Kenga shqiptare ne Eurovizion pa asnje promovim

Kënga shqiptare, në Eurovizion pa asnjë promovim

“Balada e Gurit”(në anglisht “Hear my plea”) tashmë ka marrë të tjera dimensione për t’i komunikuar një publiku më të gjerë. Por gara për të zënë një vend apo për të dalë fitues në Festivalin Evropian, është përveç të tjerash edhe një garë promovimi. Një pikë mjaft e dobët për Shqipërinë. Për të mos thënë që nuk ekziston fare. Mungesa e promovimit është ndjerë jo pak në konkurrimet e mëparshme. Dhe me sa duket odiseja vazhdon.

Konkurrimi i Ndocit në gjysmëfinale, për shumicën e publikut mund të jetë edhe prezantimi i parë me këngëtarin e Shqipërisë. Mund të ketë edhe nga ata që videoklipin e kanë parë në faqen on-line të festivalit, por kjo ngelet në vullnetin e lirë të tyre. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë mundësi promovimi. Ndryshe nga sa ishte thënë në fillim nga përfaqësuesit e RTSH-së, për këngën nuk ka pasur asnjë tur prezantimi apo forma të tjera publiciteti. Pas pak ditësh, grupi përfaqësues do të niset drejt Finlandës. Edhe pse Ndoci thekson se profesionalizmi ndjehet më shumë se vitet e tjera, e pranon se për promovimin nuk është bërë asgjë. Arsyet i faturohen pamundësisë financiare.

“Mendoj se ka qenë sërish çështje financimesh”, - shprehet Ndoci, duke e ditur se tani nuk ka se ç’të bëhet më. Ftesa e parë që është djegur ka qenë ajo e Izraelit. Ndërsa sot digjet edhe prezantimi i tij në Maltë. Afrimin e televotuesve për t’u renditur mirë në skualifikim nuk do të mund ta bëjë as në vende të tjera si Spanja, Portugalia apo Londra. “Promovimi i këngës shqiptare në këto vende që na kishin bërë ftesë, njohja jonë nëpërmjet intervistave në televizione, sigurisht që do të na ndihmonte që të kishim në anën tonë një pjesë të këtij publiku dhe bashkë me të edhe disa vota”, - shprehet Ndoci. Mjaft i diskutueshëm ka qenë edhe vjet mungesa e promocionit nga ana e Televizionit Shqiptar. Luiz Ejlli nuk pati mundësinë të bënte ture promovuese, përkundrejt promocionit të fortë të vendeve të tjera evropiane. Ndërsa reagimi i maqedonasve për realizimin e klipit në vende që ata e quajnë pasuri të tyre arkeologjike, mund të ketë edhe koston e saj në votim.

Prezantimi
Performancës shqiptare në Eurovizion po i plotësohen detajet e fundit. Blendi Laço këto kohë po punon me regjinë skenike dhe në datën 2 maj, do të nisen drejt Helsinkit. Nuk bëhet fjalë për lëvizje të gjalla koreografike, të kushtëzuara këto edhe nga vet natyra e këngës. Në vend të tyre janë zgjedhur elementë plotësues të këngës. Të tillë janë zërat shoqërues, ku krahas Aidës, bashkëshortes së Frederikut, për realizimin e back vocal-eve janë zgjedhur tre djem të Akademisë së Arteve me cilësi vokale mjaft të mira. Ata janë Erti Hizmo, Denis Skura dhe Oltian Marku. Interpretimit do t’i shtohet edhe instrumentistja, Joana Kaimi, fituese në konkursin “Star Academy”, që do interpretojë në violinë. Ndërsa nuk do të mungojnë edhe motivet shqiptare. Ato do të jenë në veshjet e tyre. I ka grishur shumë xhubleta e Veriut do të vijë e stilizuar nga Rezarta Skifteri për t’u përshtatur si veshje për Aidën, bashkëshorten e Ndocit. Ndërsa të tjerat mbeten për t’u zbuluar në skenën e festivalit.

Konkurrimi
Shqipëria do të konkurrojë e 11-ta në natën gjysmëfinale të edicionit të 52-të të Eurovizionit, i cili nis në 10 maj në Helsinki të Finlandës. Frederik Ndoci do të jetë mes këngëtarëve nga 34 vende, nga të cilët do të përzgjidhen 8 për të kaluar në natën finale. Ata do t’i shtohen 14 finalistëve të përbërë nga dhjetëshja më e mirë e një viti më parë dhe 4 të përhershmit (Francë, Gjermani, Spanjë dhe Mbretëria e Bashkuar). Teksti i këngës është përshtatur nga June Taylor me titullin “Hear my plea”, për të komunikuar me një publik sa më të gjerë. “Publiku që ndjek këtë festival e ka të pamundur që të kuptojë se çfarë vlere ka guri për shqiptarët. Për këtë, Taylor zgjodhi që ta bëjë sa më të prekshëm mesazhin”, - shprehet Ndoci. Gjithçka mbetet të përcaktohet në skenën e madhe, megjithëse për të edhe vet pjesëmarrja është një arritje. Finalja e Eurovizionit do të zhvillohet në datën 12 maj.

Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama