Si objekt studimi të projektit të tyre aktual, ata kanë zgjedhur shqipen e vjetër, një gjuhë e cila deri tani ishte lënë pas dore nga shkenca. Pa të drejtë: sepse sipas tezës së tyre, shqipja është një gjuhë qendrore e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike dhe ka ndikuar në zhvillimin e gjuhëve të tjera ballkanike.
Privat docent dr. Stefan Schumacher dhe dr. Joachim Matzinger, studiues të Institutit të Gjuhësisë (Indoevropianistikës) dëshirojnë që me punimin e tyre të vijojnë një traditë austriake të hulumtimit shkencor. Albanologjia që prezantohet sot në hapësirën gjermanishtfolëse vetëm nga një profesor në Munih, ka pasur në Austri një përfaqësues të shquar: Norbert Jokl, profesor dhe bibliotekar në Universitetin e Vjenës, vlerësohet si “Babai i albanologjisë”. Për shkak të origjinës së tij çifute, më 1938-in Jokli u pushua nga puna. Ai u deportua më 1942-in dhe vdiq. Biblioteka e tij private me shumë vlerë u konfiskua dhe i kaloi Bibliotekës Kombëtare Austriake (Osterreichische Nationalbibliothek).
“Që atëherë, tradita e albanologjisë vjeneze u ndërpre”, - thotë Joachim Matzinger.
“Ne duam ta çojmë atë përpara me anë të metodave të reja të hulumtimit shkencor”. Në projektin FWF “Das altalbanische Verbum im balkanischen Kontext” (Folja e shqipes së vjetër në kontekstin ballkanik) të dy gjuhëtarët studiojnë sistemin foljor të shqipes së vjetër dhe marrin në shqyrtim si sistematikën e tij sinkrone, ashtu edhe perspektivën diakrono-etimologjike.
Shqipja, që përbën një degë më vete ndër gjuhët indoevropiane, bën pjesë së bashku me greqishten e re, bullgarishten, maqedonishten dhe rumanishten në Lidhjen Gjuhësore Ballkanike. Këto gjuhë kanë fjalë dhe struktura të përbashkëta.
Matzinger thotë se “ka pasur shumë shkëmbim.
Nga ndikimet multilaterale të gjuhëve, mund të konstatohet që folësit kanë pasur shumë marrëdhënie me njëri-tjetrin, p.sh, në tregti ose në blegtori”.
Shumacher dhe Matzinger mbështesin tezën që shqipja luan një rol qendror në Lidhjen Gjuhësore Ballkanike.. Ata duan të tregojnë se cilat elementë të shqipes janë tipike për gjuhët ballkanike. “Fakti që artikulli i shquar në rumanishten, bullgarishten dhe maqedonishten prapavendoset, ka nisur ndoshta nga shqipja, në të cilën artikulli i shquar i prapavendosur ekzistonte që nga kohët antike”, - thotë Stefan Schumacher. Mund të thuhet vetëm ndoshta, për shkak se shqipja u shkrua për herë të parë në shekullin XVI. Por fazat më të hershme të gjuhës mund të rikonstruktohen pjesërisht.
Letërsia e vjetër shqipe nga shek. XVI deri në shek XVIII-pothuajse tërësisht një letërsi katolike-fetare-formon korpusin e teksteve që studiojnë të dy shkencëtarët. Janë digjitalizuar rreth 1500 faqe të shtypura të autorëve të vjetër gegë Buzuku (1555), Budi (rreth 1620), Bardhi/Blanchus (1635), Bogdani (1685) si dhe të dy autorëve të vjetër toskë Matrënga (1592) dhe Variboba (1762).
Këto pothuajse nuk janë studiuar fare deri tani-sepse të gjitha të dhënat ishin të disfavorshme: ”Për një kohë të gjatë nuk u mor kush me letërsinë e vjetër. Pas mbarimit të pushtimit italian të Shqipërisë (1939-1944) Kisha Romane-Katolike u diskretitua dhe letërsia katolike u kthye në tabu. Më 1944 erdhën komunistët, të cilët më 1967 e deklaruan Shqipërinë shtet ateist”, sqaron Schumacher: “Tani pas rënies së komunizmit më 1991 po sundon një klimë liberale dhe letërsia po vlerësohet; por për studime shkencore mungojnë si të hollat e nevojshme, ashtu dhe njohuritë e background-i për katolicizmin”.
Kështu ndodhi që të dy gjuhëtarët vjenezë i janë vënë aktualisht letërsisë ballkanike. Në hapat e parë do të filtrohen nga tekstet e vjetra shqipe format foljore, të dokumentohen vetitë e tyre specifike dhe të ndahen sipas kategorive. Përveç kësaj do të bëhen përpjekje për të përcaktuar etimologjinë e foljeve.
Njohuri të reja për të gjitha disiplinat e gjuhësisë
Së fundi rezultatet do t’u kundërvihen sistemeve foljore të gjuhëve të tjera ballkanike. “Çfarë është specifike ballkanike? Ku rrezaton shqipja në Lidhjen Gjuhësore Ballkanike?”, këto janë sipas Schumacher-it çështjet kryesore. Në këtë mënyrë, njohuritë e reja nga ky projekt nuk do t’i shërbejnë vetëm albanologjisë, por edhe indoevropianistikës dhe gjuhësisë.
Projekti shkencor “Folja e shqipes së vjetër në kontekstin ballkanik” ka filluar në shtator 2006 dhe do të vazhdojë për tre vjet.
Ina Arapi - Gazeta Shqiptare











