Gjirokastra nis ditet me trashegimine

Gjirokastra nis ditët me trashëgiminë

Drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve dhe dy zyrave të administrimit dhe koordinimit të qytetit muze të Gjirokastrës dhe Parkut Arkeologjik të Antigonesë kanë prezantuar një program aktivitetesh kulturore për sensibilizimin dhe tërheqjen e publikut dhe sidomos moshave të reja në njohjen, promovimin dhe ruajtjen e këtyre vlerave kulturore dhe vënien e tyre në funksion të zhvillimi të turizmit kulturor.

Drejtori i zyrës për administrimin dhe koordinim të qytetit muze të Gjirokastrës, Raimond Kola, tha se: "Dita Botërore e Turizmit është një rast i mirë për të ndërgjegjësuar të gjithë faktorët dhe aktorët e interesuar për zhvillimin e turizmit kulturor në përfshirjen në nismën e qeverisë për krijimin e kushteve dhe infrastrukturave të kohës në organizimin e industrisë turistike në përgjithësi dhe turizmit kulturor në veçanti si një turizëm gjithëvjetor me ndikim edhe në zhvillimin e industrisë agropërpunuese dhe të zonave rurale". Në veprimtaritë e organizuara u përfshinë edhe operatorë turistik si Sipa-Turist, EUROTIRANA-turis etj., të cilët gjatë deklarimeve të tyre dëshmuan se viti 2007 ka shënuar një 3-fishim në krahasim me një vit më parë të numrit të turistëve që kanë vizituar sitet arkeologjike dhe monumentet kulturore të Luginës së Drinos.

Veprimtaritë nisën me vizita të organizuara nga nxënësit e shkollave të qytetit të Gjirokastrës dhe një grupi ndërkombëtar të restauratorëve vullnetarë të fondacionit suedez "Trashëgimi Kulturore Pa Kufi dhe Zyrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike. Në mjediset e Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhe në Manastirin e Spilesë ku ata u njohën me historinë dhe monumentet arkeologjike të Antigonesë, me gërmimet dhe ekspeditat aktuale, fillimin e lëvizjes turistike në këtë park.

Stafi i Antigonesë ftoi restauratorët vullnetarë dhe studentët nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Kosova, Tirana etj., në një debat të përbashkuar për të diskutuar lidhur me metodat bashkëkohore të restaurimit dhe konservimit të monumenteve arkeologjike. Në Parkun e Antigonesë bënë një vizitë të organizuar edhe një grupi aktorësh të teatrit të qytetit të Gjirokastrës gjatë së cilës ata bënë interpretime të improvizuara nga vepra të autorëve të antikitetit në mjediset e rrënojave të qytetit antik të Antigonesë dhe mesazhin e drejtuar arkeologëve që gërmojnë në këtë qytet për përcaktimin dhe gjetjen e vendndodhjes së teatrit antik të Antigonesë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama