Vrau një person në Kinë, hantavirusi që përhapi panik nuk është një virus i ri

24 Mars 2020

Raportimet se një person në Kinë ka vdekur si pasojë e një virusi të quajtur hantavirus, ka përhapur shumë panik në një kohë kur bota po lufton me pandeminë e koronavirusit.

Koronavirusi që filloi po në Kinë ka vrarë mbi 16,000 njerëz në mbarë botën dhe shpërthimi i tij ende nuk po vihet nën kontroll.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm, hantavirus u bë kryefjala e postimeve në “Twitter”, pasi mediat shtetërore kineze postuan për një person të vdekur nga ky virus.

Por rezulton se hantavirusi nuk është një virus i ri dhe ka dekada të tëra që infekton njerëzit.

Gazeta shtetërore kineze, “Global Times” shkruante të marten në “Twitter”: “Një person nga provinca Yunnan vdiq teksa po kthehej për në provincën Shandong dhe ndodhej në autobus. Gjithashtu edhe 32 personat e tjerë në autobus u testuan pozitiv për hastavirusin”.

Ky postim i “Global Times” u shpërnda mbi 6 mijë herë nga përdoruesit e tjerë të “Twitter”-it. E si pasojë, hastavirusi u kthye në një trend në këtë rrjet social.

Disa njerëz e kanë quajtur atë si një virus të ri, por në fakt nuk është ashtu. Qendra Kombëtare e Informacionit të Bioteknologjisë së Shteteve të Bashkuara (NCBI) në një ditar shkruan se aktualisht, hantavirus përfshin më shumë se 21 specie.

Në vitin 1978, një agjent Korean u izolua për shkak se u infektua nga një brejtës në fushën pranë lumit Hantan në Korenë e Jugut.

Virusi u emërua si Hantaan, nga emri i lumit Hantan. Në vitin 1981, një gjini e re e quajtur si “hantavirus” u prezantua në familjen Bunyaviridae, e cila përfshinte viruset që shkaktojnë ethe hemoroligike me sindromën renale (HFRS).

©Copyright Gazeta SHQIP