Fidelio sakrifica pertej shekujve

Fidelio, sakrifica  përtej shekujve

Fidelio, një opera tronditëse që pret të rrëmbejë shumë shpejt publikun shqiptar. Për Beethovenin që e krijoi, kjo ishte e vetmja opera, ndërsa për të gjithë ata që kanë pasur fatin të dëgjojnë historinë dhe tingujt e “Fidelios”, kanë mbetur të papërsëritshme ndjesitë që kanë depërtuar prej natyrës së tyre njerëzore. Vepra e famshme e kompozitorit gjerman pritet të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit duke filluar nga data 3 tetor. Është zgjedhur emri dhe vepra e Ludwig van Beethovenit për të festuar 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve miqësore mes Gjermanisë e vendit tonë. Dhe për të realizuar këtë vepër, prej ditësh po punojnë bashkë një grup artistësh me kombësi të ndryshme, siç janë regjisori gjerman Michael Strum, as/regjisori shqiptar Ingrid Mukeli dhe as/dirigjenti italian Francesco Angelico. Ndërsa një Leonorë shqiptare dhe një Florestan nga Polonia do të mishërojnë çiftin bashkëshortor të “Fidelios”.

Për tenorin polak Michal Marzec dhe Wtodystaw Podsiadty është e para herë që vizitojnë Shqipërinë, njëkohësisht duke pasur dhe role kaq të rëndësishme si ata të veprës së madhe të Beethovenit. Marzec në rolin e Florestanit dhe Podsiadty në atë të Roccos, janë që të dy këngëtarë të Teatrit të Madh të Operas dhe Baletit “Poznaen” në Poloni. Dhe pse janë këngëtarë të përhershëm të këtij teatri, nuk refuzojnë të luajnë edhe në vende të tjera. Ftesën më të fundit të bërë nga agjenti i tyre për të kënduar për publikun shqiptar ata e kanë pritur me kënaqësi. Një kënaqësi që është përligjur edhe më shumë kur kanë nisur bashkëpunimin me artistët shqiptarë për një opera të veçantë siç është “Fidelio”. “Kam qenë i befasuar,- thotë Marzec. - Po të bëhej fjalë për ndonjë vepër tjetër muzikore, nuk do të qe kështu, por për “Fidelion" e Beethovenit, është një kënaqësi. Aq më tepër që mbetet edhe opera e vetme e njohur prej tij.” Dy artistët polakë shprehen se ajo është mbi të gjitha një vepër e vështirë, me mjaft kërkesa dhe që nuk vihet shumë shpesh në skenë. Përmbajtja është e tillë që nuk mbetet rob vetëm i një kohe të caktuar. Florestan është një intelektual që ndalohet e dënohet nga regjimi obskurantist që realisht nuk është i një kohe e një vendi të vetëm. “Prandaj 'Fidelio’ mbetet edhe pas kaq shekujsh një vepër me përmasa universale," - pohon Marzec. Florestan është një rol që duhet ta arrish tamam, tërësisht dhe realisht. Nuk mund ta interpretosh pa pasur përvojë, profesionalizëm, e mbi të gjitha pa e ndier rolin.” Për dy polakët, përvojë do të thotë puna me role të tjera, role të vështira që kërkojnë nga interpretuesi. Sipas tyre, që të vihet në skenë një vepër e këtyre përmasave, teatri duhet të jetë i afirmuar. Vetëm brenda 4 vjetëve, Polonia e ka vënë në skenë 20 herë "Fidelion". Dhe Teatri i Operës në Shqipëri duket se u ka pëlqyer që të dyve. “Është një vend i panjohur për ne", - pranojnë ata. - Tirana është interesante. Ka një ndryshim të madh në jetën dhe zakonet tona, në gjërat e përditshme".

Për punën në Teatër shprehen se ndjehen mirë, sepse veç të tjerash solistët janë profesionistë, ndryshe nuk do të mundnin të realizonin role kaq të vështira. "Kur shkon për të punuar, është kryesore të dish gjithmonë se kush është regjisori, dirigjenti, apo të tjerët, kolegë të tu, - thotë Wtodystaw Podsiadty që do të interpretojë Roccon. Për rolin që e pret së shpejti, ai thotë se është tepër i rëndësishëm, por i ndërlikuar. Një rol që kërkon gjithashtu përvojë nga ai që e realizon. "Është një muzikë interesante, e bukur, jep shumë mundësi për realizimin e rolit. Nuk është një rol i mbyllur në kuptimin që nuk ka hapësirë. Këtu mund të interpretosh lirshëm", - thekson Podsiadty. "Fidelio" e Beethovenit kalon kështu çdo kufi. Vepra muzikore ku njeriut i merret e drejta e mendimit dhe liria e shprehjes bëhet në këtë mënyrë një vepër me përmasa universale. Historia e dhimbshme e njerëzimit përsëritet në çdo kohë, kudo.

Pas këtij projekti, dy artistët polakë do të rikthehen në vendin e tyre ku i pret festivali që do të ngjisë në skenë gjithë operat e Verdit. Për Shqipërinë do të kenë kujtime interesante dhe sigurisht një prej tyre është "Fidelio", vepra për njeriun, sakrificën dhe fatin e tij.

Doloreza Dyli : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama