Zbardhet Veriu, borë edhe në Llogara. Vjosa arrin natën afër pikës kritike, qetësohet në mëngjes. Këto janë akset rrugore ku duhet bërë kujdes

30 Nentor 2021

Verilindja e vendit është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës që prej natës së kaluar.

Në Peshkopi bora ka shtruar deri në 15 cm lartësi. Rruga Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë.

Në fshatrat e thella të kësaj zone bira ka arritur deri në 20 cm. Rruga Peshkopi-Draj Reç- Kukës kalohet me vështirësi deri në Zall Reç, më tej drejt Ujmishtit  është e bllokuar.

Zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë janë për momentin pa komunikim me qytetin.

Në rrethin e Bulqizës reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët, dhe trashësia në qytet shkon në 5 cm. Nuk ka probleme në rrugët e qytetit.

Në Librazhd, akset Qafa e Buallit – Krastë dhe Ura e Çerenec – Librazhd kalimi bëhet normal deri tani. Por raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra, pasi janë këputur telat dhe janë shembur shtyllat.

Në Lurë, ka një situatë problematike. Zona për momentin është izoluar. Qarkullimi është bllokuar në Trebisht dhe disa fshatra të njësisë së Ostrenit.

Edhe rajoni i Lezhës është përfshirë nga reshje dëbore, kryesisht në zonat e ulëta, ndërsa sipas informacioneve paraprake situata po mbahet nën monitorim.

Në Pukë reshjet e dëborës, kanë “veshur” rrugët, por pa u bërë problematike për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve. Edhe Rruga e Kombit si dhe rrugët nacionale funksionojnë pa probleme.

Nga bora është zbardhur edhe fshati turistik i Llogarasë në Vlorë.

Disa zona të vendit janë izoluar

Raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra

Reshjet e dëborës vijojnë që prej natës së kaluar

Zonat e thella janë për momentin pa komunikim me qytetin

Fotot janë marrë nga faqja e gazetës DITA në Instagram

Mëngjesin e sotëm, ndërkohë, niveli i lumit Vjosa ka rënë në 6.10 m mbi nivelin e detit. Mbrëmjen e djeshme niveli arrti në kuotat 6.70, ndërsa pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 m mbi nivelin e detit.

Prurjet e Vjosës mbrëmjen e djeshme  kanë sjellë dhe përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit, por pa problem për banorët e njësisë administrative Novoselë.

Nëse reshjet e shiut do të vijojnë në Përmet, aty ku Vjosa buron, atëherë duhet bërë kujdes se uji pritet të sjellë probleme.

Gazeta Dita