Mehmet Elezi

9 Prill 2026

Nga: MEHMET ELEZI

PJESA E PARË

Qasja te Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe (FMGJSH), që ka hedhur Akademia në linjë, nuk premton shumë entuziazëm. Ende pa dalë në jetë, foshnja ka hije në mushkëri. Nuk u arrit bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës. Parimet e ndërtimit të punës, rreth të cilave u ngjiz mosmarrëveshja ndërmjet dy akademive, janë çështje themelore për vërtetësinë e Fjalorit; duhej ulur për të gjetur kompromis. Dhe për të thirrur “nën armë” kontribuuesit më qenësorë për gjuhën shqipe, pavarësisht nga krahu politik a kauzat që mbron njëri ose tjetri. I takonte Tiranës me e trajtue Prishtinën si të barabartë. Sepse është e barabartë.

TRI RISITË E PRITSHME TË FJALORIT

Mendoj se tri risi priteshin nga FMGJSH:

1. Shpjegimi i fjalëve me filozofinë e një shoqërie të lirë.

2. Hapje gjithëpërfshirëse për thesarin e fjalësit nga krejt trevat, brenda e jashtë “Shqipërisë Londineze”. Pa privilegjuar, pa paragjykuar.

3. Metodologji bashkëkohore në paraqitje dhe shpjegim, përfshi etimologjinë dhe ilustrime me citime nga autorë e vepra të mëdha.

Në hartimin e një fjalori punohet si në futboll. Mund të derdhë shumë përvojë e energji një gjuhëtar “kapiten”, mund të shkërmoqet duke vrapuar titullari a titullarët, por duhet edhe ekip cilësor me mbështetja të qëndrueshme financiare. Dëmi është i madh kur lojtarë voglanë vishen me kostumin e Akademisë. Disave u rri tepër i madh, duken si Gjinoja i filmit të Anagnostit “Përrallë nga e kaluara”.

Të krijohet përshtypja se lënda e FMGJSH rrudhet nga një psherëtimë e thatë: mos duhet mbajtur dora, mos po i bëjmë shumë “lëshime” gegërishtes e po cenojmë standardin? Për dikë kjo mund të jetë bindje. Për dikë mund të jetë trajtë e vetëcensurës, që buthton edhe nga shtresimet e nënvetëdijes. Gjithsesi çështja i kapërcen përmasat e standardit. Në fjalorët e Akademisë (2002, 2006) u ndryshuan disa formulime që kërcisnin, por thellësitë pak u prekën. Në mjaft raste njëanshmëria kishte mbërri deri te parapëlqimi i fjalëve të huaja, në vend të fjalëve të mirëfillta shqipe në gegërisht. Për këtë mendjengushtësi të rrezikshme, që e shtyn shqipen drejt tkurrjes e tjetërsimit, nuk është përgjegjës standardi, me gjithë të metat thelbësore që ka ai. Kongresi i Drejtshkrimit (1972) përcaktoi normën, e kodifikoi atë, por në vendimet e tij nuk gjinden kufizime për fjalësin. Vjelja e fjalës shqipe ku të jetë, në qendra të ndriçuara urbane a në katunde të shmangura këndej a andej kufijve shtetërorë, nuk parakupton shumatore aritmetike. Parakupton përzgjedhje vlerash. Me përparësi fjalët e shpërfillura:

– të burimit indoeuropian të shqipes;

– të brumit të brendshëm të shqipes;

– të ngulitura prej kohësh, me kuptime ose ngjyresa të veçanta;

– të lidhura me emërvende (toponime) të moçme; e të tjera.

Pas vjeljes, shtjellim i çliruar nga çdo ndikim jashtëgjuhësor.

Kishte strategji të gjithëpërfshirjes? Lënda e disa fjalorëve me fjalë të rralla ose me fjalë të shpërfillura, botuar këto vjet jo nga Akademia, është e përpunuar përgjithësisht me kritere profesionale. Mbetej vetëm zgjat dorën e merr. Po veprat me lëndë folklorike të Anton Çettës, Visaret e Kombit, ku bën pjesë edhe Eposi, Përrallat Komtare të Atë Donat Kurtit, Kanuni i Lekë Dukagjinit e Kanuni i Skandërbegut, (s)a janë vjelë? Romane e poezi autorësh të traditës e bashkëkohorë, që shquhen për prurje gjuhësore, (s)a janë vjelë?

Pritshmëritë ishin për të mundshmen e FMGJSH, jo për të dëshiruarën.

SHPIRTI I FJALORIT 1980

Vërejtjet rreth FMGJSH në linjë, kanë qenë për shpjegimin e disa fjalëve të veçanta. Mund të sillen sa të duash dëshmi si mbijeton aty shpirti i Fjalorit 1980. Për shembull:

TË DREJTAT E NJERIUT. Ky togfjalësh mungon fare si koncept, FMGJSH nuk e trajton. Sepse mungon edhe te baba Fjalori 1980.

SUPERFUQI. Fjalori 1980 e përcakton: “shtet me fuqi të madhe ekonomike e ushtarake, që përpiqet të vendosë sundimin në gjithë botën nëpërmjet agresionit…”. FMGJSH merr me copy paste shpjegimin 1980, duke prerë me gërshërë vijimin që flet për agresion, kaq. Sipas përkufizimit të FMGJSH, vetëm në Europë duhet të jenë nja dhjetë superfuqi. Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja, tashmë edhe Polonia, a nuk janë “shtete me fuqi të madhe ekonomike e ushtarake”? Po Rusia e Turqia?

KAMP. Fjalori flet për kampet e përqendrimit “nga ana e pushtuesve nazistë e fashistë”, por nuk bëzan për kampet me mija të internuar të komunizmit.

KOLEKTIVIZIM. Sipas FMGJSH: “Bashkim i punës dhe i mjeteve të prodhimit (në vende ku mungon pluralizmi)”. Ç’lidhje ka kolektivizimi me pluralizmin? Në Izrael ka pluralizëm, ka edhe kolektivizim në kibuce; pluralizëm (kinez) ka edhe në Kinë. Asnjë pipëtimë për kolektivizimin total në regjimin komunist.

KANUN. Heshtje e plotë në FMGJSH për rolin e tij historik të tij si kushtetutë, kod penal e kod civil, si shtet paralel plotësisht funksional pa aparat shtrëngues, që sfidoi pushtuesit nëpër qindvjeçarë, duke mbrojtur identitetin kombëtar. Fjalori ia bën portretin me fjalët e baba Fjalorit 1980, i jep edhe një goditje nën brez nga vetja. Thotë se tërësia e normave e zakoneve të Kanunit zbatoheshin “dogmatikisht nga gjithë popullsia…” (fjalën dogmatikisht vetë Fjalori s’e ka)!

FJALËT PREJ EMËRVENDEVE

Çabej vlerëson veçanërisht zbërthimin gjuhësor të emërvendeve, i cili zbardh evoluimin e gjuhës dhe dëshmon autoktoninë tonë. Në Leqet e Hotit, në Malsi të Madhe, shpalohet pamja mahnitëse e Luginës së Cemit përmes bjeshkëve. Ç’do të thotë ky emër?

LÉQ/E, – JA: “Kthesë rruge ose lumi, e fortë, 180 gradë” (frengjisht méandre). E burimit indeuropian të shqipes, shumësi i njëjësizuar (singularizuar) i lak. Del edhe nëpër emërvende të tjera: Leqet e Bashajve, Leqet e Milloshit, mbi Dragobi, dhe në mikrotoponime. Del në mallkime: Iu preftë leqja! Në fjalë të urta: Çdo mal ka leqet e veta. Prej saj emrat leqore, leqakim; foljet leqakoj, leqoj, leqohem; mbiemrat i lequar, leqe-leqe; ndajfolja leqe-leqe.

FMGJSH ka vetëm homonimin leqe “njollë”, fjalë e vjetëruar perse, hyrë përmes turqishtes; dhe foljen po aq të harruar, leqetis “njolloj”. Fjalën shqipe leqe, e gjallë në gjuhën e përditshme e në emërvende, Fjalori s’e njeh.

Në Valbonë është Fusha e Gjêsë, log ku kurthohen gazetarët: e pagëzojnë Fusha e Gjësë dhe “sqarojnë”: “Fusha e Bagëtive”, pa e kuptuar se kështu e bëjnë ujkun dele.

GJE, – JA, emër kolektiv. Kuptimi: “bishat, egërsirat mishngrënëse”. Lidhet me foljen gjuaj, e burimit indoeuropian. Del në emërvende, në shprehje frazeologjike, në fjalë të urta, në Epos: “Kurrkund gje me sy s’kanë mujtë me pa…” (Muji e Behuri) dhe në letërsinë artistike (Fishta gjae). Prej saj, folje kalimtare dhe vetvetore. Gjetoj “dal për gjueti”. “Me gjetue krajli kish dalë…” (Eposi). “Me langue të lidhun nuk gjetohet”, fjalë e urtë. Mbiemri gjetar, – e , sidomos për kafshët. Për FMGJSH këto s’ekzisojnë.

KERSH, – I (edhe kesh, si zharg/ zhag), sinonim i shkëmb. Në shumë emra bjeshkësh e në mikrotoponime: Kershi i Kocajve, Kershi i Vujkit, Kershat e Kuq, Kershat e Vrajaçës e dhjetëra të tjera në bjeshkët e Veriut. Prej kersh, emri kërshinë, “shpatinë me gurë e bar e shkurre, e mirë për kullosë”; edhe emër i përveçëm: Kërshina e Makës, Kërshina e Magjupit (në Bishevë, mbi Bajram Curr). Del në këngë popullore, në fjalë të urta, në eufemizma, në shprehje frazeologjike; si mbiemër: tokë kersh “tokë shkëmbore”.

Në Fjalorin e vitit 1954 ka qenë emri karsh, është fshirë.

Çabej hedh idenë se kersh mund të jetë shumës i njëjësuar i karsh, fjalë vendi, që serbishtja e ka marrë prej shqipes, siç ka marrë škrapa, prej shkrep. S’e ka Fjalori 1980. S’e ka as FMGJSH.

FJALORI SI PASQYRË QYTETËRIMI

Fjalët që shprehin nocione abstrakte e kozmogonike, për hapësirën e kohën, dëshmojnë shkallën e të menduarit abstrakt të një populli. Bashkë me caqet (termat) politike, administrative, ekonomike e kulturore dëshmojnë edhe shkallën e qytetërimit. Gjuha shqipe është e pasur me këto. Gjinden sidomos te Fjalori i Gazullit e te një fjalor i botuar në vitet 2000; janë trajtuar në libra studimorë për gjuhën.

Në FMGJSH përfshihen për herë të parë fjalë si amëtyrë (nga amë} “natyrë”, “karakter”; hanor (nga hanë), mjet që tregon kohën, orë; rrokulli “gjithësi” (Fishta edhe për “orbitë”). I paqartë kriteri i përzgjedhjes së tyre, ngjan se më fort ka qenë vullneti i gjuhëtarëve të caktuar sesa strategji reale, funksionale. Për fjalën horizont shqipja ka katër sinonime: lëpen, lëbozë, lëpith dhe togfjalëshi mballim syni. Dalin te Koliqi, te M. Camaj, te A. Harapi. Tri të parat prej lëpé “mjegull e hollë, tis”, përshtypja që le pafundësia e qiellit. Nëse horizont në gjuhët e vjetra ka pikënisje nocionin “kufi”, në shqip është e kundërta: mungesa e kufizimit, lëpeja e pafundësisë së qiellit le gjithçka çelë. Edhe për kah koncepti, terma krejt origjinalë. FMGJSH i ka “harruar”. Përfshihen edhe caqe juridike nga e drejta dokesore, por nuk dihet pse janë bërryluar fjalë si kjuer/ kjor “bashkëpunëtor në vjedhje”, në kuptim më të gjerë “bashkëpunëtor në krim”. Fjalë e burimit indoeuropian, del qysh në 1635 te Frang Bardhi. “Baraz cubi, baraz kjori”, thuhet në Kanun. Për fjalën krim, e njëllojtë në gjuhët kryesore europiane, shqipja ka të vetën: gja, – ji (me sa duket lidhet me gjojë, gjueti). Fjala e urtë “Djali qi s’ndigjon t’an, del në rrugë e bân gjan; djali qi s’ndigjon t’amën, del në rrugë e bân gjamën”. Fjala kapucar në Fjalor shpjegohet “spiun”, me kuptim më të gjerë, “dedektiv”. Pritet dita e dasmës e thirren krushqit, për arsye madhore dasma s’do të bëhet, del detyra me i çthirrë/ shthirrë krushqit, caktohen njerëzit për çthirrje. Nga etnografia në drejtësi, këto fjalë mund të zëvendësojnë termat revokoj, revokim. FMGJSH s’i ka.

Nga ekonomia e tregut Fjalori i ka pasqyruar fjalët shqipe për borxhin – përlim, për pensionin: ngoje, mëngoje, për fajdet ose kamatën – gjedheshtër (anipse ilustrimi të çudit: Ndalohet gjedheshtra për huat për blerje veglash makine! Ndihmojnë kjo fjali me e përkapë kuptimin e gjedheshtër?). Do të tjerave, që shprehin kapitalin/investimin fillestar, konkurrencën, reklamat, pagesën me pare në dorë, kompensimin, punën si ortak biznesi, s’dihet pse u është vënë bërryli. Për një fjalë në fjalorët normativë të frëngjishtes vendos Akademia Franceze, te ne secili kryenëveti? (Edhe ndajfolja kryenëveti mungon në Fjalor).

Nga anatomia, trupi e shëndeti vështirë përligjet lënia jashtë e fjalëve si mullith (prej mulli) – “stomak”; mënyth (prej nyjë) – “kallo, polip”; lofkë (prej lëvore) – “valvul e zemrës”; spirrëgjake (prej spirrë + gjak) – “dizanteri”; të prekurit, eufemizëm për tuberkulozin; klemëz (prej foljes lej “lind” me parashtesën k) – “organi femëror, vaginë”; rruzare (prej rruaz) – “e virgjër”; lidht, – i (prej lidh) – “eunuk”.

Prej mekanikës e shkencave të natyrës janë lënë sjellç (ga sjellë) – “helikë”; nënkambcë (prej nën kambë) fjalë e vegjëve – “pedal”; endc, ngallec (përkatësisht prej end, ngalli) – “embrion”; njeh, – u (e burimit indoeuropian) – “numër” (Gazulli); kacu prej cung me parashtesën ka) dhe verrle – “kon”; rrokullare, përrethinë – “perimetër”…

Në informatikë ka prirje me përshtatë fjalë shqip. Për klikoj: – çukit. Për USB: – gisht, çelës. Për buton: – syth. Për link: – lidhje, vegëz. Këto nuk janë te FMGJSH. Nuk është as emri vegëz, anipse i gjallë në gjashtë kuptime edhe si ndajfolje, në fjalë të urta e në frazeologji.

Nga arti e sporti janë shmangur kambëcor (prej kambë) – “piedestal”; katranzë (prej katër anë) – “tabllo, kornizë”; grrath (krahaso gërrith) – “pirografi”; rrethak – “ring”; rrakela – “patina”; caktar (nga cak) – “gjyqtar i ndeshjes”, këtë Fjalori e ka në një kuptim të ngushtë; kalore (nga kalë) – “hipodrom”…

FJALË IDENTITARE PA PASAPORTË

FMGJSH tëhuajson fjalë identitare nga etnografia.

TIRQ, – IT. E burimit indoeuropian, del qysh te F. Bardhi. Pjesë dalluese e veshjes kombëtare. Ka qenë në Fjalorin e 1954-s, më pas u përzu. Në FMGJSH s’e gjen dot: e kanë rrasur te tirk, si kuptim të tretë, marrë me copy paste nga Fjalori 1980. Ndërkohë sinonimet çidikë, gjidikë, çakçirë, prej turqishtes, trajtohen si fjalë të veçanta. Në raste identike sende pa rëndësi shenohen si fjalë më vete. Emri llastikë, p.sh., “këpucë prej llastiku…”, ndryshe nga ç’veprohet me tirq, nuk shenohet te emri llastik, por si fjalë e veçantë.

GJAM/Ë, – A. Vajtim burrash, me regji rreptësisht të përcaktuar deri në imtësi. Rrënjët e kësaj dokeje Kadareja i lidh me tragjeditë e moçme greke. Del në fjalë të urta, në mallkime, në frazeologji. Fjalori i 1954-s e ka, edhe foljen gjamoj, më pas e kryqëzon. Në FMGJSH është vetëm gjëmë, – a, “vajtim me britma në rast vdekjeje, britmë vajtuese”, pa veçanti, pa identitet. Ndërkohë FMGJSH ka gjamatar, prej gjamë. Si jo pak herë, pranohet pjella (gjamatar), por jo ama që e polli (gjamë). Gjamë ka edhe kuptimin “rënkim nga vuajtje fizike ose shpirtërore”, qysh te Buzuku në këtë kuptim. Prej saj folja gjimoj. “Bylbyl i vorfën/ Pse po gjimon?” (Mjeda, Vaji i Bylbylit). Në FMGJSH ka vend edhe për gjëmoj “gjurmoj”, që s’është tjetër veçse keqshqiptim i gjurmoj, por jo për një doke madhështore si gjama.

PAM/E, – JA (E). Ditët e caktuara – dikur tri, shtatë, për raste fort të dhimbshme deri në shtatë javë – me pritë ngushëllime për vdekje, dhe ritet përkatëse. FMGJSH s’e ka.

PÁNË, – T (TË) emër asnjanës. Shkuarja e nuses për disa ditë në gjini. Të panë së pari – shkuarja e nuses në gjini për herë të parë pas martesës. Ndryshon nga të panët e zakonshëm, shoqërohet me ceremoni mes dy familjeve.

FMGJSH ka vetëm parë, – t (të): “Vajtja e nuses për herë të parë te prindërit e vet… Vajtja për kryeshëndoshë…”. Të njëjtën fjalë si për nusen si për vdekjen!

Gazeta Panorama