
9 Prill 2026
Projekti “Rijetëzimi i Kalasë së Shkodrës” tashmë është gati, një investim i mbështetur nga BERZH dhe Bashkimi Europian me zbatues Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Ky projekt do ta kthejë këtë monument në një hapësirë të gjallë kulturore, turistike dhe edukative, duke përmirësuar infrastrukturën dhe përvojën e vizitorëve, ndërsa ruan me kujdes vlerat e saj historike dhe arkitektonike. Në lidhje me këtë projet të rëndësishëm për Kalanë e Shkodrës, Drejtori i DRTK Shkodër Helidon Sokoli, shprehet se kjo është investimi dhe ndërhyrja më e madhe në 40 vite në këtë sit kulturor të Shkodrës.
“Kjo ndërhyrje që pritet të fillojë shumë shpejt, një investim që është projektuar dhe hartuar nga
Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do financohet nga
Banka Botërore dhe BERZH, Është ndoshta ndër ndërhyrjet më të rëndësishme në Kalanë e Shkodrës pas gati katër dekadash që nga ndërhyrjet e viteve 80. Është një nga monumentet më të vizitueshme në vendin tonë ndaj edhe fokusi i këtij investimi do të jetë tek infrastruktura mbështetëse dhe logjistika e nevojshme për fluksin turistik, duke filluar nga parkimi i dedikuar për autobuzët, për mjetet më të vogla, furnizimin e Kalasë me ujë që të investojmë më pas edhe për nyjet e reja sanitare, rritjen e parametrave mbrojtjës, arredimi urban brenda në Kala, shtigje të reja, sinjalistikën e nevojshme për vizitorët dhe krijimi i një këndi për aktivitete kulturore në Kala, dhe një ndërhyrje tek godina e Kapitenerisë Mesjetare që sot shërben si Muzeu i Kështjellës, për të evituar problematikat me lagështirën. Kemi edhe investime të tjera si vrojtuesit statikë që rrisin ofertën për këtë produkt të rëndësishëm” tha Sokoli
I pyetur për ruatjen e autenticitetit të objekteve historike ai u shpreh se gjatë punimeve do të jenë edhe specialistë të DRTK në mënyrë që të mos cënohet asnjë vlerë historike
“Ky është një nga monumentet më të rëndësishme . Projekti e ka parasysh këtë. Projekti do të zbatohet edhe në zonën arkeologjike A, ku çdo punim do të ketë mbikqyrje arkeologjike të specialistëve përkatës në çdo fazë të projektit. Nuk do të ketë ndërhyrje në vlerat historike dhe arkitekturën e objektit. Ndërhyrjet do jenë minimaliste në mure për evitimin e vegjetacionit dhe plotësimin e boshllëqeve” shpjegoi Sokoli.
Projekti nis që nga parkimi i mjeteve poshtë kalasë, furnizimin me ujë, ambjentet sanitare dhe zonën e eventeve në kalanë e Shkodrës.
Vlera e investimit në këtë projekt është mbi 1 milion euro. Ai synon që kjo pasuri që mbart Shkodra të ofrojë më shumë për mijëra vizitorë që i drejtohen çdo vit. Kalaja e Shkodrës është një nga parqet arkeologjike më të vizituara në rang vendi.