5 Korrik 2023

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Gjermani duket se ka futur në rreth të kuq kryeministrin Edi Rama. Dy ditë më parë gazeta “SOT” bëri me dije se qeveria gjermane refuzoi draftin e Ramës për asosacionin dhe e përjashton nga dialogu Kosovë-Serbi, pasi sipas Berlinit, bisedimet për të ulur tensionet në veri i kanë vetëm me Kurtin dhe Vuçiç.

Por pa u tharë mirë boja e këtij lajmi, një tjetër telash është shfaqur në horizont për kryeministrin shqiptar, ku protagonistë janë sërish gjermanët. Ka qenë ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari, i cili ka paralajmëruar se zv. kancelari gjerman, Robert Habeck do të nisë një tur në Ballkan, por i vetmi vendi që nuk do të vizitojë është Shqipëria, duke i dhënë kështu një goditje të fortë kryeministrit Edi Rama, që e mban veten për lider global. “Zëvendëskancelari i Gjermanisë pritet të bëjë një tur në Ballkan për Procesin e Berlinit. Nuk pritet ta vizitojë Shqipërinë”, shkruan ish-zëvendëskomandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari.

Rama vihet në lëvizje

Por për të minimizuar sado pak izolimin ndërkombëtar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në datat 6 dhe 7 do të zhvillojë një tur në rajon. Kreu i qeverisë do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse në kuadër të “Procesit të Berlinit”. Beogradi, Sarajeva, Shkupi, Prishtina dhe Podgorica do të jenë ndalesat e të parit të qeverisë në një klimë tensioni ku gjendet rajoni për shkak të situatës në veri të Kosovës. Në muajin tetor në Tiranë do të zhvillohet samiti i radhës i “Procesit të Berlinit”. Pak ditë më parë Edi Rama njoftoi vetë se “Ballkanit të Hapur” i erdhi fundi si nismë rajonale.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se Berlini i ka dhënë dy ditë më parë një “shuplakë të fortë” kryeministrit Rama duke i treguar vendin që i takon në lidhje me maninë e tij për të mbartur misione prej lideri global që askush nuk ia jep.

Qeveria gjermane refuzoi të komentojë ditën e djeshme draftin e Ramës për asosacionin dhe tha më hapur se kurrë se bisedimet po i zhvillon me aktorët kryesorë, pra me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin kosovar Albin Kurti.  “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk e komentojmë propozimin e kryeministrit shqiptar.

Po ashtu, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe përfaqësuesin special të BE-së (Miroslav) Lajçak, jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët relevant për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës”, ka thënë për mediat zyra për shtyp e qeverisë gjermane. Ndërkohë kjy “grusht” gjerman ndaj Ramës, vjen pasi ky i fundit thirri pak ditë më parë një “konferencë të jashtëzakonshme” shtypi dhe lajmëroi se kishte vënë “botën perëndimore” në lëvizje, si SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, duke iu dorëzuar një draft për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Natyrisht, kuptohet që askush nuk ia ka kërkuar Edi Ramës këtë nder, pasi këtë fakt përveç Gjermanisë e konfirmuan dhe liderët e Beogradit dhe Prishtinës. Draftin e tij nuk e përfilli njeri. Albin Kurti tha se nuk e ka parë dhe as lexuar draftin e asociacionit të propozuar nga kryeministri Edi Rama. “Unë i besoj Ramës, që ai beson se ai model është  i mirë për pakicat kombëtare.

Por dhe duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 8 pika 1 por dhe kontekstin politik ku ndodhemi unë po tregoj se ku është adresa dhe cila duhet të jetë kërkesa për këtë model. Adresa Beogradi. Kërkesa për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk e di nuk e kam lexuar por i besoj Ramës, që ai beson se ai model është  i mirë dhe i duhur”, tha Kurti. Edhe Vuçiç nuk e ka pranuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin. Ai deklaroi se as kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe as ai i Kosovës, Albin Kurti nuk kanë të drejtë të bëjnë një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Lideri serb ripërsëriti se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipi menaxhues, për të cilin është rënë dakord më herët, i përbërë nga serbët. “Kur dëgjoni që Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, se Rama ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, që disa OJQ kanë propozimin e tyre për Asociacionin e komunave serbe, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë propozime. Ai propozim duhet të bëhet nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiç.

Gazeta Sot