“Zhargon rruge në parlament”/ Kokëdhima ironizon keq Kuvendin: Atje është mbledhur gjithë llumi. –

Seanca plenare e ditës së enjte u zhvillua me debate të ashpra, ku mbizotëroi një gjuhë denigruese dhe fyese. Reagime të shumta erdhën nga personazhe politike por jo vetëm. Sot kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, e ilustroi me një fotomonazh pikant fjalorin e rrugës të përdorur dje në senacën plenare nga deputetët, kryeministri dhe ish-kryeministri.

Në një postim në Twitter, Kokëdhima shkroi: ‘Zhargon rruge në parlament. Atje është mbledhur gjithë llumi. Pastrimi i Shqipërisë nis nga zgjedhjet e lira dhe të barabarta’.

Bashkangjitur i vendosi edhe një fotomonazh, sallën e seancave plenare të mbushur me plehra urbane, foto që u bë virale në vitin 2016, kur Edi Rama tentoi të votonte në Kuvend ligjin për importimin e mbetjeve nga jashtë, projekt që nisi Berisha kur ishte në pushtet, por qeveria ‘Rama’ e anuloi VKM-në që në mbledhjen e parë të qeverisë në shtator 2013.

Kokëdhima dhe partia që drejton, ZGJIDHJA, prej dy vitesh kanë kërkuar një reformë zgjedhore të thellë, duke hequr monopolin PS-PD nga organizimi dhe administrimi i zgjedhjeve, një KQZ jopolitike, votim dhe numërim elektronik dhe heqjen e monopolit të krytarëve për të zgjedhur kandidatët për deputetë, apo kryetarë bashkish.