Varri i Skenderbeut rrenojat e nje kishe rikthejne tezat e vendndodhjes

Varri i Skenderbeut, rrënojat e një kishe rikthejnë tezat e vendndodhjes

Gërmimet arkeologjike që prej disa kohësh zhvillohen në 6 sektorë të ndryshëm pranë Memorialit të Skënderbeut në Lezhë, kanë çuar në një zbulim surprizë. Në kuadër të një projekti të përbashkët shqiptaro-gjerman që synon ndjekjen e qytetit në periudhën helenistike, kanë dalë në dritë edhe disa mbetje arkitektonike, jashtë përmbajtjes së studimit. Ky sektor ndodhet para Memorialit. Ekzaminimet gjeofizike kanë çuar në gjurmë të mbetjeve arkitektonike dhe nga gërmimet kanë dalë disa struktura, për të cilat arkeologët nuk japin datime të sakta.

Ndonëse rezultatet nuk kanë të bëjnë me objektin e studimit të projektit konkretë (ndryshe nga sektorët e tjerë në të cilët po ashtu ka të dhëna shumë interesante), arkeologët janë gjetur para një surprize. Sipas arkeologut Gëzim Hoxha, këto struktura mund të thuhet se fillojnë nga periudha e antikitetit të vonë, shek IV- VI pas Krishtit deri në Mesjetë. "Nuk e themi me siguri absolute, por ka shumë gjasa që të kemi të bëjmë me një strukturë arkitektonike që lidhet me praninë e një kishe. Me sa duket kemi të bëjmë me një pagëzimore, baptister në gjuhën arkeologjike, e cila ka shërbyer së paku nga shek XII-të e më vonë, por mund të jetë edhe më e hershme", - shprehet Hoxha. Ndërsa lidhja e këtyre strukturave me të dhëna që na ofron historia të çon edhe njëherë te teza mjaft e diskutueshme e vendndodhjes së varrit të Skënderbeut.

Hoxha shprehet se "ky zbulim shkon mjaft mirë në përputhje me ato çka studimet më të hershme arkeologjikë kanë thënë, se nën Memorialin e Skënderbeut ndodhej një kishë shumë e hershme e cila është rinovuar në shekullin e XII-të, është rinovuar përsëri në shek e XIV-të dhe në të cilën u varros heroi i kombit, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe që pas pushtimit turk u kthye në xhami. Pas tërmetit të 1979-ës, këtu u ndërmorën kërkime arkeologjike të një niveli të lartë dhe u vendos të ngrihej ajo që u quajt përkujtimorja ose Memoriali i Skënderbeut". Por sipas arkeologut, këto janë vetëm hipoteza, të cilat do të kërkonin një vërtetim nga gërmimet e mëtejshme. Ende nuk është tërësisht e qartë nëse ajo që ata kanë quajtur pagëzore është strukturë e një kishe. Ndërkohë që të dhënat që historia ka ofruar për vendin ku mund të jetë varri i Skënderbeut, i ka përplasur historianët mes dy tezave. Dihet që heroi është varrosur në një kishë të rëndësishme të Lezhës, Shën Kollit, vendndodhja e së cilës gjithashtu është mjaft e diskutueshme. Dokumente të mbajtura në kohë të ndryshme, herë e pozicionojnë brenda mureve të kalasë e herë tjetër në qytet.

Varri
Pavarësisht entuziazmit të strukturave të zbuluara, arkeologu Gëzim Hoxha shprehet se nuk mund të themi në mënyrë përfundimtare se ajo që është zbuluar lidhet direkt me varrin. Strukturat lidhen me praninë e një kishe, tezë që edhe kjo ngelet për t'u vërtetuar me gërmime të mëtejshme. Çështja do të vazhdojë të mbetet e ndërlikuar. Nëse gjithçka lidhet me rrënojat e një kishe, atëherë vetëm dy ditë më parë, nga një projekt tjetër arkeologjik që po vepron në zonën e kalasë së Lezhës u tha për zbulimin e rrënojave të një kishe, që sipas arkeologes Etleva Nallbani daton në shekullin e VIII-të pas Krishtit.

Hoxha thekson se zbulimi i Memorialit "është një e dhënë plus që të themi që këtu ka qenë një kishë e rëndësishme e qytetit të Lezhës dhe siç e thonë burimet historike, Skënderbeu është varrosur në një kishë të rëndësishme siç ishte Katedralja e Shën Kollit. Argumenti arkeologjik që ne sjellim është një plus për këtë mendim, por nuk është përfundimtar.

Ne presim në vitet e ardhshme që gërmime të tjera të japin të dhëna plotësuese dhe jo në mënyrë absolute, por duke shtuar argumentet, të vijmë te ai mendim që kohët e fundit edhe është diskutuar, problemi i vendvarrimit të Skënderbeut. Unë personalisht i mbetem mendimit që Skënderbeu është i konfirmuar mjaft mirë që është vendosur në qytetin e Lezhës dhe nuk e shoh me vend që të diskutohet nëse u varros 10 metra më tej ose 50 metra më këtej". Tani për tani nuk do të vazhdojnë gërmimet në këtë sektor, por Hoxha shprehet se nëse do të kenë mundësi financiare për t'i vazhduar gërmimet në këtë vend, mund të dalin edhe të dhëna të tjera në të mirë ose në të kundërt të tezës së diskutuar.

Pagëzimorja

E quajtur nga arkeologët si pagëzimorja, strukturat e zbuluara nuk ofrojnë material të nevojshëm për të përcaktuar përfundimisht funksionin e saj. Arkeologu Hoxha shprehet se "me sa duket kjo ka vazhduar të përdoret për një kohë të gjatë dhe ka mbetur e pastër. Në një kohë kaq të gjatë përdorimi, që nga shekulli XII-të dhe ndoshta deri në kohën e Skënderbeut, ka mbetur e pastër se ka qenë në përdorim. Ne e kemi gjetur të mbuluar me dhe, dhe nuk ka pasur shumë kulturë brenda për ta gjykuar përfundimisht. Është e nevojshme që të gërmojmë edhe rrethinën e këtij objekti dhe kjo do të na japë mundësi për të gjykuar me saktësi dhe për datimin, funksion etj".

Në strukturën e zbuluar dallojnë edhe disa vaska uji që në teori duhet të kenë komunikuar me njëra-tjetrën dhe të kenë furnizuar vaskën kryesore të pagëzimores. Por këto ende nuk janë zbuluar nga arkeologët dhe derisa këto gjëra të sqarohen, të gjitha lidhjet e mësipërme do të ngelen në kuadrin e hipotezave

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama