Dy bote ne violinen e Papavramit

Dy botë në violinën e Papavramit

Vjen gjithnjë me shumë dëshirë në Tiranë. Qoftë edhe për të prezantuarreklamën e një ore dore e aq më shumë nëse bëhet fjalë për një koncert recital. Disa muaj më parë, kur erdhi në pozicionin e modelit, arsyen pse kishte kohë që nuk interpretonte në Shqipëri, Tedi Papavrami e justifikoi me ftesën e munguar. Nuk iu desh të priste shumë për të marrë një ftesë të tillë. Dhe do të luajë në një skenë të veçantë, që ai as e kish menduar ndonjëherë. Në trashëgiminë kulturore të të gjithëve dhe qytetin e shkrimtarit, të preferuar, Ismail Kadare. Për tre netë rresht Kalaja e Gjirokastrës do të kthehet në një skenë të muzikës klasike. Shoqata franko-shqiptare “Argjiro” dhe “Qendra e Dokumentacionit dhe e Komunikimit për Muzikën Rajonale” drejtuar nga Prof.Dr. Sokol Shupo, organizojnë edicionin e parë të festivalit “Takimet muzikore të dy botëve”. Sipas presidentes së shoqatës, Ilda Mara, “me dy botë kuptohet bota e muzikës klasike dhe ajo tradicionale, të cilat vijnë të ndërthurura nga instrumentistë dhe orkestra të njohura”.

Dhe është violinisti Tedi Papavrami, që hap festivalin me një koncert recital. Papavrami interpreton i shoqëruar nga pianistja e njohur Anita Tartari, pjesë klasike të huaja me motive popullore nga kompozitorë të njohur si Bach, Bartok, Sarasate apo De Falla. Në repertorin e tij përfshihet edhe kompozitori shqiptar Aleksandër Peçi me veprën “Valle Popullore Shqiptare”. “Është një koncert që sjell tendencat e muzikës klasike dhe dëshmon për rrënjët që ka ajo në folklor. Kjo vjen përmes veprave të Bella Bartok, që është një nga kompozitorët më të mëdhenj të shek. XX, por që gjithmonë është frymëzuar nga folklori, kryesisht nga ai ballkanik, për të vazhduar me kompozitorin Emanuel de Falla, që është frymëzuar nga folklori spanjoll, tre pjesë të Aleksandër Peçit, si dhe “Cigania” e Ravelit. Pra në gjithë koncertin qëndron lidhja midis muzikës popullore dhe asaj klasike”, - tha dje Papavrami në një konferencë për shtyp. “Unë i kam interpretuar edhe herë të tjera këto pjesë, duke përfshirë edhe kompozimet e Aleksandër Peçit.

Më pak i njohur për skenat shqiptare, mendoj se është kompozitori Bartok”, - vazhdon violinisti virtuoz, i cili pas Gjirokastrës do të vazhdojë turin e tij koncertor nëpër Evropë. Pas Papavramit do të jenë të tjerë artistë të ardhur nga Greqia, Rusia, etj, që do të vijojnë festivalin, gjithnjë në të njëjtën frymë, atë të lidhjes mes klasikes dhe tradicionales. Kështu mbrëmja e së shtunës do të vijojë me dy koncerte nga Orkestra e dhomës “Tsakalov”, nga Greqia dhe Kuarteti i Harqeve “Atrium” nga Rusia. Të dielën në skenë ngjitet Ansambli shqiptar “Asmus”, i cili interpreton vepra shqiptare dhe i gjithë aktiviteti mbyllet nga “Neë Tango” për violinë dhe pianoforte, interpretuar nga violinisti shqiptar Elvin Dhimitri dhe pianisti argjentinas Ernesto Romero.

Krahas koncerteve, gjatë tre netëve të festivalit janë parashikuar edhe simpoziume me instrumentistë e muzikologë të njohur nga e gjithë bota, të cilat do të kenë kryesisht në fokus traditën muzikore dhe folklorin shqiptar. Në referatet e tyre, muzikologë të njohur si Sokol Shupo, Ramazan Bogdani, Pirro Miso, etj., do të diskutojnë mbi tema si “Gjurmët më të lashta të shkrimit muzikor bizantin në Shqipëri”, “Vallja Çame në Greqi dhe Shqipëri”, “Klarineta shqiptare në rrjedhën e 3 mijë vjetëve”, etj. Festivali “Takimet muzikore të dy botëve” organizohet nën patronazhin e ministrit të Ekonomisë dhe deputet i Gjirokastrës, Genc Ruli, si edhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkisë dhe Prefekturës së Gjirokastrës.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama