Cirk, teatër, muzikë, nostalgji… Gjithçka që ka emrin argëtim premton Qendra Kulturore "Tirana". Dje drejtori i kësaj qendre, Kiço Londo, bëri të njohur kalendarin e shfaqjeve për sezonin 2007-2008. Sezoni fillon pikërisht sot më një shfaqje cirku, me titullin "Mrekullitë e cirkut". Do të ketë dy premiera në muajt nëntor dhe dhjetor, që nga vetë emrat "Pipi çorapegjata në cirk" dhe "Magjistari dhe rosaku" i drejtohet kryesisht fëmijëve. Ndryshimi fillon në muajin mars. Me premierën "Cirku i marsit", Londo fton në cirk edhe të rriturit. Mësohet se këto shfaqje do të shëtisin edhe në qytetet ku dikur ka pasur cirk, duke filluar me Patosin, për të vazhduar me Peshkopinë, apo në qytetet bregdetare si Sarandë, Vlorë, Durrës e Shëngjin. Paralelisht me cirkun do të punojnë edhe institucionet e tjera që përfshihen në QKT, që sipas Londos, së shpejti mund të ketë një tjetër emër.
Propozimi i ka shkuar Këshillit Bashkiak dhe tashmë pritet një vendim. Londo nuk preferon të zbulojë emrin e ri, por thotë se ky ndryshim bëhet për t'i dhënë një dimension më të gjerë qendrës, si një derë e hapur për të gjithë ata që duan të bëjnë art. Por ajo çka duket se i dhemb më shumë ish-drejtorit të Teatrit Kombëtar, është pikërisht teatri. Ndërsa po punon për rinovimin e ambienteve të brendshme të qendrës, palestrat, zyrat, dhomat e veshjeve, dushet, etj., Londo po lufton për ngritjen e një salle teatri brenda hapësirave që i përkasin qendrës. Një teatër bashkiak me repertor modern, që përkrah eksperimentin dhe alternativën. E ka shumë mirë të vizatuar projektin e teatrit të ri. Duke qendruar në qendër të arenës së vjetër, nuk ngurrontë tregojë si do të jetë skena e re, llozhat, vendet e spektatorëve, hyrja, madje edhe sheshi. Mendohet që salla të jetë 350-400 vendëshe.
Tashmë kërkohen vetëm fonde, që sipas tij nuk janë shumë. Edhe pse salla e re e teatrit është ende në letrat e projektuesve, Londo ka përcaktuar veprat e para teatrore që do të vihen në QKT. Vepra e parë do të vijë në nëntor. Bëhet fjalë për "Harvey" të Mary Cheasse, me regji të Hervin Çulit. Interpretojnë aktorët Robert Ndrenika, Bujar Lako e Fatos Sela. Premiera e dytë vjen në muajt e parë të vitit 2008, me regji të vetë Londos. Është vepra "Shërbëtoret" e Gean Genet, ku interpretojnë, mes të tjerësh, edhe Tinka Kurti e Valbona Imami. Mësohet se teatri i Tiranës nuk do të funksionojë me një staf fiks, por me projekte. Ndërkohë qendra do të ofrojë të tjera shfaqje nga Ansambli Tirana, i cili në muajin nëntor ofron një koncert me këngë dhe valle rome, ndërsa në shkurt me këngë dhe valle qytetare tiranase. Banda e Qytetit, veç 24 shfaqjeve të planifikuara për një sezon, do të realizojë edhe një koncert artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe në disa qytete të tjera. Varieteja e Tiranës vjen gjithashtu me të tjera aktivitete.
Një ndër ta është ai me rastin e 70-vjetorit tëlindjes së këngëtares Vaçe Zela, të titulluar "Për shëndetin e Vaçes". Në koncertin që realizohet në shkurt do të interpretojnë disa nga këngëtarëtmë të njohur shqiptarë si Ema Qazimi, Liliana Kondakçi, Irma dhe Eranda Libohova, Aleksandër Gjoka, Luan Zhegu, Kozma Dushi, etj. Sipas drejtorit Londo numri i premierave të kësaj qendre do të jetë 200. "Kjo qendër ka pasur një marrëdhënie të vështirë me publikun, gjë që do të mundohemi ta rregullojmë shumë shpejt", - thotë drejtori.
Alma Mile : Gazeta Shekulli











