Anija e lashtë luksoze egjiptiane

9 Dhjetor 2025

Arkeologët kanë zbuluar në ujërat pranë Aleksandrisë një anije të rrallë argëtimi të Egjiptit të lashtë, e cila përputhet me përshkrimet e historianit grek të shekullit të parë, Strabo, duke e cilësuar zbulimin si një nga më emocionuesit e viteve të fundit.

Anija, e datuar në gjysmën e parë të shekullit të parë pas Krishtit, ishte rreth 35 metra e gjatë dhe e konceptuar për të mbajtur një pavijon qendror me kabinë luksoze. Ajo u gjet pranë ishullit të fundosur Antirhodos, pjesë e portit të lashtë Portus Magnus të Aleksandrisë, një nga qytetet më madhështore të botës së antikitetit.

Strabo, i cili vizitoi Aleksandrinë mes viteve 29-25 p.e.s., përshkruante anije të tilla si mjete të stolisura për udhëtime zbavitëse nga oborri mbretëror, ku njerëzit festonin, kërcenin dhe luanin muzikë gjatë natës.

Zbulimi u bë nga Instituti Europian për Arkeologjinë Nënujore (IEASM), nën drejtimin e profesor Franck Goddio, një nga arkeologët më të njohur të detit.

“Është hera e parë që një anije e tillë zbulohet në Egjipt”, tha ai, duke theksuar se deri më sot anijet e përshkruara nga autorët e lashtë njiheshin vetëm nga mozaikët dhe ilustrimet, si mozaiku i Palestrinës.

Nga analizat paraprake, anija ka një gjerësi prej rreth 7 metrash dhe mund të ketë pasur mbi 20 lundërtarë. Ajo ishte vetëm 7 metra nën sipërfaqe dhe 1.5 metra nën sediment, me strukturë të pazakontë. Dyshemeja ishte e sheshtë dhe pupthi i rrumbullakët, i përshtatur për ujëra shumë të cekëta.

Goddio beson se anija mund të ketë fundosur gjatë shkatërrimit të madh të Tempullit të Isis rreth vitit 50 e.s., ngjarje që solli zhytjen nën det të pjesëve të tëra të Aleksandrisë pas tërmeteve dhe valëve të fuqishme. Një tjetër teori sugjeron se anija mund të ketë qenë barkë rituale e tempullit të Isis, e përdorur gjatë ceremonive detare të kultit.

Në strukturën e anijes u gjet edhe grafiti në greqisht, i cili ende nuk është deshifruar.

Ky zbulim pritet të ofrojë të dhëna të reja mbi jetën, religjionin, luksin dhe kulturën e Egjiptit romak të hershëm. Sipas ekspertëve të Universitetit të Oksfordit, është hera e parë që gjendet një anije e këtij lloji në formë të ruajtur arkeologjike.

Anija do të lihet në fund të detit, sipas rregullave të UNESCO-s që favorizojnë ruajtjen e mbetjeve nënujore. Punimet e gërmimeve do të vijojnë, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël e zonës është eksploruar deri tani.