3 Janar 2025

Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku ka folur për një operacion ushtarak të kryer ndaj Venezuelës dhe për kapjen e presidentit të saj, Nicolas Maduro.

Sipas Trump, sulmi i parë ka qenë “një sukses i plotë”, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për një valë të dytë, shumë më të madhe sulmesh, nëse situata e kërkon një gjë të tillë. “Ne mendojmë se një valë e dytë do të ishte e nevojshme, por tani për tani ndoshta nuk ka më nevojë. Megjithatë, jemi plotësisht të përgatitur”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan theksoi se një bashkëpunim i ardhshëm mes Venezuelës dhe SHBA-ve do ta kthente vendin në një shtet më të pasur, më të pavarur dhe më të sigurt, duke shtuar se kjo do të sillte përfitime edhe për komunitetin venezuelian që jeton në Shtetet e Bashkuara. “Ata kanë vuajtur shumë, u është marrë gjithçka. Kjo nuk do të ndodhë më”, u shpreh Trump.

Në deklaratat e tij, Trump e cilësoi Nicolas Maduron si “diktator” dhe e akuzoi atë se ka qenë në krye të një organizate të përfshirë në trafikimin e drogave të forta drejt SHBA-ve. Ai pretendoi se Maduro kishte bashkëpunuar drejtpërdrejt me kartelin e njohur si Cartel de los Soles, të cilin e fajësoi për përhapjen e drogës dhe për vdekjen e mijëra amerikanëve.

Trump njoftoi gjithashtu se Maduro dhe bashkëshortja e tij do të përballen me drejtësinë amerikane. Sipas tij, presidenti venezuelian ndodhet tashmë në një anije në drejtim të Nju Jorkut, ku pritet të gjykohet në territorin amerikan.