27 Tetor 2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka folur sot në lidhje me afatin që po skadon më 31 tetor në Kosovë për ndërrimin e targave për qytetarët serbë. Sidoqoftë, krahas kësaj çështjeje, ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave.

Presidenti serb, si zakonisht, është ankuar për çështjen e targave, duke thënë se autoritetet në Prishtinë do të përballeshin me rezistencë paqësore demokratike.

Ndërkohë, sa u përket vizave, ai tha se e mbështet liberalizimin e vizave.

“Jam shumë pro që t’u jepet një regjim pa viza dhe do ta mbështes gjithmonë dhe në çdo moment, siç kam bërë gjithmonë, për shumë arsye, nuk dua të shpjegoj pse,” – tha presidenti serb Vuçiq.

Duhet të kujtojmë se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, edhe pse kanë pasaporta serbe, nuk lejohet të lëvizin lirshëm në zonën Schengen për shkak të një vendimi nga autoritetet serbe të vitit 2009.