E verteta historike mbi perkatesine etnike te Vorio Epirin

E vërteta historike mbi përkatësinë etnike të  Vorio Epirin

Bota e qytetëruar është e magjepsur nga qytetërimi i Greqisë së vjetër dhe, siç nënvizon historiani francez J.-N. Corvisier, historiani i ndershëm “e di fare mirë sesa u detyrohemi grekëve”.

Mirëpo të magjepsurit dhe detyrimi implikojnë subjektivitet dhe predispozicion për të trajtuar grekët ndryshe nga popujt dhe vendet, që kufizohen me Greqinë.

Çka është më tepër, C. Antonetti, pasi thekson se grekët e vjetër nuk e kanë marrë ndonjëherë mundimin të provonin se epirotët kanë qenë grekë, shpreh habinë pse historianët e sotëm marrin përsipër të zgjidhin këtë problem. Me sa duket, asaj nuk i shkon ndërmend se botime progreke u shërbejnë interesave politike të Athinës, e cila ndoshta ëndërron ende që “Epiri i Veriut” t’i kaloje Greqisë. Kjo është arsyeja pse historianët grekë të ditëve tona e kanë bërë “… arkeologjinë… një ideologji nacionale” (G. Hourmouziadis, 1990, f. 726-727).

Dhe ndonjë shqiptar apo grek ose, as shqiptar as grek, u mban ison historianëve të sotëm grekë e serbë duke ngritur përsëri çështjen e Vorio Epirit.

Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit disa historianë anglo-amerikanë, njësoj si historianët dhe gjuhëtarët austriakë e gjermanë të shekujve të mëparshëm, janë ngritur kundër mënyrës së trajtimit të problemit të Vorio Eprit nga historianët grekë dhe të huaj, helenofilë. Sidomos historianët amerikanë, më të avancuar sesa ata evropianë, të cilët përdorin mjete, që nuk njihen ende si duhet në Evropë, tregohen më objektivë në këtë lëmë.

Bibliografia që lidhet me karakterin etnik të epirotëve është zgjeruar këtu, duke u përzgjedhur shumë autorë modernë, ndër të cilët disa nuk janë integruar ende në bibliografinë e studimeve pellazgologjike, ilirologjike dhe albanologjike.

Këtu do të paraqiten shkurtimisht vetëm elementet kryesore të njohurive, që disponohen sot, duke i renditur sipas të dhënave burimore: mitologjike, historike, arkeologjike dhe gjuhësore .

Epiri (Ήπειρος) është krahina, e cila shtrihet nga Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë dhe në krahinën e Amfilokisë.

Ambraksi, eponimi i Ambrakisë, është bir i Thesprotit, pra nip i Pellazgut (R. Bell, 1989, f. 15).

Tradita greke njeh dy personazhe, të quajtur Amfilok. Të dy këta janë pellazgë/ilirë. “Amfilokasit nuk janë helenikë” (R. Bell, Ibid, f. 15). Pra, sipas R. Bell, as amfilokasit, të cilët kanë banuar në jug të Epirit, nuk kanë qenë helenikë.

Në lindje Epiri kufizohet me malin e Pindit (Πίνδος). Pindi është bir i Makedonit, në traditën sipas së cilës Makedoni është bir i Lykaonit, birit të Pellazgut.

Në bregdetin epirot përplasen valët e detit Jon (Ίων). Joni është bir i një mbreti të ilirëve, Adrit, emrin e të cilit mban deti Adriatik (Sch. à Apll. de Rh, Argonautiques, IV, 308 etj). Sipas një tradite tjetër Joni është bir i Dyrrhakut. Ai është vrarë aksidentalisht nga Herkuli dhe kufoma e tij është hedhur në detin, që i mban emrin (App., Bell. Civ. II, 39). Kurse P. Cabanes (2001, f. 29) thotë se Joni është fisnik ilir.

Mitologji. Epiri mban emrin e Epires, bijës së Ekionit (Έχίων). Ky i fundit është njëri nga të pesë burrat, që dolën nga dhëmbët e dragoit, të cilët i mbolli Kadmi, ati i Ilirit. Ekioni mori për grua Agavenë, njërën nga bijat e Kadmit, pra motrën e Ilirit, heroit eponim të ilirëve (Apd., Bibl., III, 4, 1, 2; 5, 2; Hyg., Fab., 178 etj.).

Fiset kryesore epirote janë kaonët, molosët dhe thesprotët.

Kaonët. Heroi eponim i këtyre është Kaoni (Χάων), biri i Priamit dhe i Hekubës, mbretit e mbretëreshës së dardanëve ilirë të Trojës (Serv., à Virg., En., III, 297).

Molosët mbajnë emrin e Molosit (Μολοσσός), birit të Neoptolemit, pra stërnipit të Akilit (Për iliricitetin e Akilit, sh. Pellazgët dhe ilirët në Greqinë evjetër).

Thesprotët quhen kështu nga Thesproti (Θεςπρωτός), njëri prej të bijëve të ilirit Lykaon. Këtu është e përshtatshme të përsëritet se iliri Lykaon është bir i Pellazgut, heroi eponim i pellazgëve (P. Grimal, 1951).

Feja pellazge/ilire e epirotëve. Shumë historianë të ditëve tona, njësoj si autorët e vjetër grekë, pranojnë se kulti – nderimi fetar, që epirotët u bënin hynive – ka qenë pellazg. Herodoti (V, 10) thotë : « Janë ata (Hesiodi dhe Homeri) që, së pari, kanë hedhur bazat e studimit të racave të hyjnive, u kanë ndarë atyre funksionet e punët dhe kanë përshkruar pamjen e tyre ». Mirëpo Hesiodi dhe Homeri janë poetë ; ata nuk kanë shpikur hyjni ; Homeri nuk e përmend tempullin e Delfit ; grekët e njohën mitologjinë dhe fenë pellazge ashtu siç ua kanë përshkruar ata poetë.

Ja ç’thuhet në Iliadë lidhur me pellazgjicitetin e orakullit të Dodonës : « Zeus, zot i Dodonës dhe i pellazgëve, zot i largët, që mbretëron në Dodonën e ashpër, në vendin ku banojnë sellojtë… » . C. de Simone (1990, f. 52) nënvizon faktin se bota mikenase nuk e njeh konsultimin orakullar të një peme të shenjtë. Ai pranon se gërmimet arkeologjike nuk dëshmojnë për « karakterin dhe/ose praninë mikenase në tempullin e Dodonës…».

Kulti i Zeusit është instauruar shumë kohë para se të arrinin grekët në Greqi.

Sipas M. Jost (1992, f. 36-39) rreth shek. IV para e. sonë klientela e orakullit të Dodonës përbëhej kryesisht nga epirotët, korkyrasit dhe thesaliotët. Kurse athinasit në shek. IV para e. sonë (pra kaq vonë) kanë bërë hapat e parë për të filluar një kult të Zeusit. Me këtë rast Olimbia, e ëma e Lekës së Madh, denoncon aspektin subversiv të demarshit të athinasve, të cilët instaurojnë kultin e Zeusit, « duke cënuar traditën lokale (epirote)». Është për t’u habitur me faktin që athinasit e kanë instauruar kultin e Zeusit kaq vonë. Ç’ka është më tepër, ka ende historianë, që e konsiderojnë si greke këtë princeshë epirote grekofobe.

Të ishte grek panteoni grek, do të dihej etimologjia e hyjnive. Sa për karakterin etnik të panteonit të ashtuquajtur grek, mund të shihet libri i përmendur më lart.

Në trojet e tempujve orakullarë të Greqisë arkeologët kanë kërkuar vendet, ku është ushtruar kulti mikenas, i cili do t’i ketë paraprirë qytetërimit grek të periudhës së hekurit. Por në vende të shenjtë nuk janë gjetur gjurmë të ndonjë sektori fetar, apo arkiva të ndonjë tempulli grek. Pra, gjurmët e periudhës së hekurit nuk mund të pranohen si prova të natyrës fetare greke të gjurmëve të zbuluara në nivelet e poshtëm të bronzit. Meqë nuk duhet të ketë boshllëk arkeologjik, mund të thuhet se, lidhur me problemin që shqyrtohet këtu, dokumentet arkeologjikë nuk japin asnjë dëshmi të ndonjë vazhdimësie të kultit grek në Greqi.

Prandaj orakujt më të vjetër të Zeusit gjenden në Epir, në malin e Pindit, në Maqedoni etj., pra kaq larg grekëve. Të ishte grek tempulli i Zeusit, do të ishte instauruar së pari në Athinë dhe në Spartë.

Tradita homerike. Homeri dëshmon për një gjeografi politike të ngushtë të Greqisë së vjetër, ku Epiri nuk figuron fare. Në “Katalogun e anijeve” Homeri kalon në rivistë të gjithë luftëtarët akeas, të mbledhur në fushën pranë Trojës, por nuk përmend epirotët.

A. Giovannini mbron teorinë, sipas së cilës Katalogu i anijeve, në këngën II të Iliadës (v. 484-760) përshkruan saktësisht gjeografinë e Greqisë së shek. VII para e. sonë. Sipas Homerit, itinerari i katalogut përputhet çuditërisht me itinerarin, që bëjnë theorët e Delfit, të ngarkuar për të lajmëruar shtetet greke për luftë. Për habinë e ndonjë historiani, Katalogu përmend termin panhelenë (Iliada, II, 530) për të gjithë grekët, pa përfshirë këtu epirotët. Arsyeja është e thjeshtë: si do ta shohim Epiri është një krahinë e banuar nga “barbarë” ilirë, që nuk dëshirojnë të luftojnë kundër ilirëve të Trojës. Ida Thallon (1919, XXXIX) nënvizon faktin se lufta e Trojës bëhet midis dy grupeve etnike të ndryshme : grekëve dhe ilirëve.

Autorët e vjetër. Shumë autorë të vjetër thonë se epirotët kanë qenë barbarë. Thukididi (I, 5) shënon se barbari banon në afërsi të Delfit, pra shumë larg Greqisë. Më poshtë ai shton se Greqia fillon në gjirin e Ambrakisë ose në Lokridë.

Efori (Histori, 74) sqaron se Akarnania është vendi, që kufizohet me etnitë epirote.

Pseudo-Skylaksi (26-33-34), duke u kthyer nga Iliria në Greqi, si arrin në Ambraki, thotë : « Që këtu fillon Greqia… ».

Straboni (VII, 7, 8) bën dallim midis barbarëve epirotë dhe grekëve. Ky gjeograf grek vë re një tjetër tipar të përbashkët etnik midis epirotëve, maqedonasve dhe ilirëve : klamidën (χλαμύς), « veshje kombëtare ilire ».

Ka dhe autorë të tjerë greko-romakë, që mund të përmendeshin këtu. Kjo provohet fare mirë pak më poshtë.

Autorët modernë. Sipas J. Wilkes (1992), po të bazohemi në burimet greke, nuk mund të bëjmë asnjë dallim midis ilirëve dhe banorëve të vjetër të Epirit.

C. S. Coon (1950) shpreh bindjen se stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm kanë zbritur në vendin e tyre nga viset e Bosnjes dhe të Danubit. Ai shton se, që nga lashtësia, Epiri dhe Shqipëria nuk janë banuar nga ndonjë racë tjetër.

F. D’Andria (1987, f. 35) është i mendimit se « Epiri, Iliria dhe bregdeti italik formojnë një rajon detar homogjen ». Ai shpreh bindjen se, në shek. V para e. sonë, « vendasit » e rrethinave të Orikumit (Epir), në marrëdhëniet tregtare me vendet përreth, janë « veçanërisht refraktarë ndaj shkëmbimeve me elementin grek ». Në këtë mënyrë autori na sqaron se banorët e Orikumit nuk kanë qenë grekë.

Kurse N. G. L. Hammond vë në dukje kontrastin e madh, që bie në sy mes Epirit e Maqedonisë nga njëra anë dhe Greqisë nga ana tjetër. Ai pranon se, gjatë shek. V para e. sonë, në Çepunë (Kurvelesh) dhe në Kucokrano (Pogon), si kudo në Iliri, praktikohej varrimi, ndërkohë që në Greqinë e jugut njihej vetëm shkrumbimi. Ai shton se një praktikë tjetër jo greke në këto vende përbënte prania e armëve në varret e burrave. Në Trebenisht, në Vitsa dhe në Duruti janë zbuluar shumë maje ushtash, shpata dhe thika të lakuara, të ardhura nga veriu. Për më tepër, armë dhe zbukurime, të prodhuara sipas modeleve të ardhur nga veriu janë bërë kurban në Dodonë (N. G. L. Hammond, 1997, f. 57-58).

Arkeologji. Qytetërimi i epokës së bronzit të hershëm në Epir përfaqësohet më së miri me kulturën ilire Maliq III. Këtë kulturë e gjejmë në Bënjë, Piskovë, Dukat etj.

Disa zbukurime plastike të qeramikës tërheqin vëmendjen si një manifestim i valëve të dyndjeve të popullsisë nga brigjet e Danubit të poshtëm drejt pjesës perëndimore dhe jugore të Ballkanit. Për këtë periudhë në Epir dhe në Maqedoni kanë dalë në dritë maje ushtash prej sileksi të tipit kurghan. Tashmë është provuar se grekët nuk kanë qenë kurghanë. Tashmë është provuar në mënyrë të vetme se grekët nuk kanë kaluar nëpër Evropë për të arritur në Greqi dhe, gjithë çfarë është thënë deri tani nga historianët për “grekët dhe ilirët” (N. G. L. Hammond), u mbetet vetëm ilirëve (A. Sherratt, 1997).

Bronzi i mesëm në Epir paraqet tipare specifike shkëmbimesh tregtare. K. Kilian (1984, f. 284-286) mendon se gjatë, kësaj periudhe, “periferia e qytetërimit mikenas shtrihet deri në liqenin e Janinës”. Ky autor thekson se “Shqipëria, qoftë për prodhimin e shpatave ose për përqindjen minimale të qeramikës mikenase, mbetet matanë kufirit”, duke nënkuptuar kështu me një vend Shqipërinë dhe Epirin. Sidomos disa objekte metalike bëjnë aluzion për lidhjet e Shqipërisë dhe të Epirit me bregun tjetër adriatik. Sa për armët, ky historian, në kundërshtim me historianët grekë, të cilët pretendojnë se në këtë periudhë, në tërë hapësirën gjeografike ilire, objektet metalike kanë gjoja ndikimin e qytetërimit mikenas, pyet: “Përse duhet që thika e zbuluar në Vajzë (Epir), si dhe ekzemplarët e Maliqit (Iliri), të Matit (Iliri) dhe të Dodonës (Epir) të jenë bërë përherë sipas një prototipi mikenas… ?” (K. Kilian, 1975).

Përgjigjja e kësaj pyetje jepet më poshtë.

Në ish-Jugosllavi janë zbuluar karfica të shek. XIII p.e.s, që janë prodhuar shumë kohë më parë sesa të njëjtët tipa karficash, të gjetur në Greqi. Për këto karfica A. Harding thotë se janë pa pikë dyshimi të frymëzuara nga viset veriore. Edhe “violine-bow fibulae”, si dhe karfica në formë të harkut rrethor, të cilat janë dukur në Greqi për herë të parë në shek.XII p.e.s, janë njohur më parë në Ballkan dhe në Evropën qendrore, çka mund të konsiderohet si evidencë e arritjes në Greqi të elementeve të reja të poullsisë. Po kështu, disa unaza ari dhe unaza të tjera e bylyzykë me spirale, të cilët duken në Greqi nga fundi i periudhës mikenase, janë pa pikë dyshimi me prejardhje nga Evropa qendrore. Sa për gjilpërat, të cilat duken në shek. XII p.e.s në Greqi, në Shqipëri dhe në Maqedoni, A. Harding shton se është pa dyshim e vërtetë se disa forma të tyre duken në këto vise disa shekuj më vonë sesa në Evropën qendrore. Këta tipa të rinj të bëjnë të mendosh se grekët kanë kopjuar forma ekzotike, kurse format e tjera i kanë importuar (A. Harding, 1984, f. 134-142).

Në shek. XIII-XII p.e.s hyn në përdorim në Epir një tip sëpate me dy presa, e cila haset shpesh në Ilirinë e jugut. Gjatë epokës së bronzit të vonë Epiri bën pjesë në një bashkësi kulturore ballkanike, që përfshin Ilirinë, Thrakin, Dakinë dhe Hungarinë. Shumë historianë, duke u mbështetur në praninë e qeramikës me hulliza, shprehin mendimin se këtu është fjala për një dyndje të ilirëve nga Luzaca (Lausitz). Gjatë këtyre shekujve thikat dhe hanxharët vazhdojnë të bëhen në Epir dhe në Maqedoni njësoj si në veri të Ballkanit (R. Treuil, 1989, f. 166).

Nga fundi i shek. XII p.e.s duket në Ballkan për herë të parë qeramika e mbiquajtur “barbare”. Kjo qeramikë e mbiquajtur edhe “devollite”, e cila është zbuluar në Ilirinë e jugut, në Epir dhe në Maqedoni, duket në brigjet jugore të Adriatikut dhe në bregun lindor të detit Jon. C. Soueref (1990, f. 33) thotë se “është interesante kur vërejmë se qeramika epirote/shqiptare dhe pastaj ajo itakase… paraprijnë qeramikën e Eubesë dhe atë të Korinthit të shek. VIII para e. sonë. Armët “barbare”, të zbuluara në Greqi, në shek. XII p.e.s, shtrojnë një problem të rëndësishëm. Deri para nja tre dhjetëvjeçarësh, të gjitha objektet arkeologjike, që zbuloheshin në Greqi, konsideroheshin sikur ishin greke. Mirëpo tani është provuar e kundërta. A. Harding nënvizon faktin se pjesa më e madhe e objekteve prej bronzi, të zbuluar në Mikenë, në Greqinë jugore dhe në Kretë, janë objekte barbare. Sëpatat me një teh single-hole, të pranishme në Epir dhe në Shqipëri, nuk janë të tipit mikenas, sepse tashmë është pranuar se ato janë adriatike dhe se gjenden sidomos në të dy brigjet e Adriatikut. Edhe tipi evropian i shpatës flange-hilted ka hyrë në Greqi nga veriu, rreth vitit 1200 dhe është adoptuar nga grekët plotësisht (A. Harding, 1984, f. 129-218).

Këto shpata i kanë futur në Greqi mercenarë barbarë (H. W. Catling, 1961, f. 121).

Të njëjtën gjë thotë C. Peroni: edhe kamat flange-hilted janë dukur në Greqi për herë të parë në sh. XII p.e.s. Këto kama, njësoj si shpatat e përmendura më lart, njihen në Fushat me Urna (Evropa Qendrore) shumë kohë para se të arrinin në Greqi.

Edhe disa lloje majesh të disa ushtave prej hekuri kanë hyrë në Greqi në sh. XII p.e.s. Si thotë A. Harding (1984, f. 169), pjesa më e madhe e tyre janë distinctively albano-epirote.Këto objekte arkeologjike, që hyjnë vonë në Greqi, kanë qenë especially me shumicë në Bavierë, në Bohemë dhe në Moravi (E. Čujanova-Jilkova, Prague, 1970).

Për objektet arkeologjike, të përmendura më lart, është thënë deri tani se bëhet fjalë për një koine greko-jugoslave. Mirëpo tani shumë autorë provojnë se nuk janë objekte arkeologjike ballkanike (J. Bouzek, Prague, 1968). J. Bouzek shpreh bindjen se poçeria mikenase nuk njihet në të dy anët e brigjeve të Adriatikut. Ai nënvizon se paralelet evropiane të mbërtheckave evropiane, të mbiquajtura ”uncanonical pins”, të cilat janë gjetur në Greqi, në protogjeometrik dhe në gjeometrik, tregojnë ngjashmëri gjenerike të ansamblit të gjilpërave të Fushave me Urna. Ai shton se përhapja e karficave ilire karakterizon pellgun Adriatik dhe se mbërtheckat e të dy brigjeve të Adriatikut kanë një ngjashmëri të përgjithshme (J. Bouzek, 1997, f. 117). Kultura e periudhës së hekurit, e cila në Epir fillon rreth shek. XI p.e.s, zhvillohet në vazhdim të një evolucioni të mëtejshëm dhe të ndikimeve të huaja. Edhe gjatë kësaj periudhe të tërheq vëmendjen vazhdimësia e riteve të varrimit dhe fakti që epirotët nuk kanë pësuar asnjë ndikim grek në ritet e varrimit. Të gjithë historianët vënë në dukje ngjashmërinë, që nekropolet tumulare, të zbuluar në Epir, kanë me nekropolet tumulare të Shqipërisë. Ata theksojnë se zakonet e varrimit të popullsisë epirote kanë ngjashmëri me zakonet e ilirëve, të cilët banojnë në luginat e lumenjve të Matit dhe Devollit.

Arkeologët shqiptarë mbrojnë se qeramika “matt-painted” është përhapur në shek. VIII para e. sonë nga Shqipëria e jugut dhe ajo juglindore drejt brigjeve etolo-akarnane…

Pra, kujtesa kolektive pellazgo-iliro-shqiptare, feja epirote, historia e shkruar greke e jo greke dhe rezultatet e kërkimeve arkeologjike të tre dhjetëvjeçarëve të fundit japin elemente, që na lejojnë të shtrojmë krejt ndryshe problemin e iliricitetit të epirotëve.

Këtu u strukturuan vetëm disa argumente mbi karakterin etnik ilir të epirotëve. Herës tjetër do të renditen argumente të tjerë shumë të rëndësishëm mbi përkatësinë e tyre etnike.

*Doktor në Histori i Universitetit të Franche-Comté-së


Arsim Spahiu : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama