Varianti i ri i Covid, 70% më shumë infektues/ Ish-ministri i Shëndetësisë: Ky virus nuk prek veprimin e vaksinës

22 DHJETOR 2020

Pak ditë pasi ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit Sars CoV-2, një variant i ri i tij, edhe më përhapës, ka shkaktuar alarm anembanë Europës. Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera (përfshi Shqipërinë dhe fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut) i kanë ndaluar fluturimet prej atje.

Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se: “kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”.

Komiteti Teknik ndërkaq ka shtuar dje orarin e kufizimit. Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka folur për “Wake Up”, ku ka dhënë detaje rreth mutacionit të virusit.

“Nuk është se kemi një virus të ri, kemi në fakt diçka tjetër, ekzistues, që është virusi që shkakton këtë që po qarkullon tashmë.

Kemi një mutacion gjenetik të tij, i cili siç duket manifestohet në një element kryesor, transmetueshmëria e virusit thuhet se është 70 për qind më e lartë seç ishte në fillim me virusin që lindi.

Nuk duket se ka rritje të agresivitetit të virusit ndaj njeriut. Dhe ky virus i ri nuk prek veprimin e vaksinës në luftën kundër virusit. Problem është përhapja më e shpejtë e tij”, sqaroi Shehu.

Gazeta Shqip