Perballe dashurise

Përballë dashurisë

Dhimitër Pojanaku, njeriu që ngadhënjen mbi njeriun, pozicioni i shpirtit të të cilit vidhet nga valët e detit të pafund, preferon të gëlltisë shpirtin e tij prej poeti në poezi liriko-filozofike të peizazhit, dashurisë, pezmatimit. Copëza shpirti me formën e një aventure, pastaj me ngushëllimet e vjeshtës mëshiron muzgun e perëndimit të qiejve. Ah, deti është formula e kapërcimit të vetvetes në vetminë e realitetit të tij. Ai është poet bodlerian, skalit vargun me konkurrencën e mendimeve të thella, gjithnjë duke futur një kohë poetike vetëm për të ndërtuar një poezi. Ai ka shpresa dhe vizion të madh për lojën e të shkruarit, e cila rrotullon gjithë virtytin e tij shpirtëror si kullë ashensori. Krijon pa ekzistencën e pezmatimit, dhe e kthen në një ekzistencë ngushëllimi, që shpeshherë mund të ndryshojë dëshirat për të mirë, por koha mbetet e habitur nga sjellja, sepse ai bëhet i nxituar në lumturinë shpirtërore. Poeti që endet mes llumit dhe virgjërisë.

Fund deliresh

Sa herë më molepsin zërat e qiellit,

Shkoj te deti.

Sekush më mbathi në kthim,

Këpucë plumbi.

Dhe ngeshëm numëroj kokrrizat e rërës.

(nga libri me poezi: Gurët Zbardhin Natën)

Një vakum lakonik i mbinë në shpirt. Zërat e qiejve nisin pozicionin e tyre, duke e stimuluar poetin të këndojë dhe të udhëhiqet drejt një relacioni pas të mirës supreme. Në syrin e poezisë shfaq melankolinë për një përpjekje kundër përpjekjes së qiellit. Një sy që fsheh pasqyrën për vullnet drejt realitetit, dhe një shmangie me bojën e fosfortë të valëve kërkon moralin për qenien që ka humbur dhe që rrëfen heshtazi kundër humbjes së ardhshme. Vetmia dhe deti janë forca e shpirtit të tij për t‘i mbuluar veset e një qielli. Ai troket me thembrat e tij vetjake në kokrrat e rërës, duke i rrëfyer qiellit me gjuhën e poetit se, tani është një moment tjetër për stabilitet shpirtëror dhe një mundësi më shumë për poezinë, kur nata hedh hënën kulaçe në skenë, që poeti ta grishë me vargje...

Oda përballë times

Oda përballë times,

Përnatë mban dritën ndezur.

Muret e saj asnjëherë s‘kanë puthur errësirën,

Errësira asnjëherë

s‘ka mbështetur faqet mureve.

Netëve,

Vuaj të di,

N‘at‘ dritë e mban ndezur dhimbja apo,

Dashuria.

(nga libri me poezi: Gurët Zbardhin Natën)

Një llambë prej poeti me dritën e hënës e mban aktiv pozicionin e shpirtit të tij. Brenda dhomëz kubike ku janë orientuar rrezet e llambës kah tryeza e punës, ku imagjinata grafullon përnatë nga një poezi në letër - zbardh gurët e natës. Pena, në kontrast me ngjyrën e murit nxjerr shllimin e poetit për një vizion drejt mendimit për arsye filozofike, duke premtuar gjithë kërcellin prej të njëjtit motiv: Shpirt përmbi shpirtrat. Pozicioni i penës së poetit është ideal i lirë thelbësisht i njëjtë me vetveten e tij, i tëri mes llumit dhe i formuar si një artikull i vjetër fasade për besim të thellë ndaj kapërcimeve të shthurura...

Mbasdite vere

Shtrirë,

I pozon qetësisë.

Një xham shejtan,

I vetmi mëkatar,

Gëzon hiret e saj.

Të linjtat,

Guaskat bosh,

Koloviten dyshemesë.

(nga libri me poezi: Gurët Zbardhin Natën)

Pas perëndimit të pezmatimit, lind boja e erosit. Brenda lëkurës së protagonistes ka gjetur vetminë e saj që bredh, pastaj pak më vonë vetëm poezia e tij e sheh ngado atë model femërushkeje. Syri i tij që endet dhe që rrëmben, arrin dhe këtë herë të mbështjellë pamjen e një shpirti femëror në formën lakuriqe. Rërën që dikur poeti ka shkelur me pezm, sot trupi i saj lakuriqe e puth me vëllimin e një dashurie të mprehtë entuziaste. Ku zhurma e rërës ia pëshpërit veshin lëkurës së saj për një botë dehëse përballë një jete të shthurur prej bohemi. Femra si një akt skllavërie e shtrihet për t‘i promovuar mashkullit gjithë nuancat e saja erotike. Dashuria është patosi mbi të vërtetën e jetës shpirtërore të poetit, dhe ndjenjat e përmirësojnë nga pushtimi i pezmatimit borëmbuluar. Nëse ajo femër e brishtë kaplohet nga ndjenja misterioze, atëherë këtë mister mund ta zbërthejë një poet që jeton mes llumit dhe virgjërisë. E, ai poet është Dhimitër Pojanaku.

Dimër në lokalet e plazhit

Vetmia dehet me kujtimet e verës.

Dy kotele,

Për inat të detit të ftohtë,

Lëpihen me gjuhë.

Një plak beqar dhe një

trëndafil vjeshte,

Këmbejnë,

Dashurira të hershme.

(nga libri me poezi: Xhindet kërcejnë polka)

Poeti qartëson simpatinë sekrete për një qytet të tij të preferuar nga preferenca, kur momentet për dashurinë e triumfuar, sipërfaqja e tokës shtrohet me savan dëbore brenda me pjesët e paqes dhe dëlirësisë. Ky është vetëm një vend për një hënë apo një satelit tjetër të shkëputur nga pezmatimi, këtu mbijeton dëshira e vetme, dashuria, dhe si rrjedhim ai mund të argëtojë vetveten gati se çdoherë, në mbrëmjen e vetmuar. Poeti që shpëton të bukurën me delikatesën e tij herë prej një demoni, e herë prej një engjëlli, madje dhe kur disku i hënës nis të ngrij nga i ftohti i njëanshëm, ai mbetet heroi i triumfuar i së mirës në dashuri...

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama