Historiku i kësaj bienaleje është një antologji më vete për t’u shfletuar. Thuajse të gjithë artistët e shekullit të kaluar, të cilët i hasim në manualet e artit kanë kaluar nëpërmjet 'Bienales së Venecia-s'. Ky aktivitet është dritarja më e mirë për çdo artist dhe jo vetëm ata emergjentë. Kjo dritare vlen edhe për veteranë, personazhe kult të artit dhe superstarë të padiskutueshëm. 'Bienalja e Venecia-s' nuk është vetëm starti i mjaltit, por edhe rilindja, mundësia për tu rikthyer apo prezantuar projekte, të cilat vetëm në 3 ditët e para të inaugurimit ndiqen nga më shumë se 1 milion spektatorë nga e gjitha bota. Me pak fjalë kjo është princi i kaltër për vogëlushet dhe engjëlli mbrojtës për shpirtrat e humbur. Është stacioni i fundit dhe njëkohësisht buzëqeshja e artë për fatosat e mrekulluar nga risitë e artit bashkëkohor.
Në këtë edicion të 52 të 'Bienales së Venecia-s' arti shqiptar paraqitet jo për herë të parë. Mëma e prezantimit e merr zanafillën në vitin 1997 plot 10 vjet më parë, kur artisti kosovar Sislej Xhafa do të performonte aksionin e tij klandestin, i cili konsistonte në improvizimin e vetë artistit kosovar në një lojtar futbolli të kombëtares shqiptare, i cili luante me top vetëm dhe jo vetëm nëpër padilionet e 'Bienales së Venecia-s' dhe Arsenalin e saj. Këtu fillon edhe ideja e realizimi të një padilioni shqiptar, që do ti shkonte shumë për shtat jo vetëm kronikave të zeza. Pas 8 vjetësh, në edicionin e kaluar Shqipëria u prezantua për herë të parë me pavijonin e saj zyrtar. Megjithatë kjo nuk ishte hera e parë që artistët shqiptarë prezantoheshin në 'Bienalen e Venecia-s'.
Në vitin 1999 artistët shqiptarë u prezantuan në 'Bienalen e Venecia-s' me një ekspozitë të përbashkët. Midis tyre ishte edhe artisti kosovar Sislej Xhafa. Mandej në vitin 2001 Anri Sala prezantohet në hapësirat e Arsenalit i ftuar nga Harald Szeemann në atë kohë kuratori i 'Bienales së Venecia-s', me videon "Uomoduomo". Duke fituar edhe çmimin e parë për artistët e rinj, dhe duke u shndërruar në një artist ndërkombëtar, të padiskutueshëm për vlerat e tij universale, duke pushtuar hapësirat më të rëndësishme të arenës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, duke fituar disa çmime të rëndësishme, duke u vlerësuar nga vende të ndryshme si qytetar nderi, duke punuar me galeritë më prestigjioze, duke sfiduar muzetë më të komplikuar, duke u shndërruar me kalimin e viteve në një superstar absolut, në një artist kult, që krijon urën midis viteve '90 dhe mileniumit të ri (më besoni se kjo nuk është imagjinatë tipike e rajonit, por thjesht monitorim i CV së A. Salës).
Por duhet të vinte viti 2005 që Shqipëria të prezantohej me pavijonin e saj zyrtar. Në këtë vit Shqipëria prezantohej me Adrian Pacin për pavijonin shqiptar dhe Sislej Xhafën për Arsenalin. Të dyja punët e artistëve shqiptarë nuk kaluan pa rënë nga sy nga spektatori, përkundrazi. Ata dëshmuan edhe njëherë se arti bashkëkohor shqiptar mbart një sens koherent, që është me të vërtetë pjellë e një mençurie trashendentale, ku mungon eksperienca, por jo pasioni dhe vështrimi. Padyshim me punët e tyre ata ishin risitë e 'Bienales së Venecia-s'.
Këtë vit në edicionin e 52 të 'Bienales së Venecia-s', pavijoni shqiptar prezantohet me 5 artistë të rinj. Duke filluar me Armand Lulaj e deri tek Heldi Pema. Ata janë të gjithë artistë që i përkasin gjeneratës së re, dhe sjellin në këtë bienale energjinë e vërtetë të kohës sonë.
Është i rëndësishëm edhe fakti i përzgjedhjes së tyre, e cila u bë nga kuratorja e muzeut të Miamit, përzgjedhje e cila mund të krijojë një vizion të drejtë dhe shembull edhe për të ardhmen. Që do të thotë se 'Bienalja e Venecia-s' është mundësia e artë për çdo artist qoftë të ri apo të konsoliduar, dhe kjo është një mundësi që duhet t’u jepet për çdo vit emrave të rinj, artistëve emergjentë, qarkullimi i këtyre emrave për çdo edicion me emra të rinj, një mundësi që duhet t’u jepet të gjithë atyre që me të vërtetë kanë investuar në këtë histori dhe kështu patjetër që do të funksionojë më mirë. Të gjithë presim dhe shpresojmë që artistët shqiptarë në Venecia të prezantohen po aq mirë sa edhe përzgjedhja e tyre. Kjo është sfida më e bukur jo vetëm për ta, po për krejt artin shqiptar dhe momentin e artë që ai po përjeton.
Edicioni i 52-të i Bienales së Venecias zhvillohet nga 10 qershori deri në 21 nëntor
Marre nga Gazeta Metropol











