim poetiko-muzikor nëpër Gjermani". Për të gjithë ata që adhurojnë kinemanë gjermane do të kenë mundësi këto ditë të ndjekin disa nga prodhimet më të mira të saj. Si në teatër ashtu edhe në kinematografi ofrohen prodhime të cilat kanë marrë vlerësime ndërkombëtare.

Filma dramatikë si "Jetët e të tjerëve", "E vërteta apo detyrimi", "Sofi-Shol ditët e fundit", "Dita e nëntë", "Në korrik", ose një sërë filmash me metrazh të shkurtër, janë pjesë e këtij programi kulturor. Nuk do të mungojnë edhe ekspozitat e ndryshme si ajo "Exhanges", e cila do të hapet më 19 tetor në Galerinë e Arteve. Më 15 tetor do të prezantohet "Antologjia e tregimtarëve gjermanishtfolës pas 1945". Pjesë e veçantë e dy javëve të kulturës gjermane është edhe prezantimi i një monografie për njeriun që ka dhënë aq shumë për dy kulturat, të madhin Robert Shvartz. Monografia për të njohurin e letrave shqipe Shvartz është hartuar nga Ardian Klosi. Një rol në këto aktivitete ka edhe shoqata kulturore gjermano-shqiptare që mban emrin e përkthyesit "Robert Shvartz". Edhe pse këto javë kulturore marrin shkas nga politika, siç është 20-vjetori i krijimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ato janë një mundësi e mirë për të njohur nga afër një pjesë të kulturës së një vendi, që gjithnjë është shquar në këtë fushë siç është Gjermania.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama