29 Gusht 2026

Mënyra se si po zhvillohet dhe promovohet turizmi kulturor në vend po ngre pikëpyetje, veçanërisht sa i përket menaxhimit dhe promovimit të trashëgimisë arkeologjike. Studiuesi Auron Tare ka reaguar ndaj mënyrës se si po zhvillohet turizmi kulturor në vend, duke ngritur një sërë kritikash për modelin që po ndiqet. Sipas tij, kjo është një tjetër formë e turizmit kulturor që po zhvillohet në vend.

“Një formë e re e turizmit kulturor po zhvillohet në trojet tona. Ciceronë filipinezë tashmë janë trajnuar dhe po shërbejnë me sukses në promovimin e qendrave arkeologjike. Kjo është një arritje e madhe për turizmin tonë dhe tregon edhe një herë që jo vetëm shtimi i numrave  të turistëve, por edhe zënia e çdo metri të bregut shqiptar nga ndërtimet, artizanati kinez apo çdo lloj forme tjetër të turizmit me shumicë garanton mirëqënie për shqiptarët. Pas formulës që dikur Ministria e Kulturës prezantoi në drejtimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga një pensionist prej Perusë, tashmë nuk na mbetet gjë tjetër por ti urojmë punë të mbarë edhe ciceroneve filipineze përgjatë bregdetit tonë”, shprehet Tare në një reagim të tij të ndarë në rrjete sociale.

Në të njëjtën kohë, studiuesi Auron Tare ka reaguar edhe më herët për zhvillimet që lidhen me trashëgiminë kulturore në Shqipëri. Në reagimet e tij publike, ai ka ngritur kritika ndaj institucioneve për mënyrën e menaxhimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Tare ka komentuar gjithashtu në mënyrë kritike edhe zhvillimet në sektorin e turizmit në Shqipëri, duke vënë në fokus politikat dhe modelin e turizmit që po ndiqet.