Gentian Tabaku fitues i konkursit per monumentin e Presidentit amerikan Wilson

Gentian Tabaku, fitues i konkursit për monumentin e Presidentit amerikan Wilson

Galeria Kombëtare e Arteve ka organizuar  Konkursin Kombëtar për realizimin në skulpturë të figurës së ish-presidentit të SHBA-së Thomas Woodrow Wilson. Wilson është personalitet politik, që garantoi ekzistencën e shtetit shqiptar, e vënë në diskutim në Konferencën e Paqes në vitet 1919-1920. Në konkursin e organizuar me këtë rast u paraqitën 14 artistë dhe pas disa seancash diskutimesh Juria e Konkursit Kombëtar e përbërë nga: Gazmend Leka Kryetar (Profesor në AAB), Rubens Shima Anëtar (ZV/Drejtor i GKA-së ), Artan Peqini Anëtar (As Prof në AAB), Luan Malltezi Anëtar (Historian), Agron Xoxa Anëtar (Përfaqësues i MTKRS), vendosi që boceti fitues të jetë ai i skulptorit Gentian Tabaku. Me përfundimin e konkursit dhe pas shpalljes së bocetit fitues, ndërmjet artistit fitues dhe GKA-së, lidhet një kontratë akt-marrëveshjeje për pagesën, kushtet dhe kohën e përfundimit të monumentit. Shtatorja-monument kushtuar Thomas Woodrow Wilson do të jetë në lartësinë 3 metra, se bashku me bazamentin dhe do të vendoset në Tiranë në sheshin me të njëjtin emër.

Konkursi ishte i hapur par të gjithë artistët dhe arkitektët shqiptarë kudo që jetojnë .

Wilson u lind më 1856. Shumë shpejt u bë një ndër figurat më të shquara të jetës politike amerikane. Në vitet 1902 – 1910 ishte profesor i së drejtës në Universitetin e Princtonit dhe më pas deri në vitin 1912 guvernator i Nju-Xhersit. Këtë vit ai fiton në zgjedhjet presidenciale si kandidat i Partisë Demokratike. Luajti rol të rëndësishëm në historinë e SHBA-së në një moment të rëndësishëm siç qe Lufta e Parë Botërore. U bë i njohur për programin e 14 pikave të shpallur gjatë fjalimit që mbajti më 4 korrik 1918, ku vendoste në plan të parë çështjen e kombësisë dhe vetëvendosjes. Nisur nga ky parim Willson kontribuoi në dobi të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në një moment delikat të historisë së saj. Wilson në vitin 1919 merr çmimin Nobel për paqe.

Çdo fëmijë në shkollë mëson se sikur të mos ishte ndërhyrja e Presidentit Woodrow Wilson, kombi shqiptar s’do të ekzistonte kurrë. Presidenti Woodrow Wilson ishte i pari që në Konferencën e Paqes së Parisit, në vitin 1919, hodhi hapin e parë me përfshirjen e planit të paqes për vetvendosje për grupet etnike dhe luajti rolin kryesor tepër të rëndësishëm në njohjen ndërkombetare të pavarësisë së Shqiperisë. Ai, 88 vjet me parë, mundi të bllokonte dhe mënjanonte zhdukjen e Shqipërisë, duke kundërshtuar një plan të Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për copëtimin e Shqipërisë nga shtetet fqinj. Kjo arritje e Tij shpëtoi dhe vulosi fitoren me luftrat titanike shumëshekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi.

F.Slatina : Gazeta "55"
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama